Butësia hyjnore e Allahut…

Më të lexuarat

Butësia hyjnore e Allahut…

Në një nga korridoret e spitalit specialist në Xheda, ndërsa një baba ishte ulur pranë vajzës së tij, e cila sapo kishte dalë nga seanca e trajtimit për të pushuar pak, mbi të ranë në vetmi dhimbjet e sëmundjes së saj të rëndë dhe hallet e familjes që kishte lënë qindra kilometra larg.

Atij iu kujtua se ishte i varfër, i zhytur në borxhe dhe i huaj pa të afërm e pa njohje në këtë qytet. Me vështirësi kishte arritur në këtë takim; edhe pse trajtimi ishte falas, shpenzimet e udhëtimit e rëndonin shumë dhe i gërryenin të ardhurat e tij të pakta.

Ky burrë ishte futur në ushtri në moshë të madhe dhe nuk kishin kaluar veçse pak vite derisa doli në pension për shkak të moshës. Ishte analfabet, nuk dinte të lexonte e as të shkruante.
U martua në një shoqëri ku traditat e martesës janë të rënda, dhe pati djem e vajza ndërkohë që ende paguante mehrin dhe pasojat e tij — shlyente një borxh me një tjetër, blinte makina me çmim të lartë për t’i shitur lirë që të mbulonte detyrimet… dhe kështu vazhdimisht.

Në atë vend të ftohtë e të heshtur të spitalit,
ku përhapen erërat e dezinfektuesve që na sjellin kujtime frike, mes pleqërisë, dobësisë dhe varfërisë, dhe dhimbjes së vajzës së vogël me fytyrën e lodhur, lotët ishin e vetmja gjë që duhej të shfaqej për ta plotësuar këtë pamje…

Dhe ashtu ndodhi.
Plaku shpërtheu në të qarë.

Nuk ka gjë të keqe kur dallgët shpërthejnë, kur oqeani bëhet i ngushtë këtu nuk ka askënd nga i cili duhet të përmbahesh.

Ndërsa ishte në atë gjendje, dëgjoi një zë që e përshëndeti dhe e pyeti pse po qante.
Ai, i habitur, u përgjigj: “Asgjë, veçse vuajtja e vajzës sime.”

Burri e ngushëlloi dhe i tha: “Mos qaj!
Ti je nga filan rajon, apo jo?
Ne jemi me ty!
Edhe unë jam këtu si ti, për kontroll në spital sepse rashë mbi shpatullën time.
Të gjithë jemi të lodhur, por bëjmë durim.
Çfarëdo që të kesh nevojë, ky është numri im më telefono!”

Dhe u largua…
Ishte princi.

Po, ai që kaloi me nxitim nuk ishte tjetër veçse princi i rajonit nga ku vinte ky burrë.
Princi, që ishte në spital për një problem shëndetësor, vuri re një njeri me tiparet dhe veshjen e njerëzve të rajonit të tij.

Pamja e trishtimit ishte e zakonshme në një spital për sëmundje të rënda si kanceri.

Kur miku im ma tregoi këtë histori, mendimet më çuan në reflektim mbi mëshirën dhe butësinë e Allahut ndaj robërve të Tij…

Në këtë skenë të dhimbshme të një burri pa pozitë, pa pasuri, pa njohje madje i panjohur në të gjithë qytetin Allahu deshi ta ngushëllojë.

Nuk i dërgoi një njeri të zakonshëm për t’ia lehtësuar dhimbjen, por i dërgoi princin e rajonit të tij, edhe pse ai ndodhej në një rajon tjetër.
Erdhi tek ai vetë, në vendin e tij,
përpara dhomës ku priste vajzën e tij,
dhe e ngushëlloi personalisht…

E takoi pikërisht në momentin kur dhimbja e tij po shpërthente pa takim, pa pritje, pa kërkesë.

Askush nuk i bashkon të gjitha këto në një tablo të vetme të “kaderit” (fatit), përveç Allahut, të Butit e të Gjithëdijshmit, Lavdia i qoftë Atij.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit