8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Dashuria për Atdhe

Më të lexuarat

Dr. Shefqet Krasniqi

Në aspektin psikik isha i përgatitur të shkruaja për një temë krejt tjetër, megjithatë, teksa po dëgjoja radion disa vargje për Ismail Qemalin dhe atdheun përshkuan shpirtin tim. Ndaj, në kujtesë mu rikthyen gjithë ato sakrifica të mëdha që i kanë bërë ata burra të mëdhenj që ne shqiptarët të gëzojmë sot lirinë, pra qe edhe ne të kemi shtet sikur kanë popujt e tjerë.

Gjithsesi mu kujtua edhe komandanti legjendar Adem Jashari –Zoti e shpërbleftë– dhe sakrifica e madhe e tij dhe shokëve të tij. Gjithë ai gjak që u derdh, gjithë ai mund që u dha për liri. Mu kujtua lufta, shokët, bashkëluftëtarët, ndaj shpirti më tha se duhet të shkruaj diç për atdheun, për vatanin tonë, për tokën tonë. Andaj këta rreshta po i shkruaj nga thellësia e zemrës, nga dashuria e madhe që kam për vendim tim, për mëmëdheun, për të cilin jo rastësisht ka thënë Çajupi:

Mëmëdhe quhet toka,
Ku më ka rënë koka,
Ku kam dashur mëmë e atë,
Ku më njeh dhe guri i thatë,
Ku kam pasur shtëpinë,
Ku kam njohur Perëndinë…

Paksa e çuditshme sesi njeriu instinktivisht është i lidhur me atdheun e vet, kjo lidhje është e rrënjosur thellë në shpirtin e çdo njeriu, i cili ka shpirt të pastër, apo sadopak ka ndjenja të shëndosha. Këtë lidhje dhe dashuri vet Zoti e ka mbjellë në trupin e njeriut, në gjenet e tij, në shpirtin e tij që kur e krijoi njeriun. Mu për këtë, gjejmë se secilit njeri i duket vendi i vet më i mirë se çdo vend tjetër në botë. Gjejmë mërgimtarët, ani pse jetojnë në kushte shumë më të mira sesa në vendin e tyre dhe në ndonjë vend më të zhvilluar se vendi i tyre, se fshati i tyre, por megjithatë vendi i vet, siç thotë populli i ngreh, i tërheq, përmallohen për të, përmallohen edhe për ferrat e baltën e fshatit dhe çdo gjë tjetër. E si të mos e dojë njeriu mëmëdheun e tij, ku nga ai dhe e ajo tokë është krijuar, ku në atë vend për herë të parë ka parë diellin me sytë e tij, ku ka lozur, ka qeshur e ka qarë, ku është njohur me më të dashurit e tij, ku ka mësuar shkronjat e para të abetares. Andaj nuk e teproj kur them: Edhe dielli i atdheut tënd disi të rrezit më mirë sesa ai i vendeve tjera, ani pse kjo botë ka vetëm një diell.

Këtë e kam provuar edhe vet sa e sa herë kur kam qenë në kurbet gjatë shkollimit dhe atë në vendet më të shenjta e më të dashura tek muslimanët, Mekën e Medinën, por megjithatë malli për atdhe kurrë nuk mu hoq. Sa e sa herë e kam potencuar se vendi ynë për neve shqiptarëve është vendi më i bukur në botë, është më i dashuri, është më i miri. Andaj duajeni o të dashurit e mi atdheun tuaj. E dashuria ndaj atdheut nuk është vetëm, fjalë goje, apo vargje të shënuara në libra, porse ajo duhet të zbërthehet në praktikë. Dashuria ndaj atdheut përpos që kërkon që ta duam shumë, kërkon edhe sakrificë për të, kontribut të vazhdueshëm për t’i sjellë atij çdo të mirë dhe të largojmë çdo të keqe prej tij.

Dashuria ndaj atdheut kërkon prind të mirë, i cili edukon fëmijët e tij në frymë të shëndoshë, në rrugë të drejtë. Kërkon mësues të mirë, i cili edukon nxënësit dhe i mëson në formën më të mirë të mundshme. Kërkon bujk që punon tokën mirë dhe me vullnet, kërkon punëtor administrate që u kryen shërbime qytetarëve me ndërgjegje të plotë. Kërkon hoxhë, i cili punon natë e ditë për vetëdijesimin e shoqërisë, i lidhë njerëzit me fenë dhe atdheun e tyre duke u shpjeguar atyre rëndësinë e atdheut, ruajtjes së tij dhe kultivimit të vlerave në të. Kërkon politikan i cili nuk merr postin për tjetër pos që t’i shërbejë popullit të vet, heq keq vet vetëm e vetëm që populli të jetë i lumtur. Kërkon tregtarë e biznesmenë të mirë, të cilët synojnë ta përparojnë vendin e ta zhvillojnë atë ekonomikisht. Kërkon gazetarë të mirë, të cilët mbrojnë vlerat e popullit dhe i përhapin ato. Kërkon policë e ushtarë të mirë që mbrojnë vatanin me dinjitet nga çdo e ligë e mundshme. Pra kërkon një sensibilizim gjithë-popullorë të çdo individi. Dashuria ndaj atdheut nënkupton që interesi i shtetit, pra i atdheut dhe i shoqërisë të jetë parësor dhe mbi interesat personale.

Andaj gjejmë se në Islam mbrojtja e atdheut, me pasuri e me trup, është parim i fesë, dhe numërohet xhihad, respektivisht kontribut i shenjtë, i cili gradohet lart dhe shpërblehet shumë nga Zoti. Mu për këtë, sipas mësimeve të Islamit, shehidët-dëshmorët nuk vdesin. Nga ana tjetër, sipas mësimeve të Islamit tradhtia ndaj shtetit, respektivisht bashkë-atdhetarëve, është ndër mëkatet më të mëdha. Ata që nuk e duan atdheun e tyre, ata që punojnë për të keqen e popullit dhe të shoqërisë së vet ata nuk i do as Zoti Fuqiplotë, siç ka theksuar Kur’ani famëlartë:

[B]“Vërtet Allahu nuk i do tradhtarët!” (Enfal, 58)[/B]

Tradhtarët do të ringjallën në Ditën e Kiametit të dëshpëruar e të privuar nga mëshira e Zotit, siç ka potencuar profeti Muhamed (alejhi selam).

Tek ne sot thuajse të gjithë pretendojnë se janë atdhetarë, patriotë, se të gjithë kanë parasysh interesin e qytetarit. Kur dëgjojmë fjalët të mbushet mendja se ky vend do të lulëzojë brenda një mandati, por realiteti na tregon diçka krejt ndryshe. Ndaj, a konsiderohet se e do atdheun ai politikan, i cili nuk mendon tjetër vetëm se si të arrijë në pushtet që t’i mbush xhepat e të bëhet milioner për pak vite?  A konsiderohet se e do atdheun ai mjek, i cili e lë pacientin të vdes pse nuk i paguan ‘bakshish’? A konsiderohet se e do atdheun ai mësues, i cili nuk e ka dert se a po mësojnë apo përfitojnë nxënësit e studentët, por me rëndësi është t’i ecë paga. A konsiderohet se e do atdheun ai tregtar a biznesmen që importon produkte të prishura apo të dëmshme për popullin e vet, vetëm se ka përfitime materiale? A konsiderohet se do atdheun e vet ai gazetar, i cili gjatë tërë kohës përhap anti-vlera nëpër medie? A konsiderohet se e do atdheun ai qytetar, i cili thotë se nuk me intereson se jam i këtij vendi apo shet shtetësinë për pak lekë? Apo qytetari tjetër, që për shkak të dështimit të tij personal, mendon që këtë shoqëri duhet ndryshuar rrënjësisht, përfshirë fenë, gjuhën, kulturën e traditat, duke vrapuar pas kulturave dhe shteteve kinse më të avancuara? A konsiderohet atdhetar ai, i cili ka luftuar, por sot në liri uzurpon, keqpërdor dhe kërcënon njerëzit? Më thoni ju lutem a konsiderohen të tillët atdhetarë e patriotë, apo mos vallë ka ndonjë titull tjetër që u përshtatet më shumë? Më besoni se do të kisha shumë dëshirë që kësaj radhe të mos ia qëlloja. Por po kam frikë se po ia qëlloj, e po më dhemb zemra, në veçanti kur shoh popujt e tjerë se si e duan atdheun e vet, si e ruajnë me fanatizëm atë që është e tyre, e madje sakrifikojnë veten dhe interesat individuale për interes të shtetit.

Ne e kemi fituar lirinë dhe pavarësinë, por se a do të dimë ta ruajmë atë, këtu është shqetësimi im! Kjo mbetet të shihet, por një gjë po e shohim se nuk është ka shkon mbarë, e Zoti është i madh e i mëshirshëm mund të dërgojë njerëz të mençur e vizionarë, që të vetëdijesohemi si popull, se përndryshe mendoj se keq i kemi punët. Një gjë nuk do mend, nëse dashuria për atdhe është vetëm fjalë boshe, vargje e këngë me çifteli, atëherë ne jemi të parët. Allahu na drejtoftë e na udhëzoftë, e na bëftë të sinqertë. Amin dhe deri në javën e ardhshme me një temë tjetër, selam alejkum.

/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit