Brigadat Al-Kasam, krahu ushtarak i lëvizjes Hamas, kanë njoftuar për vrasjen dhe plagosjen e 19 ushtarëve të ushtrisë izraelite në qytetin Rafah, në jug të Rripit të Gazës, gjatë dy operacioneve të ndara.
Në një deklaratë në Telegram, sot të enjten, Al-Kasam bëri të ditur se luftëtarët e saj kishin shënjestruar një “forcë inxhinierike sioniste me 12 ushtarë, e cila po përgatitej të kryente një shpërthim brenda një shtëpie pranë kryqëzimit Al-Fedai në lagjen Tanur, në lindje të qytetit Rafah”, duke përdorur dy raketa kundër personelit dhe mjeteve të blinduara.
Deklarata shton se sulmi shkaktoi një “shpërthim të madh brenda shtëpisë dhe viktima të shumta midis ushtarëve, mes të vrarëve dhe të plagosurve”, ndërsa u raportua ulja e helikopterëve të ushtrisë izraelite për evakuimin e viktimave.
Një video tregonte ushtarë të plagosur duke u transportuar në spitalin “Soroka” në Izrael.
Gjithashtu, pamje të tjera treguan helikopterë të ushtrisë izraelite duke u nisur nga qyteti Rafah përgjatë rrugës bregdetare, drejt veriut të Rripit të Gazës
⸻
Në një deklaratë të veçantë, Brigadat Al-Kasam njoftuan se kishin shënjestruar një forcë tjetër në kuadër të serisë së operacioneve të quajtura “Dyert e Ferrit”.
Në deklaratë thuhej se luftëtarët e Al-Kasam-it kishin arritur “të godasin një njësi këmbësorie sioniste prej 7 ushtarësh me një mjet shpërthyes shumë të fuqishëm në afërsi të xhamisë Omar ibn Abdul Aziz në lagjen Tanur, në lindje të qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës”.
Deklarata shtonte se luftëtarët e tyre kishin vëzhguar “copëzimin e trupave të disa ushtarëve të okupatorit në vendngjarje”.
Më herët gjatë së enjtes, Brigadat Al-Kasam njoftuan se luftëtarët e tyre po përballeshin me “përleshje të ashpra dhe nga një distancë shumë e afërt me ushtarë dhe mjete të armikut në zonën e inkursionit në lagjen Jenina, në lindje të qytetit Rafah” në jug të Rripit të Gazës.
Burimi: Al Jazeera Mubasher
