26.2 C
Pristina
Friday, July 12, 2024

Egalitarianizmi – rreziku shkatërrimtar që qëndron pandalur mbi ne – Fitim Zekthi

Më të lexuarat

Egalitarianizmi – rreziku shkatërrimtar që qëndron pandalur mbi ne

Fitim Zekthi

Drejtësia ka qenë gjithnjë një çështje së cilës shoqëria njerëzore është përpjekur vazhdimisht t’i qaset duke u rrekur të gjejë, në radhë të parë, se cili është burimi i së drejtës, nga vjen apo nga lind ajo. Në thelb, drejtësinë të gjithë e kanë parë si ideal për të cilin ia vlen të bëhet gjithçka. Drejtësia si çështje, si koncept, është përdorur gjerësisht edhe për qëllime të tjera, qëllime që lidhen me pushtetin apo me dominimin, qëllime të cilat e kanë kthyer përpjekjen për drejtësi në një përpjekje shkatërrimtare jo thjesht për vetë drejtësinë, por për vetë shoqërinë.

Mendimi politik ose përpjekja njerëzore, në gjakim të kuptimit të drejtësisë kryesisht në botën perëndimore, ka prodhuar tri lloje qasjesh ose tri teori mbi drejtësinë. Marc Sandel, profesor në Harvard, thotë se këto teori kanë të bëjnë me kuptimin aristotelian, utilitarist dhe atë kantian mbi drejtësinë. Këto tri kuptime ose këndvështrime mbi drejtësinë kanë burime të ndryshme, e shohin burimin e së drejtës të themeluar në entitete të ndryshme.

Për Aristotelin drejtësia ka të bëjë me dhënien e hakut, me dhënien gjithkujt atë që i takon atij. Për shembull në qoftë se janë 40 vetë dhe ka vetëm disa instrumente muzikore, sipas Aristotelit, instrumenti më i mirë duhet t’i jepet atij që është më i afti, më i zoti etj. Nga ky parim ndërtohen ligjet apo rregullat, të cilave duhet t’i nënshtrohet kushdo: edhe shteti, edhe individi.

Për Aristotelin burimi i së drejtës gjendet në natyrën e gjërave.

Për Imanuel Kantin drejtësia është diçka që gjendet, përftohet, kuptohet në mënyrë të arsyeshme. Kushdo duhet të veprojë e të sillet në atë mënyrë që në qoftë se të gjithë të tjerët do të silleshin në njësoj, atëherë gjithçka do të ishte shumë mirë.
Për utilitaristët e drejta ka të bëjë me kryerjen e akteve apo marrjen e vendimeve që sjellin të mirën më të madhe për numrin më të madh të njerëzve. Pra e drejta është diçka që lidhet apo varet nga numri i atyre që përfitojnë. Për utilitaristët e drejta është diçka që burimin e ka tek llogaritë, marrëveshjet, dobishmëria. Pra, pak a shumë, është çështje që vendoset nga vetë njerëzit me anë të arsyetimit.

Marc Sandel i kundërshton dy qasjet e dyta. Ai thotë se utilitarizmi nuk merr parasysh të drejtën individuale të njerëzve, nuk merr parasysh hakun, nuk merr parasysh atë që njerëzit e kanë të drejtë të caktuar nga vetë e natyrshmja apo nga Zoti. Për kuptimin kantian Sandel thotë se ai është mjaft i ngurtë dhe i ftohtë dhe mund të çojë në paradokse shqetësuese. Edhe kuptimi kantian mund të sjellë mosdhënien e hakut apo mosdhënien e asaj që dikujt i takon në mënyrë të natyrshme. Arsyetimi i Marc Sandel ka qenë gjithnjë i pranishëm përgjithësisht në botë nga njerëz dhe mendimtarë të ndryshëm. Ky këndvështrim përfshin ata që shohin për burim të së drejtës të natyrshmen, rendin e dhënë të gjërave, Zotin etj. Dy pikëpamjet e tjera, ajo kantiane edhe ajo utilitare, ndonëse nuk e mohojnë dukshëm të natyrshmen ose rendin natyror si burim të së drejtës, nuk e kanë atë një premisë. Duke qenë se nuk e kanë një premisë apo një pikë nisjeje, atëherë që të dyja qasjet janë të hapura dhe mund të prodhojnë pikëpamje për drejtësinë që mund të jenë komplet kundër së drejtës natyrore ose edhe që mund t’i shpallin luftë kësaj të drejte.

Njëra nga mënyrat, rrymat ose këndvështrimet mbi të drejtën, që vjen nga i njëjti burim si utilitarizmi apo si qasja kantiane, është edhe barazia. Me këtë nuk duhet kuptuar se barazia është diçka që vjen nga kuptimi kantian apo nga kuptimi utilitarist mbi drejtësinë. Premisa e barazisë ka për burim në një farë mënyre arsyen ndonëse jo në terma të rreptë kantianë, por me ngjyra të ndryshme, ngjyra të cilat i kanë përdorur gjerësisht edhe utilitaristët.

Barazia është parë si mënyra e vetme për të pasur drejtësi. Barazia është parë si gjendja e vetme e natyrshme në të cilën ka drejtësi. Barazia është parë si kushti bazë i paprekshëm për të pasur drejtësi. Barazia është parë si vetë drejtësia, identike me drejtësinë.

Me barazi, në kuptimin që përmendëm më lart, do të kuptojmë atë që njihet si egalitarizëm. Rrënjët e kësaj qasjeje gjenden në mendimtarë të ndryshëm, por në kuptimin më të plotë, më thellë ato gjenden tek Ruso (Jean Jacque Rousseau) dhe Marksi (Karl Marx).

Për Rusoin dhe për Maksin në fillesat e saj shoqëria njerëzore ka jetuar në një gjendje të natyrës. Në këtë gjendje të natyrës nuk kishte institucione sociale, nuk kishte familje, nuk kishte prona, nuk kishte fe apo filozofi që përkufizonin jetën. Njerëzit ishin plotësisht të lirë dhe plotësisht të mirë, nuk shkaktonin dhunë dhe nuk kërkonin të dominonin askënd. Në këtë gjendje, qenia njerëzore shfaqej në tërë plotësinë e vet. Më pas, sipas Rusoit dhe Marksit, lindi prona private kur njerëzit filluan të rrethojnë ara, lëndina apo pemishte natyrore. Pasi lindi prona private, atëherë lindi familja sepse pronarët kërkonin t’ia linin dikujt pronën në trashëgimi. Pra duhet familja, duhen fëmijët. Pasi lindi familja nisi organizmi social, nisi qeverisja. U krijuan kështu klasa, shtresa apo grupime të ndryshme që dallonin nga roli shoqëror dhe nga prona. Kjo gjë nisi të korruptojë njeriun dhe nisi të sjellë pabarazinë, dhe me pabarazinë nisi të vijë edhe padrejtësia. Në gjendjen e natyrës të gjithë janë absolutisht të barabartë. Kjo është baza e qasjes së Marksit mbi barazinë apo egalitarianizmin.

Për Rusoin dhe për Marksin, sidomos për Marksin, drejtësia është e lidhur vetëm me barazinë ose me egalitarizmin. Drejtësia është një përpjekje e pandalshme për të reduktuar pabarazitë, është një përpjekje e pandalshme për të sjellë barazinë.

Ligji, institucionet, shteti duhet të kenë vetëm këtë synim. Të reduktojnë pabarazitë deri sa ato të zhduken plotësisht. Gjatë gjithë historisë së njerëzimit, sipas Marksit dhe Rusoit (por edhe për dhjetëra e dhjetëra mendimtarëve të tjerë, kryesisht socialistë) shoqëria ka shkuar nga një shkallë pabarazie në një tjetër më të thellë. Nga rendi primitiv, ku të parët e fiseve që kishin pushtetin politik krijuan pabarazi ndaj atyre që ishin subjekte të tyret, tek rendi skllavopronar ku skllevërit shtypeshin nga skllavopronarët e deri tek sistemi i sotëm kapitalist apo forma të të tjera të sundimit të kapitalit, pabarazia ka ardhur duke u thelluar. Si pasojë e kësaj pabarazie dhe për pasojë padrejtësie vetë njeriu është korruptuar, ka brendësuar kulturën dhe moralin e atyre që janë shkaktarët e pabarazisë dhe shtypësit e vërtetë. Që të kemi barazi, domethënë drejtësi, duhet që të zhbëhet gjithë ky mekanizëm pushteti, gjithë kjo kulturë mijëra vjeçare e ndarjes në klasa ku njëra shtyp dhe shfrytëzon dhe tjetra shtypet. Që kjo të bëhet duhet një shtet, duhen ligje dhe rregulla që marrin përsipër këtë detyrë të zhbërjes së pabarazisë historike. Kushdo që ka shumë prona apo para, kushdo që ka pushtet, nuk e ka atë në mënyrë të merituar, por e ka si pasojë e këtij realiteti historik që ka prodhuar këtë pabarazi. Në thelb, në gjendje të natyrshme, njerëzit janë të gjithë të barabartë. Askush nuk mund të ketë më shumë se askush në qoftë se nuk jetojmë në një sistem me klasa dhe me institucione ku një klasë shtyp një tjetër.

Gjithë ky ushtrim racional është rruga se si e sheh arritjen e të drejtës egalitarianizmi. Burimi i të drejtës pra gjendet tek arsyeja, burimi i të drejtës mund të jetë e natyrshmja, por ama, një e natyrshme që kuptohet se si është vetëm sipas këtij arsyetimi racional.
Ky arsyetim nuk e pranon që njerëzit janë të ndryshëm dhe kanë aftësi të ndryshme, ky arsyetim nuk e pranon që njerëzit kanë vullnet dhe kapacitet të zgjedhin vetë lirisht se si do ta kuptojnë jetën dhe botën, ky arsyetim nuk e pranon që dikush është më punëtor, më i aftë, më i talentuar se sa dikush tjetër në një fushë të caktuar.

Shqipëria e ka vuajtur në mënyrë të theksuar këtë kuptim mbi të drejtën. Komunizmi në Shqipëri u përpoq sipas tezës marksiste të zhbënte “padrejtësinë historike”, të çlironte njerëzit nga “prangat e të kaluarës”, të sillte barazinë duke krijuar njeriun e ri. Gjithë sistemi politik dhe gjithë sistemi ligjor dhe institucional e shihte të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme drejtësinë me barazinë ose me egalitarianizmin.

Institucionet bazë që e kanë korruptuar njeriun përgjatë historisë, sipas teorisë marksiste, janë familja, prona private dhe feja. Është familja – sepse njeriu duke pasur familje, nuk mund të jetë i aftë në mënyrë të njëllojtë për të ndihmuar ose për të dashur njëlloj të gjithë anëtarët e shoqërisë por do të jetë më i tërhequr nga familja e tij. Është prona private – sepse njeriu do të synojë ta rrisë atë, ta shtojë atë dhe kjo do të bëjë që ai të mos ketë parasysh interesin e të tjerëve. Është feja – sepse feja prodhon një sistem të të kuptuarit të botës që i shërben atyre që kanë pushtetin, që nuk i lejon njerëzit të kuptojnë padrejtësitë dhe të ngrihen kundër klasës së shtypësve. Feja është, sipas tyre, një drogë që i qetëson vuajtjet njerëzve dhe prandaj ajo e korrupton njeriun.

Drejtësia për 45 vjet në Shqipëri u përpoq t’i shkatërrojë këto institucione. Pronën private e morën dhe dhunë, familjen u përpoqën ta përkufizojnë në mënyrë të tillë që të shkatërrojnë normat tradicionale, rolin tradicional të familjes, moralin tradicional. Sa për fenë, është e qartë sepse jo vetëm e sulmuan dhe përndoqën, por edhe e ndaluan fare.

Parimisht, pavarësisht këndvështrimit filozofik mbi burimin dhe synimin e së drejtës, shoqëritë kanë tentuar t’i qasen drejtësisë duke ndërtuar një shtet të sundimit të ligjit. Pra një shtet ku nuk vendos në mënyrë arbitrare një njeri ose një institucion i vetëm. Që herët, në Greqinë e vjetër, sundimi i ligjit nënkuptonte më së pari mosvënien e askujt mbi të. Aristoteli, duke kundërshtuar Platonin mbi filozofinë mbret që duhet të ishte mbi ligjin, qe ndër zërat më me ndikim atëbotë, por edhe mbi të gjithë qytetërimin që u ngrit më pas, me idenë e tij për ligjin si autoritet suprem. Edhe në Romën e vjetër u qeveris mbi këtë parim. Madje, të qenit shërbëtor i ligjit shihej si mjeti i vetëm për të qenë i lirë. Në Kinë jetuan bashkë dy ide: konfucianizmi, që mbronte idenë e ligjit si qeveritari më i lartë, dhe legalizmi, që i jepte imunitet mbretit dhe aristokracisë, domethënë, e vinte mbi ligjin.

Qytetërimi islam e njihte qartë, që në shekullin e shtatë, ligjin si autoritet suprem, dhe ndaj tij nuk kishte imunitet as kalifi. Ishte kryepeshkopi i Kanterbury-t në Angli ai që udhëhoqi betejën për mosqenien e mbretit mbi ligjin. Magna Carta, si një dokument madhështor, bëri përfundimisht realitet këtë përpjekje të kryepeshkopit. Më pas, e gjithë historia vijon në këtë drejtim, me përjashtim të totalitarizmave, si komunizmi apo nazizmi.

Pra totalitarizmat, komunizmi, fashizmi, të cilat kanë për thelb të drejtësisë barazinë, ndërtojnë edhe sistemi shtetërore, institucione shtetërore që janë vetëm në dorën e një njeriu apo të një klike. Kjo është e vetëkuptueshme që do të çojë në një shtet të tillë me pushtet shumë të madh dhe që drejtohet në mënyrë totalitare. Kur një shtet mendon se ka për detyrë të ndryshojë padrejtësi historike, mijëravjeçare, ai padyshim që do të kthehet në një përbindësh totalitar. Ky përbindësh totalitar, duke qenë se kërkon të çlirojë njeriun nga korrupsioni mijëravjeçar, do të hyjë në çdo qelizë të shoqërisë.

Pra ky lloj shteti, që e sheh të drejtën të lidhur pazgjidhshmërisht me barazinë, tenton të bëhet totalitar, bëhet totalitar dhe lideri totalitar, mekanizmi i tij i pushtetit nuk pyet më asnjë ligj dhe mbi të nuk ka asnjë ligj. Kur idetë e barazisë nuk kanë mundësi të ndërtojnë një pushtet totalitar ato përpiqen të rrisin peshën e shtetit duke mbledhur shumë taksa, duke folur për forma të tjera të familjes, duke mbrojtur martesat dhe adoptimin e fëmijëve nga homoseksualët dhe duke krijuar “fe” të reja civile si liberalizmin, libertinizmi, socilaizmi etj.

Kur e drejta ka për burim të natyrshmen, rendin e dhënë të gjërave, Zotin, ajo e mendon njeriun si qenie unike, e mendon aftësinë dhe talentin e dikujt si të ndryshëm nga të tjerët dhe e mendon dallimin në pasuri dhe në status social si të natyrshëm. Ajo nuk e pranin egalitarizmin madje e quan atë një problem. Kur e drejta shihet kështu ajo kërkon institucione të që vendosin, kërkon kontroll të institucioneve dhe pushtet të vogël të institucioneve në mënyrë që vetë shoqëria në mënyrë të natyrshme të kuptojë të drejtën dhe dhënien e hakut. Ne jemi sot në një luftë të egër kundër drejtësisë bash sepse për 45 vite drejtësia u kuptua nën ngjyrën e barazisë dhe kjo prodhoi një shtet dhe një kulturë totalitare ku shumë njerëz janë mbi ligjin. Ne jemi sot në një luftë për drejtësi sepse për gati 7 dekada marrëzia e barazisë luftoi siç lufton ende fort kundër pronës private, kundër familjes dhe kundër fesë. Në këtë kuptim mbi ne rri pandalur një rrezik shumë i madh dhe shkatërrimtar.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit