9.7 C
Pristina
Monday, May 13, 2024

Djepa mes katër rrugësh – Ervin Hatibi

Më të lexuarat

Djepa mes katër rrugësh

Ervin Hatibi

Infermieri

Votimi me këmbë! E vërteta cinike e suksesit a mossuksesit të vendit, më mirë se me fjalë, shprehet me numra të saktë. Si një tjetër shenjë e kohës, edhe në këtë kategori numrat shtypin fjalët, me këmbë – numra të njehur zyrtarisht me këmbët që kapërcejnë pikave të kufirit, pro a kundër, në regjistrin e ardhjeve aikjeve. Përllogaritje nga institucionet vendase e ndërkombëtare bien dakord për më shumë se një milion shqiptarë të Shqipërisë vendosur jashtë, që me rënien e diktaturës. “Shqipëri, 38 përqind e popullsisë jeton jashtë vendit” – lexon një titull i mirinformuar te Zëri i Amerikës,në shkurtin e këtij viti. Por edhe këto shifra nuk e tregojnë dot të plotë përmasën e votimit kundër vendit pasi masa e të ikurve nuk është e barabartë me të atyre që do të kishin ikur, po të mos kishte qenë kaq vështirë. “Larg nga Shqipëria, Sondazhi: 60% e të rinjve shqiptarë duan të ikin një orë e më parë” – thotë një titull në gazetat elektronike, duke iu referuar një studimi të një fondacioni gjerman, “Friedrich Ebert”.

Shqip i thonë dhe “nga sytë këmbët”. Sytë vazhdojnë e qëndrojnë qepur gjithnjë e më fort prej më së paku 70 vjetësh, gjithnjë e më ekskluzivisht përtej detit në Perëndim – intensiteti i vështrimit kolektiv dekadash është ngurtësuar pasarelë mbi horizontin ku kapërcejnë shqiptarët, dikur duke rrezikuar edhe jetën, herë prej kufitarëve vendas, më pas dhe prej atyre të huaj, dikur nëpër tela me gjemba, pastaj mes dallgëve në Otranto, më pas prej temperaturave në kamionët frigoriferikë, për shembull, ku vijon të transportohet i fshehtë gjaku ynë i freskët, tej La Manshit. Përherë duhet kapërcyer det, edhe kur çaje telat me gjemba në djerrina, përherë del një tjetër përpara, edhe kur kapërcen të parin, vijon një tjetër, shtatë dete kaptuar deri sa t’i ikësh disi vendit tënd. Këto kohë të kundërrevolucionit deindustrial, tregu legal i punës hap vend vetëm për robotë dhe infermierë, me shqiptarët sigurisht në kampin e infermierëve, maskuar racialisht me bluza të bardha, me kryqin kuptimplotë të kuq, që trafikojnë veten jashtë zonës së rrezikut duke bartur në barelë qytetërimin plak, deri sa ky të vendosë t’ia besojë trupin e vet të trembur makinave, pa kurrfarë ndërmjetësimi. Deri atëherë trupi do të fërgëllojë nga dyshimi, sa herë e prekin duart në dukje thjesht të bardha të infermierit. Vëreni pak tensionin në një transkript nga procesi i gjykimit të kërkesës për azil të një shqiptari në Amerikë, 23 tetor 2007, çështja nr. 06-4062.

[Gjykatësi]: Zotëri, cila është feja juaj?
[Azilkërkuesi]: Unë besoj në Zot.
Gj: A jeni mysliman, a jeni mysliman, i krishterë?
A: Babai im i përket besimit mysliman dhe nëna ime është e krishterë.
Gj: Çfarë e konsideroni ju veten, zotëri?
A: Jam rritur, jam rritur dhe edukuar kur ishin (fjalë e pakuptueshme) kishat apo xhamitë, pa u besuar atyre.
Gj: Çfarë e konsideroni veten sot, zotëri?
A: Njeri i Zotit.
Gj: Zotëri, a e konsideroni veten mysliman?
A: Nuk kam qenë kurrë në xhami apo kishë.
Gj: A e konsideroni veten mysliman, zotëri, po apo jo?
A: Jo.
Gj: Në rregull .

“Infermieria, ‘pasaportë’ për t’u larguar nga vendi” – titullohet një shkrim pak muaj më parë në revistën Monitor. Është një “eksod i madh i infermierëve, i cili është dhe pothuajse sa numri i studentëve që diplomohen gjatë një viti në Fakultetet e Shkencave Mjekësore Teknike […]. Kërkesat për infermierë në vendet e perëndimit, veçanërisht në Gjermani, ka bërë që degët e infermierisë në të gjitha shkollat e larta të plotësohen qe në fazën e parë, ndërsa degët e mësuesisë janë në krizë të plotë. Gjithashtu po rritet kërkesa edhe për teknik imazherie dhe fizioterapist” .

Mësuesia apo infermieria, fizioterapia: në të tilla raste është bërë zakon të citohet prologu epik me Mujin, kur del para komisionit të zanave:

A don forcë, Mujo, me qindrue?
A don luftë, Mujo, me luftue?
A don gjâ, Mujo, a don máll?
A don dije, Mujo, a don gjuhë?

Edhe kësaj here Muji ka zgjedhur degën e pritur, një që ka lidhje si përherë me punët e trupit: Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, infermieri, fizioterapi, “por degët e mësuesisë janë në krizë të plotë”. Emigranti më i madh, po ashtu dhe më i integruari në kulturën tonë, thuajse themeltar tashmë aty, çetobashi i agallarëve të Jutbinës është ngarkuar gjithnjë e më fort në vite me peshën e arketipit të shqiptarit si luftëtar profesionist, të dhunshëm e krenar, dordolec për shfrime pesimizmi sarkastik, deri në pikën që të dyshosh deri dhe mbledhësit e folklorit në fillimet e shekullit XX, në kanë përzier kritikën a dhimbjen e tyre antropologjike, patriotike me zërin e rapsodëve. Kështu kënga e Mujit fillon si më lart me kultin e forcës fizike, vijon me ngadhënjimet kalorësiake trup më trup kundër armiqve në seri dhe përfundon me shpikjen e armës së zjarrit, kur një bari ia shpon pëllëmbën e dorës me plumb, ditën pra kur dija që refuzoi në origjinë zhvlerëson trupin dhe forcën, mund Mujin nga larg. Me zhvlerësimin e burrërisë artizanale prej shkencës dhe teknologjisë, Muji i plagosur, nga luftëtar shndërrohet në infermier, detyrimisht – siç u vu re më lart.

Mbijetesa

Vlen të rikujtohet ngjarja që shpie deri aty heroin sa të zgjedhë forcën mes shpërblimeve që i ofrojnë zanat e malit. Muji, pra, ende bari i ri, ka humbur bagëtinë, e pas saj dhe rrugën në mal, deri sa e zë gjumi e zgjohet nga të qara fëmijësh. Janë të qara që vijnë nga foshnja në dy djepa të braktisur dhe bariut i dhimbsen: Po i pajton tuj i përkundë/ E t’dy djepat i ka vu në gjumë. Kishin qenë fëmijët e zanave, të cilat pastaj vijnë ta shpërblejnë bariun me dhuntitë e tyre. Dhe pse të mos zgjidhte forcën Muji? Meqenëse kënga me bariun etnotipik ka fituar vlera shpjeguese përtej kornizave të veta, përse nuk shpjegohet zgjedhja e Mujit dhe me terrorin përballë dy djepave braktisur në rrugë si dy varre?

Filozofi dhe aktivisti Hysamedin Ferraj, ndonëse nuk e përmend ciklin biologjik të ngritjes e rënies së Mujit, sërish, si ndoshta askush më mirë, denoncon reduktimin te “fizikja, kimikja, shtazorja” të “vetëkuptimit” që ka krijuar mendimi zyrtar shqiptar për kombin. Në traktatin e vet “E pafilozofuara” Ferraj rreshton dhe një antologji përfaqësuese të këtij vetëkuptimi gati-zyrtar, që e emëron “darvinist”.

“Kryetari ‘i përjetshëm’ i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Aleks Buda, i mbajtur dhe si kryehistoriani shqiptar, i përgjithëson kështu arritjet e veta: “Të rrethuar nga perandori të mëdha pushtuese dhe nën presionin asimilues të kulturave që përfaqësonin, shqiptarëve në mesjetë iu desh të përshkonin një rrugë historike të vështirë, për të mbrojtur ekzistencën, gjuhën e kulturën e vet”. Ministër i atëhershëm i arsimit e kulturës, Thoma Deljana: ‘Për popullin tonë një nga popujt më të vjetër të Evropës, gjatë gjithë historisë së tij i është dashur të përballojë stuhi të mëdha, që e kanë kërcënuar me asimlimin ose zhdukjen e tij nga faqja e dheut. Por ai nuk është përkulur asnjëherë dhe ka qëndruar gjithmonë ballëlart, duke çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë’. Historiani i sotëm […] Kristo Frashëri: Dihet se historia shqiptare është … histori e një populli që ka luftuar vazhdimisht për mbijetesë”. Dhe kryeministri i sotëm, Berisha, pajtohet me këtë gjendje mendimi dhe shton me krenari: “ …mirëpo ne jo vetëm mbijetuam …”.

Muji mbi djepat është padyshim një skenar eskplicit mbijetese, ashtu si dhe dëshira e tij e pranuar për forcë trupore – këtu dhe tani – në dëm qoftë dhe të dijeve e pasurisë.

Hysamedin Ferraj, po tek “E pafilozofuara”, bën dhe një përmbledhje kuptimplotë të kronologjisë së shekujve XIII-XIV, ashtu si kjo radhitet nga Selim Islami e Kristo Frashëri në një tekst të historisë së Shqipërisë, të vitit 1959, botim i Universitetit të sapoformuar të Tiranës. Bëhet fjalë për një kronikë të dendur si të ndonjë kampionati futbolli, ku lojtarë të ndryshëm: bizantinët, serbët, normanët, nikeasit, venedikasit, bullgarët, anzhuinët e të tjerë, rreshtuar në perandori, principata a rebelime, kacafyten t’i bëjnë gola sa mundin njëri-tjetrit. Po ku janë shqiptarët në këtë histori të Shqipërisë – pyet Ferraj, pas disa faqesh e shekujsh me radhë thuajse mospërmendjeje të emrit. (Edhe Bismarku me atribuimin famëkeq “Shqipëria, shprehje gjeografike”, ashtu si Engelsi me teorinë e popujve johistorikë, kundërrevolucionarë dihet se ishin ndjekës të Hegelit, sipas të cilit: “Në ekzistencën e një Volk-u ka një qëllim thelbësor për t’u bërë shtet […]; një Volk pa një formacion shtetëror […] në fakt nuk ka pasur histori […]” .) Pse në fakt vetëm fusha e lojës më sipër është “shqiptare” po sigurisht dhe një masë paemër e viktimave në konflikte -dhe e gjitha kjo ende pa ia behur mirë turku. Shqiptarët janë djepet e jetimëve që gjen Muji në rrugë, djepet kanë marrë rrugët. Së këndejmi dhe kulti i forcës për të mbijetuar ose emigrimi për t’i ikur forcës– ose një miks i të dyjave.

“Për arsye të ndryshme, – shkruan historiani Brendan Osswald, – elementë të popullsisë shqiptare, që ndoshta ishte fillimisht sedentare, filluan, në fund të shekullit XIII dhe në fillim të shekujve XIV, të emigrojnë. Një arsye ishin luftërat e vazhdueshme gjatë tri shekujve të fundit të mesjetës mes epirotëve, bizantinëve, anzhuinëve, serbëve, venedikasve në fund dhe turqve, që rrodhën nga pozicioni strategjik i rajonit. Një tjetër arsye ishte shfrytëzimi kolonial i Shqipërisë nga anzhuinët dhe më pas venedikasit, çka bëri që zotërinjtë shqiptarë të shpronësonin fshatarësinë e tyre – për pasojë ata emigruar në jug drejt Greqisë, por edhe nëDalmaci e Itali. Hierarkia katolike gjithashtu luajtinjë rol, e, duke u përpjekur të shndërronte ortodoksët në ritin latin, bëri që disa të emigrojnë. Një arsye tjetër është roli luftarak i shqiptarëve në të gjitha ushtritë e gadishullit, i cili i lejoi ata të përhapen në të gjithë Ballkanin, të sigurojnë tokë nga punëdhënësit e tyre, dhe të sundojnë në territoret që kishin nënshtruar për llogari të të tjerëve. Një arsye e fundit është murtaja e vitit 1347, dhe kriza e përgjithshme demografike në Greqinë e shekullit XIV, e cila u la vendin lirë të shqiptarëve, të cilët u prekën më pak nëpër malësi nga epidemia që kryesisht dëmtoi zonat bregdetare” .

555

Pastaj vijnë shkretimet dhe emigrimi masiv që solli nënshtrimi i vështirë i shqiptarëve nga osmanët, periudhë e njohur dhe qendrore në rrëfimet për kombin. Ikjet deri më tash janë kryesisht prej pasigurisë e dhunës a epidemive, prej shtrëngesës ekonomike, por jo më pak dhe për arsye kulturore e fetare. Për vijimin e historisë së ikjeve, gjithnjë e më tepër specializuar ekonomikisht përmes “zanatit të Mujit”, na mjafton një skicë heroike, ndonëse disi e vjetëruar e me ndonjë pasaktësi, prej një mjeshtri si Fernand Braudel.

“Të tërhequr nga ‘shpata, ari dhe lavdia’ ata linin malet e tyre kryesisht për t’u bërë ushtarë. Në shekullin e gjashtëmbëdhjetë ata do të gjendeshin në Qipro, në Venecia, në Mantovë, në Romë, Napoli dhe Siçili, deri dhe aq larg sa Madridi, ku shkuan për tëparaqitur projektet dhe ankesat e tyre, për të kërkuar fuçi baruti ose pensione për vitet në shërbim, arrogantë, kryelartë, gjithmonë të gatshëm për sherr. Në fund Italia gradualisht ua mbyll dyert dhe kështu kaluan drejt Vendeve të Ulëta, Anglisë dhe Francës gjatë Luftërave Fetare, ushtarë-aventurierë ndjekur kudo nga gratë, fëmijët dhe priftërinjtë e tyre. Principatat e Algjerisë dhe Tunizisë nuk i pranuan, dhe bojarët e Moldavisë e Vllahisë gjithashtu ua ndaluan hyrjen. Kështu që ata shpejtuan në shërbim të Portës së Lartë, siç kishin bërë që dhe më parë dhe ashtu siç do të bënin në një shkallë masive që nga shekulli XIX. ‘Ku është shpata, aty dhe besa’. Ata ishin në krah të kujtdo u siguronte atyre jetesë. Dhe, nëse është e nevojshme, si thotë dhe kënga, ‘pushkën pashait, shpatën vezirit’, ata dilnin për llogari tëvet duke u bërë kaçakë. Nga shekulli i shtatëmbëdhjetë e tutje një numër i madh shqiptarësh, për pjesën më të madhe ortodoksë, u përhapën në Greqi, ku fushuan si mbi territor të pushtuar” .

Para këtij afresku pikaresk, që ndjek një traditë të konsoliduar përkufizimi të shqiptarit në Lindje e Perëndim, nuk është fare për t’u habitur pse ka qenë një kohë bukur e gjatë kur njerëzit donin të ishin shqiptarë, hiqeshin si shqiptarë, silleshin e visheshin si të tillë në role ku rrezikohej dhe jeta. Bëhet fjalë për dukurinë e mirënjohur asokohe në trojet e Perandorisë Osmane e përreth, kur emrin shqiptar (arnaut), antonomazi, “e bartnin si titull profesional trima të zgjedhur serbë, grekë, bullgarë e vllahë, si truproja e pjesëtarë të tjerë shpurash dinjitarësh, të veshur si shqiptarë, që shërbenin kështu, kundrejt pagesës, shërbime luftarake të bëra të njohura prej namit të shqiptarëve” .

Gjatë rënies gati pa mbarim të Perandorisë Osmane është po ashtu e njohur përmasa e përzënies së shqiptarëve nga shtetet e reja ballkanike. Ikja është thjesht dëbim shkaktuar kryesisht drejtpërdrejt prej dhunës, ushtruar prej kundërshtisë etnike e fetare. Eksodi masiv kësaj here është kryesisht drejt Turqisë së sotme, e cila edhe më parë kishte qenë adresë shqiptare syrgjyni (internimesh në grup me qëllim ndëshkimi a ripopullimi territoresh bosh) prej pushtetit, po më shumë emigracioni ekonomik e “ushtarak”, ashtu si dokumentohet prania shqiptare edhe tjetërkund në Lindjen e Mesme e Afrikën Veriore: më e njohur dhe më jetëgjatë e aktive ka qenë e ashtuquajtura “koloni shqiptare” e Egjiptit që do të pasurohej më vonë dhe me mërgatën antikomuniste pas Luftës së Dytë Botërore. Por një pjesë e emigrimit të kohës është dhe “e brendshme”, në kuptimin që shumë prej shqiptarëve të përzënë nga veriu e jugu, njohur për kohën si “muhaxhirë” u ngushtuan në territorin simbolik të shtetit të ri shqiptar, që nga luftërat ballkanike, shtypjet e kryengritjeve në Kosovë, e deri në gjenocidin çam. Daljet nga vetë territori i shtetit shqiptar do të ritmohen më shumë politikisht nga kryengritjet e rebelimet, për të njohur kulm me shndërrimin e luftës kundër pushtimit nazifashist në luftë civile, pas të cilës antikomunistët e mundur do të përpiqen të braktisin vendin.

Me vendosjen e “pushtetit popullor” të Enver Hoxhës arsyet për ikje do të shtohen, në atë masë sa edhe bunkerizimi i vendit do ta pamundësojë ikjen.
Gjithsesi nga viti 1944 i fillimit e deri më atë 1990 të rënies së “pushtetit popullor”, pra: “Gjatë 46 viteve, janë larguar nga vendi ynë, në rrugën e arratisjes dhe të kalimit të paligjshëm të kufirit, individualisht, dhe së bashku me pjesëtarë të familjeve, 13.692 persona, prej të cilëve 988 kanë vdekur”. Shifrat, e sidomos toni që neutralizon të vrarët në kufi, vijnë zyrtarisht nga një raport i ministrit të fundit të brendshëm të diktaturës. (“Me respekt Hekuran Isai, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Ministria e Punëve të Brendshme. Drejtoria I. Nr. 10905 Sekret Ekzemplar nr. 1. Tiranë, më 20.11.1990 Lënda: Për të arratisurit dhe refugjatët” .) Në listën lakonike, veç të ikurve e të vrarëve në ikje, duhen shtuar patjetër edhe mijëra të kapur, burgosur pastaj për tentativë arratisjeje. Kështu dhe numri i atyre që kanë dëshiruar të kapërcejnë, por s’kanë guxuar, duhet gjetur në vijim, shkrirë mes qindramijë shqiptarëve që lëshuan vendin që se diktatura ra, në shifrën e pabesueshme prej një milionë e gjysmë ikanakësh. Meqë arratinë prej Shqipërisë duhet ta llogarisim si një të vetme, si ndonjë armatë të thyer që i ikën frontit prej 1944-ës e deri sot, herë në tërheqje taktike nën krisma, herë me mësymje kur zjarri pushon. Një arrati ende e papërfunduar që priste dhe pret anakronikisht cakun artificial të rënies së diktaturës, si ujërat pas digës që ende akumulohen prej përmbysjeve që prodhoi dështimi i eksperimentit socialist. Një përgjigje tjetër e shpejtë, plotësuese dhe konsensuale, për shkaqet e dështimeve që shpien në këtë ikje pa fund gjendet patjetër rrumbullakosur në pesëqindvjeçarin e sundimit osman, një konstrukt kolosal kohë-hapësinor që mundi të shkërmoqë suksesshëm gjatë rrëzimit të vet të ngadaltë si qytetërim, më shumë sesa perandori. Në ligjërimin politik bile ka pasur edhe tentativa të arrira retorike për ta grupuar në një numër eskatologjik gjithë kohën prej nga arratisen shqiptarët, në 555 vite të errëta, ku veç epokës osmane dhe komuniste, shtohej si fatkeqësi edhe periudha e qeverisjes së parë demokratike në vend, 1992-1997. Fill pas kësaj do duhej të vinte si shpëtimtar në pushtet socialisti Fatos Nano, të cilit dhe i atribuohet kjo gjetje numerologjike; por në fakt ikjet nga dështimi i vendit vetëm sa u shumëfishuan, duke prishur vit pas viti dhe shifrat e numrit të bukur gjithëshpjegues në slotmachine. Megjithatë, shkaqet e ikjeve të sotme më shumë sesa brenda thjesht pesëdhjetë a pesëqind viteve, burojnë ndoshta edhe pak më thellë në histori e sidomos në gjeografi.

Çelnaja

“Mes shekullit XI dhe atij XV – shkruan Alain Ducellier – thuajse gjithë vendet ballkanike kishin kaluar nga statusi i provincës në atë të kombit; kështu kishte ndodhur me Bullgarinë, Serbinë bile dhe Greqinë, nëse do duam ta konsiderojmë Despotatin e Moresë si tharmin autentik të kombit grek. E vetme, Shqipëria përbën vërtet përjashtim, […] fakt që peshonte rëndë deri para pak vitesh në fatin e vendit. Deri në ditët tona, dështimi në vazhdimësi i kombit shqiptar do të përdoret nga fqinjët e tij më fatmirë për të mohuar deri dhe ekzistencën e popullit shqiptar.

Në fakt, besojmë se është pikërisht vendndodhja e Shqipërisë dhe pasuria esaj, pra si të thuash gjithçka që e bënte atë një zonë të preferuar në krahasim me fqinjët e vet, ajo çka ia ka vonuar evolucionin. Në periudhën bizantine, ai aks i madh rrugor që qe Via Egnatia, [m]e zinxhirin e fortifikimeve që hapej drejt perëndimit, në një sistem mbrojtës që kyçte fushën, ndau Shqipërinë më dysh gjatë shekujsh, dhe nuk ështërastësi që kufiri gjuhësor mes gegëve e toskëve ndjek ende përafërsisht këtë përvijim. [N]ëse Via Egnatia qe rruga kryesore transballkanike përgjatë gjithë sundimit bizantin, arsyet ishin natyrore: profili i çelur i brigjeve shqiptare dhe prania e luginave të mëdha, të cilat nga bregu penetronin deri në zemër të gadishullit. Pa shkarë deri në determinizëm gjeografik të tepruar, besojmë se këtu gjendet dhe drama e Shqipërisë: sa kohë Bizanti qe i fortë, mbulimi ushtarak që kyimpononte e pengonte vendin të shqitej nga pushtetii Kostandinopojës; por me t’u dobësuar pushteti bizantin, shpejt u bë pre e të huajve që, përgjatë shekujve, zëvendësoheshin mbi territor […].

Historia e Shqipërisë mes shekujve XI-XIV është pra ajo e një dështimi, çka irriton më shumë prej faktit se gjithë dokumentet që disponojmë flasin për një vend të pasur, shumë më të pajisur në burime natyrore se Dalmacia a Greqia. Por kjo pasuri natyrore nuk mundi ta bëjë vendin të begatë, pse qenë përherë të huajt që përfitonin nga këto burime. Mu në këtë kohë erdhi dhe mësymja turke. Sigurisht, ajo pati boll aspekte negative e shkatërrimtare, por kishte dhe meritën të paraqitej haptas si një ndërmarrje pushtuese, dhe jo më nën format tinëzare që merrnin imperializmat ekonomikë të Raguzës a Venedikut. Faqe këtij pushtimi që kompromentonte ekzistencën e gjithkujt, princat shqiptarë, të paktën përkohësisht, ditën më në fund të bashkohen nën drejtimin e Skënderbeut” .

Televizori

Njerëzit votojnë me këmbë pro vendit a kundër tij, sipas shprehjes së njohur të Leninit, numrat flasin qartë, por metafora del pak nga kontrolli kur flasim me numra për lindshmërinë në vend, si hip e zbret e pse. Nëse Muji bari vesh bluzën e bardhë të mamisë për të rilindur trim përmes dy djepave me foshnjat e sprovës, sot, me shumë mundësi, së pakun njërin prej djepave do ta kish gjetur bosh.

“Edhe pa emigracionin, Shqipëria po shkon drejt shuarjes, shtesa natyrore e popullsisë ra 17% në tremujorin e tretë”– vulos që në titull një artikull nga revista Monitor, në nëntor të vitit të kaluar. “Me numrin e lindjeve që po bie me ritme të larta, shtesa natyrore e popullsisë po tkurrjet ndjeshëm nga njëri tremujor në tjetrin, me ritme dyshifrore. Nëse kësaj tendence i shtojmë dhe emigracionin e rigjallëruar vitet e fundit (sipas OKB-së nga Shqipëria ikin neto 39 persona në ditë), nuk do të jetë e largët dita kur në vend do të mbeten shumë pak njerëz, pjesa më e madhe e të cilëve do të jenë të moshuar“ . Statistikisht, lindjet në vend kanë njohur pikën më të ulët që prej 60 vitesh, me një rënie prej 65% që nga viti 1990, duke zbritur në 1.37 fëmijë për një grua në moshë riprodhuese, nga 2.1 që është caku i domosdoshëm për përtëritjen e popullsisë.Për studiuesit e dukurisë, lindshmëria është ulur po aq sa prej shtypjes ekonomike, në mos më shumë prej besimeve të reja mbi familjen e vogël, shtetin edhe më të vogël, zgjatjen e rinisë individuale për llogari të plakjes sociale, si edhe shkaqe të tjera.

“Këtu mund të përmendja ritmin e lartë të emigracionit të popullatës në moshë riprodhuese. Natyrisht që kjo ka ndikuar në uljen e ndjeshme të lindjeve në Shqipëri. Ndikim ka patur edhe shtyrja e ndjeshme e moshës së martesës. Dikur, në dy ose tre dekada më parë, vajzat 22-25 vjeç e kishin kryer lindjen e parë. Sot ne kemi vajza që edhe pasi kanë kaluar të tridhjetat, akoma nuk e kanë bërë lindjen e parë”, shprehet Prof. Dr. Edlira Haxhiymeri, eksperte e shkencave sociale .

Mund të përfundojmë duke thënë se shkëndija shkaktare për ikjen më të madhe e shterpëruese ende të papërfunduar të shqiptarëve është ndezur pikërisht gjatë viteve të diktaturës komuniste, pas një ngjarjeje epokëndarëse kulturore si ajo e elektrifikimit të plotë të vendit, që erdhi pikërisht pas dy tronditjesh madhore revolucionare: shpronësimit dhe shfetarësimit (e para kishte goditur lidhjet me tokën, e dyta ato me qiellin). Në skemën e re të krijuar, bariu epik gjen në mal jo më ndonjë djep, as zana, por një televizor, rënë aty si meteor, dhe e merr me vete në kasolle. Pamjet e largëta të qytetërimit, destabilizuese, që i vijnë në fakt kryesisht nga jo më larg se Italia e prekshme përballë, pamjet e harmonisë e teknologjisë, bukurisë e mirëqenies, përveçse shfaqin nga ekrani veten, njëkohësisht ndriçojnë mungesën, përzënien e zanave në errësirën antike të kasolles për herë të parë në histori; duke shfaqur mjerimin e rrënimin, kohën e humbur, vonesën e shkrimit e shtetit që ka sjellë copëzimin e bashkësisë dhe territorit e çka ndërtohet mbi copëzim, s’mban, pret të të bjerë mbi krye. Meqë vendi vinte nga një e djeshme e afërt krejt tjetër prej asaj të qytetërimit modern, mungonte një traditë e mirëfilltë e Iluminizmit përkufizues të këtij qytetërimi, Iluminizmit që duhet të çmrekullonte botën, duke ia dorëzuar atë shqisave e arsyes, për t’i hapur rrugën çlirimit e zhvillimit të njeriut. Diçka e ngjashme do të vinte si përmes ndonjë puçi leninist, pra kryesisht përmes elektrifikimit, duke “bërë masë” e shkrumbuar kulturën e papërgatitur të vendit, duke ndriçuar kështu asgjë më shumë veç shtegut për arrati nga gërmadha që digjet. Pa hierarkitë e vlerat e tokës me ato të qiellit, që mezi kishin mbajtur tendosur nga dy skajet vertikalitetin e mbijetesës, deri në mes të shekullit të XX; pa zakonet dhe ritualet, petkat e kodet e kësaj dëshmie mbijetese kryeneçe, përndryshe quajtur shqiptarì, sigurisht që nuk të mbetet veç të trishtohesh para historisë shkruar me kut kombesh të tjera e të ikësh e shkrihesh mes tyre. Ikja e rradhës, masive, ndoshta përfundimtare, këtë herë kishte lidhje ekskluzivisht me një varfëri thuajse krejt metafizike.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit