12.3 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Disa fjalë nga biografia e dijetarit të madh IBN KAJJIM EL-XHEUZIJE

Më të lexuarat

Ai quhet Shemsudin Ebu Abdullah Muhamed ibn Ebu Bekër ibn Ejub ibn S’ad ibn Hariz el Dimashki el Hanbeli. U njoh si ibn Kajjim el Xheuzije, sepse I ati ishte kujdestar (Kajjim) në shkollën “El Xheuzija” në Damask. Lindi në Damask dhe u rrit e u edukua në një shtëpi të përkushtuar ndaj dijes, fesë dhe devotshmërisë. Që në fëmijëri ai iu përkushtua nxënies së diturive të ndryshme, në shumë prej të cilave shkëlqeu, duke u ngjitur deri në shkallën e myftiut, imamit dhe mësuesit. Mësimet e gjuhës arabe i mori nga Mexhudin Tunisi Shafiu dhe Muhamed Baalbaki Hanbeliu. Fikhun e mësoi nga shejhu tij ibn Tejmija, ndërsa hadithin e mori nga ibn Shiraziu. Në diturinë e hadithit ai shkëlqeu, vecanërisht në mësimin përmendësh të teksteve dhe në njohjen e transmetuesve të haditheve, falë kjo kujtesës së fuqishme dhe zgjuarsisë së lartë.
Ka bërë disa udhëtime në Nabuls, Kuds (Jeruzalem), Egjipt dhe Mekë, ku ka shkuar disa herë për haxh. Gjatë këtyre udhëtimeve ka luftuar devijimet e sufijve dhe bidatet në besim dhe në fikh, si dhe ka bërë thirrje për kthimin në rrugën e muslimanëve të parë të mirë (es-selef es-salih).

Ibn Kethiri ka thënë për të: “Vazhdimisht merrej me dijen, ditë e natë. Falej shumë dhe lexonte shumë Kuran. Kishe moral të lartë dhe ishte shumë i dashur, nuk mbante mëri dhe nuk kishte smirë askënd.”

Hafidh Ibn Haxher e përshkruan kështu: “Ishte mendjeshkathët dhe me zemër të guximshme, me dituri të gjerë, i njihte mirë divergjencat, po ashtu edhe mendimet e të parëve.”

Sujuti ka thënë: “Ai u bë një nga imamët e mëdhenj të tefsirit, hadithit, fikhut, usulit dhe arabishtes”.

Kadiu Burhanuddin el Zeri ka thënë: “Nuk ka nën kupën e qiellit njeri më të ditur se ai. Dha mësim në shkollën Sadrije dhe ishte imam në Xheuzijeh. Me dorën e tij ka shkruar aq shumë, sa nuk llogaritet. Ka shkruar me dorën e tij shumë libra, në fusha të ndryshme. Kishte shumë dashuri për kërkimin, shkrimin, leximin, përhapjen dhe përpilimin e diturisë. Kishte dashuri edhe për pajisjen me libra. Zotëronte aq shumë libra, sa askush tjetër nuk i kishte.”

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) ka vdekur në muajin rexheb të vitit 751 h (1352 e.s). Namazin e xhenazes ia falën në Xhaminë Umavij, ndërsa trupin ia varrosën në varrezat e Portës së Vogël në Damask.

Ibn Kajjimi la pas shumë vepra që e kanë bërë atë të shquar anëekënd botës islame. Nga veprat e tij më të njohura janë:

  1. “I’lamul Muvakki’in ‘an rabbil ‘aalemin ( Lajmërim për nënshkruesit në emër të Zotit të botëve).
  2. “Igathetul-Lehafan” (Ndihma ndaj të dëshiruarit)
  3. “Beda’iul Feua’id (Dobi unikale)
  4. “Et Tuhfetuk Meudud fi Ahkamil Meulud”
  5. “Ed Da’u ued Dava” (Sëmundja dhe ilaqi)
  6. “Hadil Eruah ile Biladil Efrah” (Udhërrëfyesi i shpirtit në botën e gëzimeve)
  7. “Zadul Me’ad” (Rezerva për jetën tjetër), si dhe shumë vepra të tjera, disa prej të cilave janë botuar e disa të tjera kanë mbetur ende dorëshkrime.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit