Kapitali dhe thesari i vërtetë i dijetarit janë nxënësit e tij. Ata janë tregtia e tij më fitimprurëse, sadakaja e tij e vazhdueshme, trashëgimia e dijes së tij dhe jeta e tij që nuk shuhet pas vdekjes. Ata janë ndikimi i tij i qëndrueshëm edhe pasi ai largohet nga kjo botë.
Prandaj është thënë:
“Dijetari matet dhe vlerësohet përmes nxënësve të tij.”
Shembulli i Shejh Ibn Uthejminit
Në këtë rrugë të ndritshme ka ecur Shejhu ynë, Muhamed ibn Salih el-Uthejmin Allahu e mëshiroftë – i cili kurrë nuk i dha përparësi vetes mbi nxënësit e tij, qofshin të rinj apo të moshuar. Me përulësinë e dijetarëve të mëdhenj, ai thoshte:
“Ata vijnë tek unë, e unë të mbetem pas tyre?!”
Ai ishte për nxënësit e tij një baba në mëshirë, një udhërrëfyes në mençuri dhe një mësues që bashkonte vendosmërinë me dinjitetin, drejtësinë me butësinë. Zemra e tij ishte e gjerë, e hapur për të gjithë, e mbushur me mëshirë dhe e rrethuar nga falja, pa u kufizuar kurrë nga bujaria e Allahut të Lartësuar.
Shpërblimi i sinqeritetit
Allahu nuk e zhgënjen dijetarin e sinqertë, i cili kohën e tij ia kushton dijes, pasurinë e tij përhapjes së saj dhe pozitën e tij mbrojtjes së saj, duke i vënë të gjitha këto në shërbim të nxënësve të tij. Sepse Allahu, i Cili është Bujari Absolut, kur sheh sinqeritet, dhuron me bollëk; kur sheh përkushtim, e bekon, e shton dhe i jep fryte.
O dijetarë dhe njerëz të virtytshëm:
Mos kurseni asnjë përpjekje për nxënësit tuaj. Jepuni dije që udhëzon, këshillë që ringjall zemrat, mbështetje që lartëson dhe ndihmë në nevojat e tyre, sepse përmes tyre Allahu hap dyer suksesi që nuk shihen. Ata do të jenë për ju thesar në varre, dritë në librat e veprave dhe dëshmitarë të sinqertë në Ditën kur njerëzit do të dalin para Zotit të Botëve.
Fitimi i qartë
Gëzohuni Allahu ju mëshiroftë sepse e mira do t’ju paraprijë, shpërblimi do t’ju ndjekë, bekimet do të zbresin në shtëpitë tuaja, qetësia do t’ju mbushë zemrat, përmendja e mirë do të përhapet në gjuhët e njerëzve dhe lutja e sinqertë do të ngrihet për ju në një natë për të cilën nuk dini asgjë. Dhe kjo, pasha Allahun, është fitimi i qartë.
Mësojuni familjeve tuaja, fëmijëve tuaj dhe atyre që ju rrethojnë vlerën e nxënësve tuaj dhe pozitën e tyre tek ju, në mënyrë që të mësojnë të çmojnë dijen dhe bartësit e saj.
Trashëgimia e gjallë
Banorët e qytetit Unajzës i nderuan nxënësit e Shejh Ibn Uthejminit Allahu e mëshiroftë i ndihmuan ata dhe ua lehtësuan çështjet e tyre. Kështu u bë e njohur fjala: “Ky është nga nxënësit e Shejhut.”
Sot, nxënësit e Shejhut janë të shpërndarë në mbarë botën, nga lindja në perëndim, thirrës drejt së mirës dhe bartës të dijes së dobishme; njerëz me mendje të qëndrueshme, të përkushtuar në kërkimin dhe përhapjen e dijes, të angazhuar me të dhe duke punuar në fushat e saj.
Ndërsa ata që merren me fjalë boshe dhe humbje kohe, mbeten pa ndikim dhe pa gjurmë.
Shkroi: Kadiu Fahd Al-Ammari
Përktheu: Hoxhë Vendim Plaku
