14.4 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Bota i dërgoi ndihma milionëshe Indisë: Por, pse ato nuk po arrijnë tek ata që kanë më së shumti nevojë?

Më të lexuarat

Ndërsa kriza indiane e coronavirusit doli jashtë kontrolle muajin e kaluar, dhjetëra vende premtuan ndihmë.

Respiratorët, furnizimet me oksigjen dhe ilaçet antivirale filluan të mbërrinin javën e kaluar, ku shumë imazhe kanë treguar ndihma masive duke u shkarkuar në aeroportin e New Delhit, raporton cnn.

Ka vetëm një problem: për shumë ditë, pjesa më e madhe e ngarkesave ulej në hangarët e aeroportit ndërsa spitalet në tokë luteshin për më shumë ndihma, transmeton Telegrafi.

Punonjësit mjekësorë dhe zyrtarët lokal ende po raportojnë të njëjtat mungesa shkatërruese që kanë tensionuar sistemin e kujdesit shëndetësor për javë të tëra – duke ngritur pyetje, madje edhe midis donatorëve të huaj, se ku po shkojnë ndihmat.

Në një konferencë për shtyp të Departamentit të Shtetit të SHBA-së të premten, një reporter pyeti se ku shkojnë ndihmat amerikane, duke kërkuar “përgjegjësi për paratë e taksapaguesve”, sipas transkriptit të informimit. “A është duke u bërë ndonjë gjë për të kontrolluar se si po shpërndahen ndihmat që po dërgojmë?”, pyeti reporteri.

Qeveria indiane mohoi çdo vonesë të martën në mbrëmje, duke thënë se kishte instaluar një “mekanizëm të efektshëm” për shpërndarjen e ndihmës. Gati katër milionë artikuj të dhuruar, që përfshijnë 24 kategori, janë shpërndarë tashmë në 38 institucione të kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin, njoftoi Ministria e Shëndetësisë së Indisë.

Por në terren, shumë autoritete shtetërore dhe lokale pretendojnë se ka pasur pak ose aspak komunikim nga qeveria qendrore sesi ose kur ata do t’i marrin ndihmat.

“Ne dërguam delegacione tek (qeveria) për qartësi në furnizimet me (oksigjen), ilaçe dhe vaksinim, por nuk morëm përgjigje të qartë nga qeveria”, tha Raghu Sharma, ministri i shëndetësisë i shtetit Rajasthan.

“Lidhur me importin ose ndihmën e huaj, asnjë informacion ose detaj i furnizimit nuk është ndarë me qeverinë e shtetit”, shtoi ai.

Qeveria qendrore ka “mbajtur shtetet në errësirë gjatë pandemisë”, shtoi ai, duke bërë thirrje për një “mjedis më transparent”.

Ministria e Shëndetësisë tha të martën se kishte shpërndarë ndihma në dy spitale në Rajasthan, në qytetet e Jodhpur dhe Jaipurit.

Ekzistojnë një numër arsyesh të mundshme për vonesën: burokracia e panevojshme, gabimi njerëzor ose protokolli që kërkon kohë. Por për ata që janë në terren, shpjegimet e tilla të mundshme kanë pak rëndësi; gjithçka që ata duan është që qeveria të ndërmarrë veprime më të shpejta dhe të marrin ndihmën në pavijonet e tyre , ku mijëra njerëz po vdesin çdo ditë.

India raportoi 382,315 raste të reja me coronavirus të mërkurën dhe 3,780 vdekje të lidhura me virusin, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Vendi tani ka regjistruar më shumë se 20.6 milionë raste që nga fillimi i pandemisë.

Mungesat e oksigjenit janë veçanërisht të theksuara në territorin New Delhit, i cili nuk prodhon oksigjenin e vet dhe mbështetet tek qeveria qendrore për të dërguar alokime nga prodhues dhe shtete të ndryshme.

“Është detyra e qeverisë të na sigurojë oksigjen”, tha Dr. S.C.L. Gupta, drejtori i Spitalit Batra në kryeqytetin New Delhi. Të paktën 12 pacientë, përfshirë një mjek, vdiqën në Spitalin Batra të shtunën pasi mbaroi oksigjeni.

Dy nga pesë impiantet e oksigjenit në vend të destinuara për spitalet e Delhit do të funksionojnë të mërkurën, tha Ministria e Shëndetësisë në Twitter. Qeveria ka në plan të krijojë 500 impiante në të gjithë vendin brenda tre muajsh, sipas një deklarate të ministrisë.

Këtë javë, disa nga këto furnizime me oksigjen po dërgohen në shtete të ndryshme të goditura rëndë, në atë që është quajtur “oksigjeni është luks”.

Por derisa të vijnë këto furnizime, qoftë nga burimet vendase, qoftë nga donatorë të huaj, pacientëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të presin, të tmerruar për jetën e tyre. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit