15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

E vërteta rreth natës së mirë Regaib

Më të lexuarat

Në shkrime të ndryshme në internet, apo shkrime revistash ose gazetash, por edhe në disa libra përmendet vlera e madhe e Natës së Mirë të Regaibit që ndodhet në Muajin Rexheb. Ato argumentohen me hadithe të shpikura dhe të trilluara. Ndër këto shkrime gjejmë edhe këtë:

-Profeti ynë i nderuar, në një hadith të transmetuar nga Enesi (r.a.), ka thënë: “Kujdes, përpiqu të rrish zgjuar natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep, të mos e kalosh atë në shkujdesje, sepse engjëjt asaj nate ia kanë vënë emrin Regaib!”

-Ndërsa në disa thënie të tjera për rëndësinë e kësaj nate Profeti Muhamed (a.s.) është shprehur: “Ai që e vlerëson natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep (Nata e Regaibit), Allahu i madhëruar nuk e dënon në varr” (Saadet-i Ebedije).

Të dyja tekstet janë pjesë e një hadithi të gjatë që e transmeton Gauth-thekalejn në librin e tij “Gunjetuttalibin”, Ebu Muhamed Abdul-Aziz el-Kinani në librin e tij “Fadlu Rexheb” dhe Ebu Musa El-Medini në “Vedhaiful-lejali”.

Imam Lekneviu në përmbledhjen e tij të haditheve të trilluara “El-athar el-merfuah fil-ahbar el-meuduah” 1/62 thotë: “Ky hadith është i shpikur dhe i trilluar dhe për këtë kanë rënë dakort të gjithë muhaddithinët (shkenctarët e hadithit)., sepse shumica e transmetuesve në zinxhirin e tij nuk njihen dhe disa transmetues të tjerë janë gënjeshtarë.” Të njëjtin gjykim për këtë hadith e citon El-Fiteni në përmbledhjen e haditheve të trilluara “Tedhkiretul-meuduat” 1/44,  imam El-Iraki në klasifikin e haditheve të “Ihja ulumiddin” 1/394, imam El-Axhluni në “Keshful-khafa” 2/410, imam Esh-Sheukani në përmbledhjen e haditheve të trilluara “El-Fevaid el-Mexhmuah fil-Ehadithil-meuduah” 1/48 e plot të tjerë si imam Bejhekiu, Ibnul Xheuzi, Dhehebiu, Askalani, Mulla Alij El-Karijj el-hanefi, etj.

Ndërsa imam Neveviu në shpjegimin e Muslimit 8/20 kur tregon për natën e Regaibit dhe veçimin e natës së xhumasë me adhurime thotë: “Të gjithë (ulematë) kanë rënë dakort se kjo gjë është diçka e urryer që e bëjnë bidatçitë. Allahu e shkatërroftë atë që e ka shpikur këtë lloj namazi në këtë natë, sepse ajo është njëra prej bidateve të urryera dhe të humbura që vijnë nga injorantët. Shumë prej imamëve kanë shkruar libra të çmuara për këtë çështje ku kanë treguar sa e shëmtuar është kjo vepër dhe sa të humbur janë ata që e zbatojnë këtë gjë.”

Ulematë kanë sqaruar se të gjitha hadithet e tjera që tregojnë për vlerën e natës së parë të xhumasë “Nata Regaibit” lutjet që bëhen në të dhe se gjoja ajo natë është e shenjtë dhe lutjet pranohen, janë të shpikura dhe të trilluara në tërësi. Edhe ajo që përmendet se gjoja Amineja, nëna e Profetit (alejhissalatu uesselam) ka mbetur shtatzënë në këtë natë, ose ka kuptuar se është shtatzënë pikërisht në këtë natë janë pretendime të sajuara dhe të shpikura që nuk kanë asnjë argumentim nga feja dhe as mbështetje logjike.

Edhe më e mjerueshme konsiderohet fakti se shume njerëz i kthejn këto netë në festa fetare, duke u larguar edhe më shumë nga tradita profetike. Akoma më keq kur argumentohet dhe abuzojnë me fjalën “dijetarët” sikur gjoja dijetarët kanë folur vërtetë se kjo natë sjell mbarësi dhe se Allahu i Madhëruar i ka dhënë Profetit (alejhissalatu uesselam) pikërisht në këtë natë. Për cilët dijetarë po bëhet fjalë? Për sahabët dhe tabiinët? Apo për për katër imamët e mëdhenj? Ndërkohë që shpikësi dhe trilluesi i namazit të natës Regaib është Ali ibn Abdil-lah ibn Xhehdam, prijësi si sufistëve në kohën e tij, i cili ka vdekur në vitin 414 sipas hixhretit. (Shih: “El-athar el-merfuah fil-ahbar el-meuduah” 1/63-64). Kjo do të thotë se ky adhurim dhe madhërimi i kësaj nate jo vetëm që është i shpikur, por mbi të gjitha është është shfaqur 4 shekuj pas. Ndërkohë dijetarët e mëdhenj që vijnë më pas kanë sqaruar qartë se çfarë qëndrimi duhet të mbajë myslimani ndaj këtyre festimeve dhe adhurimeve të pabaza dhe larg traditës të saktë profetike për të cilën jemi të urdhëruar të kapemi.

E pra, madhërimi i muajve ose i netëve të veçanta nuk bëhet sipas dëshirës së askujt dhe as sipas logjikës së njerëzve. Duhet të rikujtojmë besimtarëve se adhurimet në fenë islame bëhen ashtu siç na ka mësuar Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari i Tij Muhamedi (alejhi salatu ue selam) dhe jo sipas mendimit, dëshirës apo traditës së njerëzve, sepse siç na ka treguar Profeti (alejhissalatu uesselam) çdo risi në fe të çon nëhumbje. Ndërsa sahabiu i nderuar Hudhejfe ibnul Jeman thotë: « Çdo adhurim të cilin nuk e kanë praktikuar shokët e ndershëm të Profetit a.s mos e praktikoni as ju, sepse të parët nuk kanë lënë gjë për thënë për ata që vijnë më pas. » Ndërkohë imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Njerëzit e fundit të këtij umeti do të rregullohen vetëm duke ndjekur të njëjtën rrugë që kanë ndjekur edhe të parët e tij.” Ndërsa Abdullah Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: “Çdo bidat është në humbje edhe sikur njerëzit ta shohin atë si të mirë.”

Përgatiti:

Mustafa Tërniqi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit