Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka realizuar një vizitë zyrtare në Gjermani, ku është pritur në takim nga Presidenti Frank-Walter Steinmeier dhe ka takuar kancelarin Olaf Scholz dhe zyrtarë të tjerë.
Pas ceremonisë së pritjes dhe përfundimit të takimeve, Rama dhe Scholz mbajtën një konferencë të përbashkët për media, duke u fokusuar në perspektivën evropiane të Shqipërisë, marrëdhëniet mes dy vendeve, luftën Rusi-Ukrainë, bashkëpunimin rajonal dhe çështje të tjera.
I pyetur nga një gazetar se a ka pasur gjatë një-dy viteve të fundit rritje të ndikimit të vendeve si: Rusia, Kina, Turqia apo vendeve arabe mbi Ballkanin Perëndimor Rama tha se situata nuk është e njëjtë për të gjithë; për aktorët apo vendet e treta që mund të kenë ndikim mbi Ballkanin Perëndimor.
“Sigurisht që ndikimi i Rusisë në rajonin tonë përbën një problem për më tepër në kushtet e sotme dhe kjo tregon se Bashkimi Evropian duhet t’i afrojë më shumë drejt vetes të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”,- tha kryeministri shqiptar.
Kurse Turqia nuk është një aktor i tretë, ajo është partnere strategjike e Shqipërisë, theksoi Rama dhe shtoi: “Për mua Turqia është një pikë sigurie shumë e rëndësishme për të gjithë Evropën”.
Gjithashtu Rama nënvizoi se Shqipëria ka marrëdhënie miqësore prej vitesh edhe me vendet e Gjirit.
