4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Drejtori i Byrosë me pagë 5 mijë euro

Më të lexuarat

Blerim Pushkolli ia kalon Presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Mustafa dhe të gjithë ministrave të Qeverisë se Kosovës.

Edhe pse mban pozitë më të ulët se krerët e shtetit, ai paguhet hiq më pak se 5 mijë euro në muaj. Kjo është sa dyfishi i pagës së presidentit dhe trefishi i pagës se kryeministrit. Ndërsa shumëfish më shumë se paga mesatare në Kosovë, prej 350 eurosh.

Blerim Pushkolli është drejtor i Byros Kosovare të Sigurimeve. Me këtë pagë ai del të jetë drejtori më i paguar në Kosovë, shkruan Gazeta Fjala.

Ndërkohë, zgjedhja e tij në këtë pozitë dy muaj më parë u përcoll me reagime nga drejtuesit e kompanive të sigurimeve, derisa Auditori i Brendshëm i Byros e ka cilësuar si të jashtëligjshme zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Gazeta Fjala ka parë vendimin me të cilin Asambleja e përgjithshme, e cila është në përbërje të 12 kompanive të sigurimeve, vendos për pagën e drejtorit ekzekutiv. Në vendim paga e Pushkollit është 4 mijë euro, kurse 1 mijë euro tjera paguhet si anëtar i Këshillit Administrativ të Byros.

Me statutin e Byrosë, nenin 15, Drejtori ekzekutiv i Byros është edhe anëtar i Këshillit Administrativ.

“Këshilli Administrativ përbëhet prej gjashtë (6) anëtarëve, katër (4) anëtar të zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme, Drejtori Ekzekutiv i Byrosë sipas detyrës zyrtare dhe një (1) anëtar pa të drejtë vote i zgjedhur nga BQK-ja”, thuhet në statutë.

Paga mujore e anëtarëve të këshillit është 1 mijë euro.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Fjala, kryesuesi i këtij këshilli, Rrahim Pacolli.

“Po, anëtarët e këshillit paguhen 1 mijë euro në muaj”, ka thënë shkurtë Pacolli.

I kontaktuar nga gazeta Pushkolli është arsyetuar me volumin e punës si Drejtor i Byros Kosovare të Sigurimeve. Ai ka thënë se paga e tij është negociuar mes tij dhe Asamblesë.

“Byroja është instutcion shumë i rëndësishëm. Na presin shumë punë, siç është ajo për kartonin e gjelbër. Unë e kam pranuar këtë detyrë pas përvojës së madhe që e kam”, ka thënë Pushkolli.

Pushkolli, njihet si afërt me ish-ambasadorin e Kosovës në SHBA, Akan Ismailin dhe Bujar Musën aksionarë në IPKO, njëherësh të dy pronarë të kompanisë së sigurimeve “Scardian”, në të cilën Pushkolli ka qenë drejtor.

Kompanitë e sigurimeve në hall me shpenzimet e Byros

Byroja Kosovare e Sigurimit me statut është organizatë profesionale me cilësinë e personit juridik e themeluar për qëllime joftimprurëse. Shpenzimet e saj i mbulojnë anëtarët, që janë 12 kompanitë e sigurimeve që operojnë në tregun e Kosovës.

Byroja e Sigurimeve menaxhon edhe me sigurimin kufitar, ku të hyrat vjetore shkojnë mbi 10 milionë euro.

Por kompanitë e sigurimeve duket se kanë rënë në hall me shpenzimet marramendëse në këtë institucion. Të punësuar aty janë mbi 100 persona derisa rroga mesatare varion rreth 1 mijë euro.

Gazeta Fjala mëson për një takim të javës së kaluar mes kompanive të sigurimeve dhe udhëheqësve të Byros. Në këtë takim drejtuesit e kompanive kanë kërkuar që trajtimi i dëmëve për palët dhe sigurimi kufitar t’iu kalojnë atyre nën menaxhim dhe jo sic ka qenë deri më sot, në kompetencë të Byros.

“Kemi menduar që këto shërbime t’i kryejnë ndërmjetësuesit financiar. Edhe janë më efektive edhe ndikon në uljen e shpenzimeve”, ka thënë njëri nga anëtarët e asamblesë.

Sipas tij, kundër kësaj ka dal të jetë zëvëndësdrejtori në Byro, Gani Thaçi, vëllau i presidentit Hashim Thaçi.

“Ka mbetur të mbahet edhe një takim tjetër dhe të shihet se cfarë do të vendoset”, ka thënë ai. /Gazeta Fjala/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit