6.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Çfarë të bëjmë kur jeta nuk është e mirë?

Më të lexuarat

“Cfarëdo e mire që të vjen është nga Allahu, e çka të ndodhë nga ndonjë e keqe është nga vetë ti. Ne të dërguam ty Pejgamber për mbarë botën. Mjafton që Allahu është dëshmues për këtë.” [En-Nisa: 79]

Nuk është e lehtë që menjëherë të shihet madhështia e mesazhit në këtë ajet. Mirëpo, pasi ta fus ajetin në fjalë në kontekst, më vonë gjatë shpjegimit , kuptimi i tij do të qartësohet shumë shpejt. Por, në fillim, do t’i përshkruaj disa çështje të caktuara në jetën e muslimanit ku besimi i tij në Allahun testohet atëherë kur disa nga lukset e kësaj jete i merren. Për shembull, Allahu i Lartësuar ndodh ta testojë besimin e dikujt duke e bërë Islamin të duket si diç që e mban atë larg pasurimit , apo marrëdhënieve me miqtë. Apo, ndodh ta sprovojë atë në shëndet dhe pasuri dhe të shohë nëse ai edhe nën rrethana provuese ngelet musliman i mirë. Prandaj, rregulli i artë është se në çdo kohë, muslimani ndodhet nën ankth; besimi i tij testohet nga Allahu. Sa herë që e gjeni veten duke u sprovuar në jetë, kujtojeni këtë rregull të artë: është sprovë nga Allahu, andaj mos dështoni në këtë duke e braktisur fenë për hatër të kënaqesisë së kësaj bote. Po ashtu, kujtojeni se do të shpërbleheni për durimin gjatë sprovave, siç citohet në hadithin ku i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, asnjë besimtar nuk goditet me ndonjë pikëllim, vështirësi apo brengë e që Allahu mos ta pastroj nga mëkatet – madje edhe gjemba që e shpon.” (Shënon Ahmedi 2:203, hadith sabih)

Andaj, sa herë që sprovoheni, mbajeni në mend se shpërbleheni në të njëjtën kohë. Tani, para se të përpiqemi të gjejmë zgjidhje në jetën tonë, duhet t’i kuptojmë shkaqet e vërteta të problemeve tona.

Çfarë vallë nënkupton ajeti të cilin e citova në faqen paraprake: “Çfarëdo e keqe që u ndodh është nga vetja juaj,”? Përgjigja: të gjitha problemet në jetën tonë burojnë nga vetë ne. Dhe cila vepër e jona i krijon këto probleme?

Përgjigja: mëkatet tona. Kjo mund të dëshmohet përmes hadithit vijues, të cilin e regjistron Ahmedi ku Aishja r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Nëse një person bën shumë mëkate dhe nuk ka asgjë me të cilat mund t’i shlyejë ato, Allahu do ta sprovojë me pikëllim, i cili do t’ia shlyej ato (mëkate).” (Shënon Ahmedi, hadith sahih)

Andaj, të gjitha problemet tona në këtë jetë janë si pasojë e mëkateve që i bëjmë. Kjo mund të jetë paksa e vështirë që të gëlltitet fillimisht, por dua që të shikoni më thellë në jetën tuaj dhe të gjeni shembuj që e dëshmojnë këtë deklaratë. Në fillim edhe për mua ishte e vështirë që ta pranoja këtë fakt, por pas një studimi, isha në gjendje të gjejë një lidhje direkte mes problemeve në jetën time dhe mëkateve që i kam kryer.

Tani e dimë se cili është shkaku kryesor i të gjitha problemeve në jetën tonë, por cila është zgjidhja? E thjeshtë – por përsëri e panjohur për shumë muslimanë. Atë që do t’ua them tani, ka potencial që t’i zgjidhë të gjitha problemet e jetës suaj. Zgjidhjet dypalëshe për të gjitha problemet jetësore, jepen më poshtë:

1. Kërkoni falje të sinqertë për të gjitha mëkatet e kryera dhe betohuni se do t’i korrigjoni rrugët d.m.th., nuk do të mëkatoni sa të keni mundësi.

2. Shfrytëzojeni kohën dhe përmirësojeni cilësinë e adhurimit.

Megjithatë, ka një mesazh shprese për të sprovuarit dhe ata që ballafaqohen me kohëra të vështira. Surja vijuese iu shpall të Dërguarit a.s. derisa po kalonte nëpër vështirësi në jetën e tij: “Pasha paraditën! Pasha natën kur shtrinë errësirën! Zoti yt nuk të ka lënë, as nuk të ka përbuzur. Dhe se bota e ardhshme është shumë më e mirë për ty se e para. E Zoti yt do të jepë ty, e ti do të kënaqesh. A nuk të gjeti ty jetim, e Ai të bëri vend (të dha përkrahje). Dhe të gjeti të paudhëzuar e Ai të udhëzojë. Dhe të gjeti të varfër, e Ai të begatoi. Pra, mos e përul jetimin! As lypësin mos e përzë! E me të mirat që të dha Zoti yt, trego (udhëzo njerëz)!” [Ed-Duha: 1-11]

Kur sprovohet muslimani, ai ndjehet sikur Allahu i Madhërishëm ia ka kthyer shpinën. Në ajetin e tretë, Allahu u thotë besimtarëve se kjo nuk është e vërtetë. Dhe Allahu premton se së shpejti do të jemi të kënaqur.

Fjala e fundit

Kur sprovoheni nga Allahu, mos harroni të jeni të durueshëm dhe ta kujtoni Xhenetin si një motivim për t’u bërë ballë vështirësive, pa e humbur besimin. Dhe kujtojeni se zgjidhja e të gjitha problemeve në këtë jetë është pakësimi i mëkateve, pendimi dhe shtimi i veprave të mira. Kur ndieni nevojë për rritje të moralit, filloni dhikrin (përmendjen e Allahut), leximin e Kur’anit dhe gjithashtu hidhjani një shikim ajeteve sihariqe nga Kur’ani që t’u ndihmojnë gjatë kohërave të vështira.

/Muhamed Bilal Lakhan/ “Mësime jetësore nga Kurani famëlartë për muslimanët e shekullit 21”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit