13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Charlie Hebdo: një vështrim kritik!

Më të lexuarat

Vrasja e 12 personave në Paris, ndër të cilët kryesisht punëtorë të gazetës satirike Charlie Hebdo,  ka ngjallur indinjatë të paprecedent në Francë. Në një klime ksenofobie në rritje, akte të tilla do kenë efektin e shumëpritur nga djathta ekstreme franceze, por edhe me tej, europiane në tërësi. Të nesërmen e aktit, një grua myslimane ka humbur fetusin e saj katër mujor pasi që është rrahur nga dy të rijnë në rrethinat e Parisit; raportime mbi sulme në xhami të ndryshme të Francës janë bërë menjëherë; një sasi eksplozivi është hedhur në një dyqan; një sulm tjetër ndaj një 17 vjeçari është raportuar në Isere.  “Akte kriminale” i kanë quajtur persekutorët lokal.Sulmi në Paris është  “11 Shtatori i Frances” tha Eric Zemmour. Mbetet të shohim çfarë do te prodhoj ky cilësim.(!)

Për të evituar keqkuptimet, fillimisht dua të nënvizoj se këtu nuk bëhet fjalë për përligjje të këtyre akteve dhe se lexuesi ftohet të krijojë një distancë midis vrasjes dhe diskutimit ideor të propozuar nga ky artikull.

Satirikja Charlie Hebdo ka një histori më shumë se dhjetë vjeçare të përplasjes, jo vetëm me komunitetin mysliman, por edhe me atë krishterë – jo me atë çifut, ngase, siç thoshte i ndjeri Charb, “çifutët nuk bëjnë krime të tilla siç bëjnë myslimanët dhe të krishterët fanatikë”. Mirëpo aktet e fundit, pothuajse e kanë shenjtëruar vet gazetën, edhe pse në shumë qarqe franceze Charlie Hebdo është parë si një gazetë raciste. Mbi këtë pikë vë theksin edhe Richard Seymour në shkrimin e tij të fundit te Jacobin. Duke dënuar vrasjen e gazetarëve dhe artistëve, ai thotë se duhet ndarë mbështetja e gazetës satirike Charlie Hebdo nga vrasja e ndodhur dje. Charlie Hebdo është gazetë raciste dhe duhet marrë për të tillë, por kjo nuk justifikon në asnjë mënyrë vrasjen e gazetarëve dhe artisteve të saj, qofshin ata edhe racist kronik. Sidoqoftë, akti terrorist në Charlie Hebdo është me siguri karikatura më e shëmtuar e Islamit, e “vizatuar” nga vet dorasit.

Pas riprodhimit të parë të karikaturave të një gazete – Jyllands-Posten –  të së djathtës ekstreme në Danimarkë, Charli Hebdo (deri atëherë e cilësuar si gazetë e majtë) ishte subjekt i një debati të madh rreth lirisë së fjalës, lirisë për të ofenduar, për të shkelur mbi ndjesitë e tjetrit, blasfemisë etj. Shumë shpejt elita franceze qe mobilizuar në mbështetje të gazetës, për ta ruajtur “lirinë e fjalës” nga “barbarët” që dëshironin ta heshtnin atë. Në këtë debat “liria e fjalës” përçohej sikur të ishte e Drejtë Absolute.

Skenografia e karikaturave ka pasur kryesisht për objekt ‘islamin’ , myslimanët’ dhe ‘të huajt’, ata që për familjen Le Pen dhe Partinë Popullore Daneze , si dikur çifutët për Hitlerin, janë “problemi i madh Francës” apo “i Danimarkës”. Shumë vëzhgues kane qenë të mendimit se analiza e karikaturave shpalos nënkuptimet raciale: ngjyra, raca, veshjet, përgjithësimet etj. Ishin ato që shumë veta i çonin drejt tek subjekti i përulur i Francës, neo-francezi me origjinë ‘afrikanoveriore’ i strukur në qoshet e Parisit, i cili në realitetin francez ishte diku në rendin e fundit të hierarkisë klasore.Morfologjia e ‘blasfemisë’ së karikaturave Daneze dhe atyre te Charlie Hebdo ka qenë thellësisht racializuese.

Në rreshtin e mbrojtësve më të zellshëm të lirisë së Charlie Hebdo-së kanë qenë shumë nga intelektualët francez përfshirë edhe Alain Finkielkraut, André Glucksmann dhe Bernard Henri-Levy, ashtu si ministri i atëhershëm Nicholas Sarkozy e funksionarë të tjerë të Republikës. Liria për të ofenduar, pohonin ata, ishte esenca e Francës së Volterit dhe Diderosë, dhe pengimi i saj do konsistonte në gjunjëzimin e Francës përpara forcave “barbare” e “obskurantiste”. Teza idealiste, mjaft interesante. Po a kanë qëndrueshmëri?

Për ironi, ajo që do të shfaqë inkoherencën e shumë liberalëve, të cilët mbronin vrullshëm shenjtërinë e “lirisë së fjalës”, do të jetë rasti i  humoristit francez Dieudonne M’bala, humori i cilit është akuzuar për trajta antisemitizmi. Humori i tij, me të gjitha fetë dhe me sionizmin, ka tërhequr vëmendjen e komunitetit çifut të Francës dhe të funksionarëve të shtetit. Shumë shpejt ai u shndërrua në një objekt stigmatizimi kryesisht nga konservatoret çifutë, por edhe liberalët. Pas kësaj fushate stigmatizimi Dieudonne e shtoi dozën e ironisë së tij, që disa zëra mund ta konsideronin si “antisemitizëm më i dukshëm”. Saga e tij vazhdon edhe sot.

Sidoqoftë, spektaklet e Dieudonne janë ndaluar në disa qytete të Francës dhe ndalimi i tyre ka gjetur mbështetjen e Francois Hollande dhe një mori funksionarësh të tjerë, ku mes të cilëve spikat ministri i Punëve të Brendshme, Manuel Walls, që e kryesoi fushatën, ashtu si mjaft intelektualë. Këta të fundit, të cilët vite me parë kishin mbrojtur të drejtën e satirës së Charlie Hebdo për të ushqyer publikun francez me karikatura, ironikisht ishin më të zellshmit në të zellshmit në pengimin e Dieudonne. Finkielkraut, megjithëse thërret vlerat e Republikës së Volterit, e quajti “katastrofik” dhe “shokues” humorin e Dieudonne, si dhe mbështeti pa kompromis ndalimin e spektakleve të tij. Me të njëjtin avaz e dënoi edhe Bernard Henri-Levy. Ja pra sesi liria për të ofenduar dhe liria e humorit racist përfundon aty ku ironizohet mbi semitizmin, ndërsa përkthimi i saj në semantikë islame është e drejta e fjalës së lirë!

Është  e pamundur të mos dallohet një standard i dyfishtë në raport me atë se si mendohet ‘liria e fjalës’. Satira e Charlie Hebdo-së, sikurse Dieudonne, përqesh të gjitha fetë (por jo hebraizmin, ndryshe nga Dieudonne), në mënyrë të veçantë myslimanët e Islamin dhe ata që në zhargonin francez vazhdojnë të quhen “les immigres”. Shënjestra e Charlie Hebdo-së është ‘myslimani’, i portretizuar si i dhunshëm dhe barbar, i cili ngadalë po pushton Francën dhe po e shndërron në shtet islamik: një diskurs mjaft i njohur në analet e të djathtës ekstreme. Ndërkaq për Dieudonne, shënjestra e satirës ishte ‘hebreu’, “gënjeshtari” dhe “mashtruesi”, “koprraci” e “hipokriti”; për Charlie Hebdo-në shënjestra është ‘myslimani’, pushtuesi potencial i Francës. “barbari” e “i dhunshmi”, “i rrezikshmi” e “i tejseksualizuari”.

Për liberalët francezë racizmi i të dyja palëve nuk duket njëlloj në raport më shenjtërinë e fjalës së lirë. Volteri gjunjëzohet nga vetë liberalët, që mbrojnë shenjtërinë e lirisë së Charlie Hebdo-së, kur diskursi sillet te humoristi Dieudonne. Ka natyrisht dallime strukturore midis humorit të Dieudonne, këtij ‘neo-francezi’ nga Kameruni, i cili sulmon me humorin e tij kryesisht establishmentin dhe memorien e vetë Francës, ndryshe nga Charlie Hebdo, i cili godit ata që janë poshtë apo ata “të shkretët”, siç thoshte aktori dhe i majti i përhershëm Guy Bedos.

E tërë kjo inkoherencë nuk ka kaluar pa u vërejtur nga disa liberalë më besnikë, të cilët kanë kritikuar qëndrimet e dyfishta të shtetit në raport me lirinë e fjalës.  Dhe sigurisht që ky standard i dyfishtë është parë nga ‘imigrantët’ si vazhdim i dhunës simbolike që shteti francez ushtron mbi ta në mënyrë sistematike. Si është e mundur që një humor racist/përjashtues/stigamtizues të mbështetet nga instancat më të larta të shtetit bashkë me një grumbull elitistësh francez kur është fjala për racizëm kundër ‘imigrantëve’ me prejardhje nga Afrika Veriore, ndërkaq të njëjtat instanca veprojnë sikur njësite speciale kur subjekt i humorit racist janë hebrenjtë? Çfarë e bën të kufizueshme lirinë e fjalës te njëra, që nuk e bën te tjetra? Natyrisht, e kaluara kolaboracioniste e Francës, ka bërë që muhabetet rreth hebrenjve të jenë tepër të ndjeshme, dhe në të njëjtën kohë kompleksi kolonial i Francës e bën më të “lehtë” për publikun francez kalimin e humorit racist anti-magrebin, anti-afrikan e islamofobik. Vet Franca projektonte imazhin e tillë mbi ta, dhe Charlie Hebdo i ishte bërë krah po atij projektimi racializues. Por Franca nuk ka histori më të ndershme me kolonitë e saja. Në fakt, mund të argumentohet se ajo është më shumë e përlyer me krimet e kolonializmit dhe skllavërisë sesa me Holokaustin. Por  fundja a duhet, me të vërtete,  që qëndrimet rreth humorit racist të përkufizohen në varësi të tragjedive paraprijëse ? Trajtimi transvestit i ‘antisemitizmit’ dhe ‘islamofobisë’ (apo meqë ky term duket kontrovers, ‘anti-muslimanizmit’), a bëhet i pranueshëm ngase njëri subjekt nuk ka përmbushur ende ‘kushtin’ e tragjedisë ? Apo, a është e vërtet se njëmend nuk e ka përmbushur edhe atë kusht ? Apo thjeshtë, disa ‘çifutë’ qe nuk janë çifutë, nuk kanë forcën e duhur për të thirrur mbi tragjedinë e tyre aq sa ndjesitë e tyre të konsiderohen sikur ato të çifutit të vërtetë

Kornizat normative rreth ‘lirisë së fjalës’ në Francë nuk gjejnë aplikim të barabartë. Charlie Hebdo, në vitin 2008 përjashtoi nga puna satiristin Maurice Sinet, nga më të talentuarit e Francës, kur ky satirizoi judaizmin, duke paraqitur të birin Sarkozy-së sikur konvertohej në judaizëm për përfitime financiare, i karikaturuar: një hebre i cili numronte paratë, figurë e njohur në projektimet naziste të hebreut. Kjo kishte mjaftuar që artisti të përjashtohej me pretekstin e ‘antisemitizmit’. Ish-gazetarja e Charlie Hebdo-së, Caroline Fourest, është dënuar vitin që shkoi për shpifje ndaj disa vajzave myslimane; në 2013 ish-punëtori i Charlie Hebdo-së (1992-2001), Olivier Cyran, pohoi se largimi nga gazeta satirike lidhej me adoptimin prej saj të qëndrimeve raciste dhe islamofobike.

Edhe investigimi mbi të njëjtat karikatura i bërë nga Kombet e Bashkuara i konsideroi ato të një karakteri ‘racist’ dhe ‘ksenofobik’. Satirizimi i me simbolet fetare kategorizohet si ‘blasfemi’, por vizatimet ekzagjeruese të cilat portretizonin figurën stereotipike të myslimanit konsistojnë në ‘racizëm’. Pastaj kur merret në konsideratë situata tashmë e disfavorshme e “emigrantëve” myslimanë në Francë, ndërmarrja e Charlie Hebdo-së, ndryshe nga satira klasike,  mund të kuptohet më shumë si një goditje drejt plebenjve sesa drejt pushtetit. Prandaj është e nevojshme të demistifikohet soliditeti i ‘lirisë së fjalës’ dhe të vihet në vëmendje lundrimi i një pjese të zyrtarëve të shtetit dhe liberalëve të cilët mbronin karakterin e përgjithshëm të karikaturave të Charlie Hebdo-së në emër të pacenueshmërisë së ‘lirisë së fjalës’, ndërkaq e dënonin atë ne rastin e Dieudonne.

Në Francë liria e shprehjes ka një gjeometri të lakueshme, siç mund të vërehet kur bëhet fjalë për manifestimet publike. Manifestimet kundër karikaturave u ndaluan në Francë në vitin 2012, por më shumë se kaq, në korrikun e kaluar Franca u bë shteti i parë evropian i cili ndaloi manifestimet pro-palestineze, ndërsa nuk më kujtohet që Franca të ketë ndaluar manifestimet pro-Frontit Nacional.

Para se të përfundoj, do doja të sillja në vëmendje një rast interesant nga eksperienca naziste. Në vitet ’30, gazeta gjermane Der Stuermer i përshkruante hebrenjtë si “viruse”, “insekte”, “parazitë”, dhe portreti mbizotërues i hebreut ishte ai i njeriut “të shkurtër”, “të shëmtuar”, “të trashë”, “pervers”, “hundë-kërrabë” etj. Menjëherë pas luftës, Gjykata e Nurembergut e dënoi Julius Streicher-in për krime kundër njerëzimit, për shkak të publikimit të gazetës. Sipas akuzës, qëllimi kryesor i Sreicher-it kishte qenë nxita e urrejtjes ndaj hebraizmit dhe njëra nga mënyrat e realizimit të saj kishte qenë bashkimi i gjuhës së urrejtjes me seksualitetin, duke ofruar vizatime të tipit ‘Adult Only’ mbi perversitetin seksual të hebreut. Shumë nga përshkrimet e bëra nga Der Stuermer korrespondojnë me fizionominë e disa karikaturave të Charlie Hebdo-së.

Prandaj, krahas dënimit të vrasjes së gazetarëve-artistë të Charlie Hebdo-së (por edhe të dhjetëra gazetarëve të tjerë të vrarë nga bombat e Boshtit të së Mirës, Boshtit të qytetërimit që lufton ‘barbarinë’, e vrasja e të cilëve nuk ka ndjellë kurrë një indinjatë të ngjashme), mendoj se aq sa duhet mbrojtur ‘tytën’ e humorit, aq duhet thirrur edhe për një gazetari me dinjitet dhe përgjegjësi, një gazetari e cila është kritike edhe ndaj vetvetes dhe qe për objekt kryesor do te kishte krijimin e një hapësire me te mire ku përmes satirës, kritikes dhe analizës i drejtohet fillimisht autoritetit qendror te të pushtetit. Një satire e cila do drejtohej para se gjithash drejt pushtetit politk i cili riprodhon padrejtësinë dhe garanton shtypjen.

Autor: R. Skopi

Mund të ‘riprodhohet’ me kusht të shenimit përcjellës me burimin “Marrë nga: [referenca; linku]” .

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit