Çfarë ndodh pas daljes së shpirtit?

Më të lexuarat

1– Shpirti i besimtarit del lehtësisht ndërsa shpirti i jobesimtarit dënohet me vështirësi në daljen e tij. *

2– Shpirti i besimtarit del me erë si misku më i mirë që ekziston, ndërsa shpirti i jobesimtarit del me erën më të keqe të ndonjë ngordhësire që mund të ekzistojë. *

3– Besimtarit i del shpirti ndërkohë që ai falënderon Allahun e Lartësuar.

Pejgamberi, salAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Shpirti i besimtarit del nga brendësia e tij, derisa ai është duke e falënderuar Allahun.””Sahih el Xhami”, nr. 1927.

4- Kur merret shpirti sytë e ndjekin atë, kjo bazuar në fjalën e Pejgamberit salAllahu alejhi ve sel-lem i cili ka thënë: “Kur merret shpirti sytë e ndjekin atë.” Muslimi.

5- Engjëjt i hapin të gjitha dyert e qiejve njëri pas tjetrit për shpirtin e besimtarit, dhe të gjitha dyert i hapen atij. *

6- Dyert e qiellit nuk hapen për jobesimtarët. *

7- Allahu i Lartësuar urdhëron që shpirti i besimtarit të kthehet përsëri në tokë pasi libri i tij të jetë regjistruar në Ilijjin (vendin e lartë). *

8- Shpirti i jobesimtarit hidhet përsëri nga qielli derisa të bier në trupin e tij, pasi libri i tij të jetë regjistruar në sixhin (vendin më të ulët).

9- I vdekuri e ndien praninë ngushëlluese të njerëzve të mirë tek varri i tij gjatë varrosjes, për një periudhë kohore të barabartë me kohën e nevojshme sa për të therur një deve dhe për të shpërndarë mishin e saj.

Siç transmetohet se Amër Ibën el Asi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: “Kur të më varrosni qëndroni rreth varrit tim për kohën që do të duhet për të bërë kurban një deve dhe për të shpërndarë mishin e saj, në mënyrë që të ngushëllohem nga prania juaj dhe të shoh se si do t’u përgjigjem të dërguarve të Zotit tim.” Muslimi.

10- Shtrëngimit të varrit askush nuk do t’i shpëtojë.

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve, transmeton se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nëse dikush do shpëtonte nga shtrëngimi i varrit ai do të ishte Sead bin Muadhi, por edhe ai u shtrëngua në varrin e tij e pastaj u lëshua.””Sahih el Xhami”, nr. 5182.

11- Aftësitë mendore do t’u rikthehen të vdekurve në varr.

Abdullah Ibën Umeri, Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve, tregon se në momentin kur i dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem përmendi engjëjt sprovues të varrit, Umeri pyeti: “A do na rikthehen aftësitë tona mendore o i Dërguar i Allahut? I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem i tha: Po, ashtu siç janë tani. Umeri tha:(Engjëllit) Do t’i vë një gur në gojë!”

”Sahih tergib ve terhijb” vëll. 4, me sened të mirë.

Ndërsa kuptimi i fjalës së Umerit kur tha: “Engjëllit do t’i vendos një gur në gojë”, e tha duke u nisur nga mendimi pozitiv për Allahun e Lartësuar për përgjigjen e mirë që do u jepte atyre (engjëjve).

12- I vdekuri i dëgjon hapat e shokëve të tij kur largohen prej tij. *

13- Kur merret në pyetje i vdekuri? Marrja në pyetje fillon menjëherë pas varrimit. Profeti salAllahu alejhi ve sel-lem sa herë që varroste dikë, qëndronte tek varri dhe u thoshte njerëzve: “Kërkojini Allahut që t’a falë vëllain tuaj dhe kërkojini Atij që t’i japë forcë, sepse ai po merret në pyetje pikërisht tani.”Ebu Daudi. Shif: ”Sahih el Xhami” me nr. 958.

14- Dy engjëj vijnë për të pyetur (të ndjerin).

15- Emrat dhe përshkrimi i dy engjëjve që vijnë për t’a pyetur (të ndjerin).

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur të varroset i vdekuri do t’i vijnë dy engjëj me ngjyrë të zezë dhe blu. Njëri quhet Munker dhe tjetri Nekir. Ata do t’a pyesin: Çfarë ke thënë për këtë njeri? Ai do të thotë: Atë që thoshte vetë ai: “Ai është rob dhe i dërguari i Allahut. Unë dëshmoj se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.” Ata do të thonë: “Ne e dinim se këtë do të thoje…” Tirmidhiu. Shif: “Sahih el Xhami”, nr. 737. Hadithi është i mirë.

16- Allahu do t’i ndihmojë dhe forcojë besimtarët në varr.

I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: Kur besimtari të ulet në varrin e tij ai do të dëshmojë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Ky është dhe kuptimi i ajetit:

يُثَبِّتُ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ بِٱلْقَوْلِ ٱلثَّابِتِ فِى ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا وَفِى ٱلْـَٔاخِرَةِ ۖ

“Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër.”|Ibrahim: 27| (Buhariu).

17- Besimtari do të përgjigjet ndërsa jobesimtarit do t’i merret goja.

18- I drejti (i miri) para se të pyetet do qëndrojë pa frikë në varrin e tij, ndërsa njeriu i keq do qëndrojë në varrin e tij i tmerruar para se të merret në pyetje.

Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “Një grua hebreje erdhi dhe kërkoi ushqim në pragun e shtëpisë sime, duke thënë: Më ushqeni, Allahu ju ruajtë nga sprova e Dexhalit dhe sprova e dënimit të varrit! Aishja tha: E mbajta këtë grua aty derisa erdhi i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem të cilin e pyeta: O i Dërguar i Allahut, çfarë po thotë kjo grua hebreje?

Ai më tha: çfarë është duke thënë? – Unë i thashë: Ajo thotë: Allahu ju ruajtë nga sprova e Dexhalit dhe nga sprova e dënimit të varrit! Aishja tha: I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve se-lem u ngrit dhe çoi duart e tij (në lutje) duke kërkuar strehim tek Allahu nga sprova e Dexhalit dhe sprova e dënimit të varrit, pastaj tha: Sa i përket sprovës së Dexhalit nuk ka patur asnjë Pejgamber që nuk i ka tërhequr vërejtjen popullit të tij kundër tij. Por unë do t’ju tregoj diçka për të cilën asnjë Pejgamber nuk e ka paralajmëruar popullin e tij më parë. Ai (Dexhali) është me një sy e Allahu nuk është me një sy. Mes syve të tij është e shkruar [fjala] ‘Kafir’ të cilën do t’a lexojë çdo besimtar. Sa i përket sprovës së varrit (i vdekuri) do të sprovohet me mua dhe do të pyetet për mua.

Nëse ishte njeri i mirë ai do të vendoset në varrin e tij pa patur frikë e as tmerr, pastaj do pyetet: Çfarë thoje për Islamin? Kush ishte ky njeri që erdhi mes jush? Ai do të thotë: Ai ishte Muhamedi i Dërguari i Allahut i cili solli argumentet e qarta nga Allahu, prandaj ne i besuam atij.

Atij do t’i hapet një çarje përmes së cilës do të shohë zjarrin e Xhehenemit ku pjesët e tij gllabërojnë njëra-tjetrën. Atij do t’i thuhet: Shiko nga çfarë të ka shpëtuar Allahu. Pastaj do të hapet një e çarë përmes së cilës ai do të shohë Xhenetin me të gjitha bukuritë e tij. Atij do t’i thuhet: Ky është vendi yt ku do të qëndrosh. Do t’i thuhet: Ti pate besim të fortë dhe ke vdekur me këtë besim të fortë, dhe do të ringjallesh me besim të fortë në dashtë Allahu.

Nëse ishte njeri i keq do të vendoset në varrin e tij plot frikë dhe tmerr, dhe do t’a pyesin: Çfarë ke thënë? Ai do të thotë: Kam dëgjuar njerëzit duke thënë fjalë dhe ashtu thashë edhe unë. Atij do t’i hapet një e çarë përmes së cilës do të shohë Xhenetin me të gjitha kënaqësitë e tij, dhe do t’i thuhet: Shiko atë që të hoqi Allahu. Pastaj i hapet një e çarë përmes së cilës do shikojë zjarrin e Xhehenemit pjesët e të cilit gllabërojnë njëra-tjetrën. Atij do t’i thuhet: Ky është vendi yt ku do qëndrosh. Ti dyshoje sa ishe gjallë, në dyshim ndërrove jetë dhe do ringjallesh në dyshim në dashtë Allahu. Pastaj ai do të dënohet.” Ahmedi me sened të saktë.

19- Besimtarit do t’i hapet një derë nga varri i tij ku të shikojë Xhenetin. *

20- Jobesimtarit do t’i hapet një derë nga varri i tij ku të shikojë zjarrin. *

21- Besimtari do t’a shohë vendin e tij në Xhenet kurse jobesimtari do t’a shohë vendin e tij në zjarrin e xhehenemit. *

22- Besimtarit do t’i zgjerohet varri aq sa sheh syri, ndërsa jobesimtarit do t’i ngushtohet varri. *

23- Veprat e mira do vijnë në formën e një burri të pashëm të veshur mirë, me parfum të këndshëm i cili do t’i sjellë lajme të gëzuara. Ndërsa veprat e këqija do vijnë në formën e një njeriu të veshur keq që mban erë të keqe, i cili do t’i sjellë lajme që do t’a shqetësojnë. *

24- Jobesimtari do goditet me zinxhir hekuri derisa të bëhet pluhur. * (Pastaj përsëri do rikthehet, e do vazhdojë kështu denimi pa kufi).

Autor: Husejn el Avajshe

Shkëputur nga libri: “Jeta pas vdekjes”.

Përktheu: Fatjon Isufi

 

 

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit