Huckabee (majtas) e ftoi Trump-in që të marrë vendimin e tij ndaj Iranit sipas një frymëzimi hyjnor, sipas fjalëve të tij (Agjencitë)
Presidenti amerikan Donald Trump publikoi sot, të martën, një mesazh që i kishte ardhur nga ambasadori i tij në Izrael, Mike Huckabee, në të cilin ai dukej se e nxiste të bashkëpunonte me Izraelin në luftën kundër Iranit.
Trump shkroi në platformën e tij “Truth Social” se ky është një mesazh “nga Mike Huckabee, prift, politikan, ambasador dhe një njeri i mrekullueshëm”, duke bashkangjitur një foto të mesazhit që dukej se e kishte marrë në telefon.
Në mesazh, Huckabee shkruante:
“Zoti President, Zoti të shpëtoi (nga tentativa për atentat) në Butler, Pennsylvania, që të jesh presidenti më me ndikim i një shekulli, ndoshta i gjithë historisë. Vendimet që të takojnë nuk do doja t’i merrte askush tjetër.”
Ai shtoi:
“Ka shumë zëra që të flasin ty, zoti im, por ka vetëm një zë që ka rëndësi: ai është zëri i Tij (i Zotit).”
Ambasadori amerikan vazhdoi duke thënë:
“Nuk ka pasur asnjë president në jetën time në një situatë të ngjashme me tënden. Jo që nga (Harry) Truman më 1945. Unë nuk po të shkruaj për të të bindur, por vetëm për të të inkurajuar. Unë besoj se ti do të dëgjosh një zë nga qielli, dhe ai zë është shumë më i rëndësishëm se imi apo i çdokujt tjetër.”
Ai e përmbylli mesazhin me fjalët:
“Ti nuk e ke kërkuar këtë moment… ky moment të ka kërkuar ty!”
Izraeli ka nisur një luftë kundër Iranit që nga e premtja e kaluar, duke shënjestruar objekte bërthamore, vendndodhje ushtarake dhe civile, si dhe ka vrarë udhëheqës të lartë ushtarakë – përfshirë komandantin e Gardës Revolucionare dhe shefin e shtabit të përgjithshëm – si dhe shkencëtarë të shquar bërthamorë. Irani ka reaguar me një seri sulmesh raketore që kanë shkaktuar dëme të papara në disa qytete izraelite.
Trump ka theksuar disa herë se Shtetet e Bashkuara nuk janë aktualisht të përfshira në sulmet ndaj Iranit, por ai shkroi dje në “Truth Social” se:
“Të gjithë duhet të evakuojnë menjëherë Teheranin!”
Më vonë ai konfirmoi se pret një “nënshtrim të plotë” nga Irani dhe një “përfundim të vërtetë” të konfliktit, jo vetëm një armëpushim.
Burimi: Al Jazeera
