Si ta bëjmë Kuranin shoqërues të jetës sonë pas Ramazanit?
Sa herë ke thënë: “Këtë vit nuk do ta braktis Kuranin pas Ramazanit”?
Pastaj, si zakonisht, gjithçka u kthye si më parë?
A e ndjen se lidhja jote me Kuranin bëhet shumë e fortë gjatë Ramazanit – e lexon çdo ditë, e ndien në zemër – por pastaj ajo fillon të zbehet dalëngadalë?
Dhe pas Bajramit, fillon të largohesh prej tij?
A je pyetur ndonjëherë pse nuk arrijmë të vazhdojmë me të njëjtin ritëm si në Ramazan?
Problemi qëndron këtu: Në Ramazan, zemrat janë të gjalla, xhamitë janë plot, atmosfera është shpirtërore, mushafët janë hapur, dhe zemrat të lidhura me fjalën e Allahut…
Por pas Bajramit, fillojnë angazhimet, e jeta e përditshme na kaplon sërish. Leximi pakësohet derisa e gjejmë veten përsëri në pikën zero!
Dhe dalëngadalë, pa e kuptuar, e braktisim Kuranin.
Në realitet: Jetojmë me Kuranin vetëm në Ramazan, dhe pastaj e lëmë sikur të ishte vetëm një mysafir sezonal.
E përfundojmë një herë leximin, por nuk kujdesemi që ta bëjmë pjesë të përditshme të jetës sonë.
Harrojmë që Kurani është jeta e zemrës, jo një zakon i Ramazanit.
Allahu thotë:
{Dhe i Dërguari (Muhammedi) tha: “O Zoti im! Populli im e braktisi këtë Kuran.”} [Furkan: 30]
A dëshiron të jesh nga ata që do t’i përmendë Pejgamberit ﷺ me dhimbje në Ditën e Gjykimit?
Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thoshte:
“Braktisja e Kuranit është në disa forma: braktisja e leximit, e meditimit, e veprimit sipas tij, e gjykimit me të dhe e shërimit me të.”
Nëse dëshiron të jesh nga ata për të cilët Pejgamberi ﷺ tha:
“Allahu ka njerëzit e Vet në mesin e njerëzve.”
U pyet: “Kush janë ata, o i Dërguari i Allahut?”
Tha: “Janë njerëzit e Kuranit. Ata janë të Zotit dhe të veçantët e Tij.”
Zgjidhja praktike:
1. Cakto një kohë të përditshme pas Ramazanit për Kuranin, me një sasi të caktuar, ashtu si bëje në Ramazan.
2. Krijo një “plan qëndrimi me Kuranin” – p.sh., një hatme çdo muaj.
3. Merr pjesë në një rreth javor të leximit të Kuranit ose ndiq një komentim ditor të një ajeti – për të ruajtur lidhjen e gjallë me Fjalën e Allahut.
Për të qëndruar i lidhur me Kuranin:
Kujtoje veten gjithmonë: Kurani nuk është për një stinë, por për gjithë jetën!
Kujtoje gjithmonë: Ramazani ishte fillimi, jo fundi!
Ndjeje me zemër: Do të pyetesh Ditën e Gjykimit për lidhjen tënde me Kuranin. A do të jesh ndër ata që e braktisën?
Dhe tani pyetja që lind është:
“Cili është plani yt për të mos e braktisur Kuranin pas Ramazanit?”
Mbaje lidhjen me Kuranin gjithmonë të gjallë – sepse ti ke nevojë për të në çdo çast të jetës tënde!
Kush lidhet me Kuranin, s’ka nevojë për asgjë tjetër.
Nëse Ramazani ishte një mundësi për t’u kthyer te Kurani, mos lejo që Bajrami të jetë fillimi i largimit dhe fundi i kësaj lidhjeje të bukur!
Përkundrazi – bëje një pikënisje të re!
Dije se Kurani nuk është një mysafir i Ramazanit – por është vetë jeta jote!
Shkroi: Muhamed Galidh
Përktheu: Fitim Gërguri
