11.9 C
Pristina
Tuesday, May 14, 2024

E ardhmja e panjohur – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Në kohë trazirash dhe sprovash të mëdha, që kalojnë muslimanët dhe bota, si ato në ditët e sotme, i sheh vazhdimisht disa që përpiqen t’i veshin realitet aktual hadithet që flasin për ngjarjet e kohëve të fundit dhe të shenjave të Kiametit, gjë që është metodë e gabuar.

Hadithet e Profetit (alejhi salatu ue selam) kanë si qëllim parësor të informojnë besimtarët se çfarë do të ndodhë dhe sesi duhet të sillen në situata të tilla që mos gjenden gafilë, dhe së dyti të provojnë saktësinë e profetësisë së Muhamedit (alejhi salatu u selam). Hadithet janë aq të qarta sa nuk kanë nevojë në shumë raste për shpjegim dhe duke qenë se ato kanë të bëjnë me të ardhmen e panjohur (gajb), atëherë interpretimi i tyre për t’ia përshtatur një kohe apo vendi të caktuar, ngelet opinion spekulativ njerëzor.

Gjatë gjithë historisë islame ka pasur njerëz që i kanë interpretuar këto hadithe sikur të ishin relevante për kohën dhe vendin e tyre, madje disa janë munduar që t’i aplikojnë këto hadithe për veten e tyre duke u përpjekur t’i imitojnë ato që thuhen në to.

P.sh. përdorimin e flamujve të zi nga grupe të ndryshme, për t’i përshtatur veprimet e tyre me atë që përmendet në disa hadithe (të debatueshme në fakt për autenticitetin e tyre), i gjejmë që në periudhën Abaside dhe tek mjaft sekte shiite, të cilët filluan të përdornin flamuj të zinj pikërisht për këtë qëllim.

Përveç kësaj nuk është në metodën e muslimanëve të ditur të hershëm (selefëve) që hadithet që përshkruajnë ngjarjet e fundit, t’i aplikonin mbi ngjarje, grupe dhe persona të caktuar, nëse hadithi nuk i shkonte për shtat plotësisht atyre, pa qenë nevoja e interpretimit të sforcuar.

Përcillet nga Imam Sufjan Theuri (v. 161 h.) se Hafs ibn Gijath e pyeti atë:
-Njerëzit janë duke folur shumë për Mehdin, çfarë thua ti për të?
Sufjani tha: “Nëse kalon para portës tënde, mos bëj asgjë, derisa të shohësh se njerëzit janë mbledhur (të gjithë) rreth tij.”
(Eh-hilje: 7/31)

Vetëm nga këto pak fjalë që përcillen nga Sufjan Theuri kuptojmë se, qartësia e ndodhjes së këtyre ngjarjeve të së ardhmes, për të cilat kanë folur hadithet, duhet të jetë aq e kuptueshme dhe e pranuar nga të gjithë, saqë interpretimi i tyre për t’i zbritur në një vend dhe kohë të caktuar është krejt i panevojshëm.

Të ardhmen e di vetëm Zoti, rrjedhja e saj nuk mund të zbulohet përmes interpretimeve spekulative të haditheve, por janë vetë ngjarjet e realitetit ato që do të zbulojnë vërtetësinë e këtyre haditheve, në kohën dhe vendin që e di vetëm Allahu.

Sa e sa njerëz, kanë gabuar dhe kanë marrë veten dhe të tjerët në qafë, qoftë nga interpretimet qoftë nga ëndrrat, se filan hadith vlen pikërisht për këtë ngjarje, kohë dhe grup?!

Sa e sa hadithe, që njerëzit lexojnë nuk janë autentike apo janë të dyshimta dhe ata nuk e dinë dhe mbi to kanë bazuar bindjen e tyre, për të cilën mund të kenë dhënë edhe jetën?!

Kështu që gjithsecili duhet të bëjë atë që kërkohet prej tij nga Zoti, për aq sa ka mundësi, në përditshmërinë e tij dhe të mos shkojë pas berihait apo eskatologjive spekulative, që pretendojnë të zbulojnë gajbin (të fshehtën) e së ardhmes përmes interpretimeve të tyre njerëzore.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit