14.3 C
Pristina
Saturday, July 27, 2024

Dyshimet dhe dilemat juridike ndaj kërkesës drejtuar KMSH – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Si fillim duhet të sqaroj se, është e pamundur që në një kërkesë ku kanë firmosur mbi 200 vetë të përmendet çdo sqarim dhe detaj juridik i kërkesës, ndaj dhe për këtë dhe pika e saj e fundit kërkon ngritjen e një komisioni i cili do të përpunojë dhe formulojë juridikisht nenet përkatëse, duke shmangur kështu sa të jetë e mundur problematikat që mund të dalin.

Sigurisht që asnjë ligj dhe asnjë statut që formulojnë njerëzit, sado i mirë të jetë nuk mundet të shmang të gjitha problematikat e mundshme apo ato hipotetike, që mund të dalin në të ardhmen. Por është mëse e sigurt se statuti KMSH në gjendjen aktuale të tij ka ardhur duke u përkeqësuar dhe është nga më skandalozët e mundshëm, sepse favorizon dhe çimenton dukshëm ata që kapin kryesinë e KMSH.

Kështu që:

Së pari, thelbi i kërkesës është i qartë, ai kërkon më shumë zë të imamëve dhe gjithëpërfshirje më demokratike, duke shmangur në maksimum katapultimin siç ndodh tani, qoftë të shumë myftive pa kredenciale dhe përvojë dhe që nuk kanë asnjë lidhje me terrenin ku emërohen, qoftë të anëtarëve të KP që në realitet nuk zgjidhen, por vendosen nga kryesia e KMSH.

Së dyti, KMSH është një institucion komunitar dhe veç kësaj në Islam nuk ekziston një hierarki klerikale e njëjtë si ajo e Kishës Katolike apo Ortodokse, por sigurisht drejtuesit duhet të plotësojnë disa kritere mininale që janë shkolla, dija, përvoja, kontributi etj. Pra drejtuesit e muslimanëve duhet të jenë njerëzit më të mirë të mundshëm mes tyre, por njëkohësisht edhe të zgjedhur dhe përfaqësues real të drejtpërdrejtë të tyre.

Së treti, statuti aktual i ndryshuar disa herë, ka krijuar një qerthull institucional ku juridikisht dhe praktikisht ata që vendosin si myftinjtë, si imamët, po ashtu edhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm (KP) -de fakto- janë vetëm kryesia e KMSH. Edhe kryesia po ashtu vendos vetveten duke emëruar dhe shkarkuar cilin të dojë nga anëtarët e saj me shumicë brenda tyre. KP më pas përdoret thjesht formalisht duke votuar çdo vendim të kryesisë.

Së katërti, është anormale që imamët të mos zgjedhin apo së paku t’iu merret mendimi dhe propozimi për myftiun, i cili mbi të gjitha punën kryesore e ka me imamët dhe xhamitë që ai ka nën juridiksion. Që myftiu të zgjidhet dhe propozohet nga imamët dhe pastaj p.sh. të miratohet nga KP apo Kryesia, pas përmbushjes së kritererve përkatëse nuk ka asgjë të keqe dhe asgjë anti-ligjore apo antistatuore dhe asnjë absurditet logjik apo juridik.

Së pesti, në statutin aktual anëtarët e KP propozohen vetëm nga myftiu ndërkohë që Këshilli i Myftinisë voton vetëm ato opsione që jep myftiu. Myftiu nuk lejon dhe pothuajse nuk merr parasysh asnjë propozim nga anëtarët e Këshillit të Myftinisë dhe votimi bëhet i hapur, që do të thotë se myftiu praktikisht propozon dhe zgjedh formalisht atë që ai do apo ka vendosur kryesia e KMSH.
Në realitet mjaft myftinj, siç më kanë thënë edhe vetë, detyrohen të propozojnë apo vendosin më saktë, për anëtarë të KP vetëm ata njerëz të cilët ua propozon kryetari i KMSH apo anëtarë të kryesisë. Ata janë gjithë kohën nën presionin e tyre për të vendosur pikërisht këta njerëz si përfaqësues të myftinisë. Ata myftinj që i rezistojnë këtij presioni janë shumë pak.
Nëse nuk besoni në fjalët e mia jeni të lirë të pyesni të gjithë myftinjtë për ta provuar këtë gjë.

Së gjashti, është krejt absurde dhe jo e drejtë që myftini p.sh. si Lezha, Përmeti apo Skrapari, të përfaqësohen në KP me të njëjtin numër anëtarësh (dy, myftiu + një tjetër) ashtu si edhe Durrësi, Kavaja dhe Elbasani, ndërkohë që si numri i besimtarëve ashtu dhe numri i xhamive në këto myftini është shumë herë më i madh sesa i atyre më sipër. Po ashtu p.sh. edhe Myftinia e Tiranës ka shumë pak (6 anëtarë) nëse nisemi nga numri i besimtarëve apo xhamive që ka në të.
Se kujt të dhëne apo satistike mund t’i referohemi për numrin e përfaqësuesve të çdo myftinie, është çështje teknike e diskutueshme që vendoset nga Këshilli i Përgjithshëm, si të jetë më e arsyeshme.

Së shtati, ndarja e myftinive është bazuar në ndarjen territoriale të dikurshme të Shqipërisë, pra në bazë të rretheve. Sot kjo ka ndryshuar dhe kemi bashki dhe qarqe. Ndërkohë aktualisht kemi p.sh. Kavajën myftini dhe bashki, ndërkohë që Rrogozhina dhe Shijaku edhe pse janë bashki janë shfuqizuar disa vite më parë së qeni myftini, edhe pse kanë xhami dhe besimtarë në masë të konsiderueshme.
Ndërkohë së fundi Kryesia e KMSH ka bërë dy myftini të reja, atë të Vorës dhe Kamzës, të cilat janë bashki, dhe nuk bien më poshtë sesa myftinitë që përmenda të cilat u shkrinë para disa vitesh. Kështu që mbi çfarë baze disa bashki kanë myftini dhe disa jo? Atëherë ka nevojë që myftinitë të riorganizohen pikërisht në bazë të ndarjes së re territoriale të Shqipërisë duke mos rënë kështu ndesh me atë që thotë vetë statuti.

Së teti, shumë aspekte të tjera të statutit të cilat nuk mund t’i përmend të gjitha, siç është emërimi i imamëve dhe kriteret përkatëse për të qenë i tillë, dhe të tjera detaje, do të mbeten ashtu siç janë në statut, duke përmirësuar apo rregulluar ndonjë aspekt të nevojshëm.

Së nënti, KMSH duhet të jetë institucioni komunitar gjithëpërfshirës përfaqësues i muslimanëve të këtij vendi, dhe në veçanti i atyre që falen në xhami, sepse mbi këtë bazë dhe frymë është ndërtuar, duke nisur që nga këshillat e xhamive. Kështu që ai duhet të pasqyrohet demokratikisht po kështu edhe në drejtimin e tij, qoftë në kryesinë e KMSH qoftë në KP. Asnjë pakicë, sot apo në të ardhmen, qoftë kjo ideologjike apo klanore e caktuar, nuk mund t’i imponohet shumicës, kundrejt asnjë justifikimi sektar, me përjashtim të kuadrit të përgjithshëm të të qenit sunij. Po kështu brenda këtij kuadri, asnjë shumicë sot ose në të ardhmen, nuk mund të përjashtojë nga KMSH asnjë pakicë që i përket të njëjtit kuadër të përgjithsëm sunij, pavarsisht ndarjeve medhhebore. Vetëm në këtë mënyrë mund të kemi një institucion gjithpërfshirës dhe dinjitoz, për aq sa është e mundur.

Dhe së fundi, e përsëris se çdo ngërç apo pikëpyetje teknike juridike që mund të krijojnë kërkesat tona, në thelb të drejta, zgjidhet dhe rregullohet përmes konsultimit dhe përpunimit juridik nga një komision i veçantë për këtë gjë. Ndërkohë të hedhësh poshtë këto kërkesa apo t’i quash ato të pamundura dhe të ngreshë objeksione se si do të jetë në të ardhmen, nëse ndodh kështu e ashtu, ndërkohë që aktualiteti i statutit de fakto dhe de jure është në gjendje mjerane ulëritëse, më duket ose dashakeqësi që kërkon të sfumojë në vetete këtë kërkesë të drejtë dhe të betonizojë ilegjitimitetin aktual të përfaqësimit, ose është nxitim dhe moskuptim apo dëshirë për të kapur çdo gabim apo paqartësi të mundshme.

Ndërkohë, edhe njëherë, ashtu siç e kam thënë dhe stërthënë dhe kam theksuar për vite radhë, jam për gjithpërfshijre dhe përfaqësim legjitim dinjitoz, kështu që çdo akuzë apo shpifje që thotë të kundërtën i kam lënë Zotin.

Vetëm fjala dhe ligji i Allahut është i përsosur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit