13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Borxhet e Ballkanikëve!

Më të lexuarat

Nga Linda Karadaku

Rritja e huamarrjes publike në mënyrë që të mbështesë ekonominë në një periudhë afatshkurtër është sigurisht zgjidhja e duhur. Sidoqoftë, rritja e huamarrjes zhvendos shumë nga problemet për të ardhmen.

Ashtu si pas luftërave, si pasojë e një rënieje të madhe ekonomike siç është recesioni aktual, një vend duhet të trajtojë problemin e ripagimit të borxhit, ose të paktën uljen e raportit të borxhit të tij publik ndaj PBB-së.

Atëherë, si paguhet kostoja e pandemisë? Për analogji, pyetja është e ngjashme me pyetjen në esenë e famshme të Keinit në vitin 1940 me titullin “Si të paguajmë luftën”. Ekzistojnë tre metoda alternative për të trajtuar një rritje të madhe të borxhit publik siç është ajo që po ndodh gjatë kësaj krize.

Rritja e ndjeshme e taksimit dhe zvogëlimi i shpenzimeve primare të qeverisë menjëherë pas përfundimit të krizës, përmes një politike të kursimit.

Ristrukturimi apo edhe fshirja e pjesshme e borxhit. Rregullimi gradual, i cili në fakt është shtyrja e vazhdueshme e zvogëlimit të ndjeshëm të borxhit, me shpresën që borxhi gradualisht të tkurret në raport me PBB-në përmes rritjes ekonomike dhe inflacionit.

Por çfarë ndodh në vendet e Ballkanit, deri ku kanë arritur borxhet e ballkanikëve dhe sa e rrezikojnë sovranitetin e vendit? Rasti më flagrant është ai i Malit të Zi, ku një borxh i madh kinez, rrezikon edhe pjesë të territorit të vendit.

Mali i Zi

Një institucion financiar evropian është gati për ta ndihmuar Malin e Zi që t’i shlyejë një borxh Kinës, në vlerë prej një miliard dollarësh. Ministri malazez i Financave, Millojko Spajiç, tha se kredia me interes të ulët nga institucioni financiar do t’i mundësojë qeverisë malazeze të bëjë kursime dhe të ulë normat e interesit.. Marrëveshja për sigurimin e kredisë pritet të nënshkruhet nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Ley dhe mund t’u japë fund pasigurive të vazhdueshme rreth borxhit në Mal të Zi.

Mali i Zi ka marrë një miliardë dollarë nga Kina në vitin 2014, për të financuar pjesën e parë të autostradës prej 163 kilometrash, për në Serbinë fqinje.  Brukseli po përpiqet të ndihmojë Malin e Zi përmes një kombinimi midis Bankës gjermane të Kredive të Rindërtimit, Agjencisë franceze të Zhvillimit dhe bankës CDP në Itali.

Kina ka dhënë afërsisht një të katërtën e borxhit të përgjithshëm të Malit të Zi, i cili arriti në 103 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto vitin e kaluar. Pekini është pajtuar që të shtyjë pagesën e këstit të parë të huasë nga Mali i Zi. Kjo pagesë fillimisht është dashur të bëhet në korrik, por është shtyrë për në fund të vitit 2022. Pjesa më e madhe e borxhit malazez është ndaj huadhënësve të huaj, që përfaqëson 91.46% të PBB-së së vendit.

Banka Kineze “Exim” është huadhënësi më i madh dypalësh i Malit të Zi, që përbën 17% të borxhit të përgjithshëm të jashtëm. Arsyeja për një nivel kaq të lartë të borxhit ndaj bankave kineze është një marrëveshje preferenciale kredie e nënshkruar nga qeveria malazeze me “Exim Bank” dhe “China Road and Bridge Corporation” (CRBC) për ndërtimin e një pjese të autostradës Bar-Boljare në 2014, me vlerë më shumë se 943 milion dollarë, me një normë interesi vjetore prej 2%. Në vitin 2019, qeveria malazeze miratoi aneksin e kontratës fillestare për një shtesë prej 30 milion € shtesë për ndërtimin e autostradës.

Për më tepër, Mali i Zi u godit nga ulja e investimeve ruse pasi vendosi sanksione ndaj Rusisë në 2014 në përputhje me BE. Në vitin 2014, Rusia investoi më shumë se 123 milion €, por sanksionet nxitën një shkurtim të investimeve në vetëm 53 milion € deri në 2016. Ndërkohë që investimet ruse u kthyen, duke arritur 99 milion € në 2020, ky hendek ndikoi ndjeshëm në rritjen e borxhit publik.

Ndërkohë që duhej bërë pagesa e parë e kredisë për autostradën Bar-Boljare të planifikuar për në korrik 2021, zëvendëskryeministri, Dritan Abazoviç iu drejtua BE-së për ndihmë në ripagimin e kredisë.

BE i dërgoi një mesazh Malit të Zi duke bërë të qartë që është e përkushtuar të ndihmojë Malin e Zi të jetë në përputhje me standardet e BE dhe të kontribuojë në qëndrueshmërinë e borxhit publik përmes investimeve të qëndrueshme, por shlyerja e huave të marra nga vendet e treta nuk është në diskutim. E gjithë çështja e Malit të Zi është e ndërlikuar. Ekziston një mundësi reale e një kolaterali në favor të Kinës, toka dhe burimet natyrore janë në lojë. Nuk ka asnjë mundësi për të kërkuar arbitrazh ose për ta çuar çështjen në gjyq sepse marrëveshja e nënshkruar përfshin klauzolën që iu jep juridiksionin mbi çdo mosmarrëveshje të mundshme gjykatave kineze.

Një nga zgjidhjet e mundshme mund të jetë një paketë prej 113 milion € e parashikuar për Malin e Zi përmes paketës BE-Banka Botërore, për rimëkëmbjen socio-ekonomike dhe ndihmën makro-financiare, e cila mund të sigurojë hapësirë për frymëmarrjen për Malin e Zi. Më pas, Brukseli duhet të punojë ngushtë me qeverinë e re në Podgoricë për të krijuar një plan afatgjatë dhe më të qëndrueshëm për ripagimin e borxhit kinez. Mali i Zi e uli borxhin e jashtëm në 3.643 miliardë euro në fund të marsit 2021 nga 3.835 miliardë euro që ishte në fund të dhjetorit 2020, por një borxh i ri për ë financuar borxhin kinez prej 1 miliard dollarësh, pritet ta rrisë sërish borxhin e jashtëm të vendit.

Borxhi i qeverisë qendrore të Malit të Zi ishte i barasvlershëm me 77% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të vlerësuar për vitin 2021, krahasuar me 82.48% të PBB-së në fund të dhjetorit 2020.

Ndërsa borxhi i brendshëm u ul në 454.8 milionë euro nga 495.6 milionë euro. Kreditori më i madh i qeverisë malazeze në fund të marsit ishte Banka Eksport-Import e Kinës (EXIM Bank) me 681.3 milion euro, e ndjekur nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) me 186.1 milionë euro.

EULEX Milojko Spajiç, ministër i financave, mali i zi: “Turizmi në Malin e Zi është shumë i rëndësishëm. Shkon në 25 për qind të aktivitetit tonë ekonomik, dhe për shkak të Covid-it dhe për shkak të pandemisë, sektori qartësisht ra vitin e kaluar në mënyrë të jashtëzakonshme. Aktualisht, rënia në vitin 2020, ishte rreth 85 për qind në krahasim me nivelin që patëm në vitin 2019, që ishte një vit rekord për aktivitetin turistik.”

Kosova

Kosova nuk ka probleme me borxhe kineze si Mali I Zi, por ka nevojë të marrë borxh për të dalë nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia e Covid-19.

Sipas Bankës Qendrore të vendit, ekonomia e Kosovës në vitin 2020 shënoi rënie deri në 4 për qind dhe niveli I prodhimit të përgjithshëm bruto është kthyer në nivelin e vitit 2018. Nga ana tjetër, masat e qeverisë që lidhen me krizën e shkaktuar nga pandemia kanë çuar në rritje të borxhit publik. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, borxhi publik ka arritur 1.5 miliard euro për shkak të rritjes së borxhit të brendshëm me 21.5 për qind, duke shkuar tashmë në 961.9 milionë euro, dhe rritjes së borxhit të jashtëm publik me 28.6 për qind, duke shkuar në 525.8 milionë euro. Borxhi publik arriti në 21.8% të prodhimit të përgjithshëm bruto, nga 17.5 për qind sa ishte në dhjetor të vitit 2019.

Sipas ligjeve të Kosovës, shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto.  Për më tepër, rikthimi i ekonomisë së vendit në nivelet e para- pandemisë kërkon vite dhe në rastin e Kosovës, sipas Bankës Botërore, ekonomia e Kosovës pritet të rikthehet në nivelet e para pandemisë në vitin 2022.

Kosova e ka borxhin e jashtëm publik 2.513 miliardë euro. Edhe borxhi i Kosovës ka ardhur në rritje nga viti në vit, teksa në vitin 2019, Prishtina e kishte borxhin e jashtëm në masën 2.2 miliardë euro ndërsa një vit më parë në 2.035 miliardë euro ose rreth 22% e PBB-së.

Serbia

Borxhi publik i Serbisë arriti në 27.7 miliardë euro (33.8 miliard dollarë) në fund të prillit, këtë vit. Borxhi ishte ekuivalent me 55.0% të prodhimit të përgjithshëm bruto të parashikuar për në 2021, nga 57.4% që ishte në fund të vitit 2020, kur borxhi publik arriti në 26.7 miliardë euro.

Deri më tani, Serbia ka huazuar gjithsej 8.37 miliardë euro nga bankat evropiane, duke përfshirë EBRD, EIB, CEB, Banka Gjermane e Zhvillimit dhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), ndërkohë që i ka borxh 1.15 miliardë euro Bankës Kineze EXIM, dhe një total prej 2.66 miliardë euro borxh, qeverive të huaja. Serbia aktualisht ka më shumë borxh në bazë të letrave me vlerë të emetuara në tregun e brendshëm (10,88 miliardë euro) sesa në tregun e huaj (6,16 miliardë euro). Kur bëhet fjalë për borxhin aktual ndaj qeverive të huaja, as BE, as Kina, as Rusia nuk janë në vendin e parë, por Fondi Abu Dhabi, të cilit, Serbia i detyrohet 1.72 miliardë euro.

Serbia ka edhe një borxh prej 2.66 miliardë euro ndaj qeverive të huaja, afërsisht sa Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), së cilës i detyrohet aktualisht 2.19 miliardë euro.

Në fund të tremujorit të parë, borxhi i përgjithshëm publik ishte në 28.1 miliardë Euro, ose 55.7 për qind e PBB-së. Presidenti serb Vuçiç vendosi vijën e kuqe të borxhit duke deklaruar se “pjesa e borxhit publik nuk mund të kalojë 60.5 për qind të PBB-së”.

Rishikimi i buxhetit në Serbi parashikonte një deficit prej 381.7 miliardë dinarësh. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së në fund të këtij viti do të varet nga fakti nëse projeksioni i qeverisë serbe për rritjen ekonomike prej 6% bëhet i vërtetë, baza mbi të cilën u bë rishikimi i buxhetit.

Dragan Djilas, kreu i Partisë për Liri dhe Drejtësi: “Kemi arritur në përfundimin që ato para do të jenë një ditë paradhënie për kredi të shtetit të Serbisë, të cilat, disa breza  që do të vijnë, duhet t’i kthejnë.”

Shqipëria

Qeveria shqiptare vendosi të rrisë deficitin buxhetor të vitit 2021 në 7,1% të prodhimit të përgjithshëm bruto në rreth 1 miliard euro. Borxhi i jashtëm i Shqipërisë ka shkuar në 8.8 miliardë euro nga 8.5 miliardë euro që ishte në fund të dhjetorit 2020 duke u shtuar me rreth 297 milionë euro.

Qeveria Rama vendosi ta çojë borxhin e jashtëm këtë vit në 82.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nëpërmjet një akti normativ që është depozituar në Kuvend, i cili rrit deficitin buxhetor në nivelin 120.5 miliardë lekë (rreth 1 miliard euro) nga 108 miliardë lekë që ishte planifikuar në fillim të vitit.

FMN-ja kishte rekomanduar që Shqipëria të ulte deficitin buxhetor në nivelin e 65 miliardë lekëve ose rreth 500 milionë euro.

Maqedonia e Veriut

Kushtet e financimit në Maqedoninë e Veriut janë përmirësuar për shkak të rritjes së rezervave të këmbimit valutor. Borxhi i lartë publik, ndjeshmëria ndaj goditjeve të jashtme, kufizimet e financimit dhe institucionet e dobëta janë burimet kryesore të rrezikut. Mangësitë në mjedisin rregullator, ekspozimi ndaj detyrimeve në valutë të huaj dhe një përkeqësim i cilësisë së aseteve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit janë burimet kryesore të rrezikut. Struktura ekonomike pasqyron nivele të larta të borxhit publik dhe të jashtëm. Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, Maqedonia e Veriut është e prekshme nga goditjet e jashtme.

Në fund të vitit 2020, borxhi i jashtëm pësoi një ulje të lehtë ë tremujorin e fundit të tij, krahasuar me tremujorin e dytë e të tretë. Megjithatë ka ardhur në rritje nga viti 2008, kur ishte edhe pika më e ulët e borxhit. Borxhi i Maqedonisë së Veriut në tremujorin e fundit të vitit 2020 ishte 6.483 milionë euro ose 59.9% e PBB-së.

Greqia

Pas depresionit të madh të 2008-2016, pas recesionit ndërkombëtar të 2007-2009 dhe krizës së borxhit të 2010, ekonomia greke ka hyrë në një recesion tjetër të thellë ekonomik në vitin 2020. Ndërsa ekonomia dukej se ishte në një rimëkëmbje modeste që nga viti 2017, u godit përsëri për shkak të pandemisë së Covid-19. Recesioni dhe kostoja e masave për ta zbutur atë, kanë çuar në një rritje të mprehtë të borxhit publik tashmë tepër të lartë të Greqisë.

Por ndryshe nga ajo që ndodhi në 2010, Greqia nuk është e vetmja në gjendje të vështirë. Për më tepër, kriza ka mobilizuar BE-në për të promovuar Lehtësimin e Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë, një mekanizëm i përkohshëm i buxhetit të Komunitetit Evropian, me një buxhet prej 672.5 miliardë €. Kjo sigurisht do të ndihmojë në adresimin e disa prej efekteve të krizës si në ekonominë reale ashtu edhe në borxhin publik të Shteteve Anëtare të rrezikuara financiarisht si Greqia.

Gjatë krizës së vitit 2010, kostoja e krizës u kaloi ekskluzivisht shteteve anëtare dhe veçanërisht vendeve periferike të zonës së euros.

Greqia përjetoi masa shtrënguese kryesisht në periudhën midis 2010 dhe 2018.

Recesioni i madh ndërkombëtar i periudhës 2007-2009 çoi në një rritje të borxhit publik dhe të jashtëm të Greqisë, dhe periudha e kursimeve e periudhës 2010-2018 çoi në një depresion të madh, një rënie dramatike në PBB, rritje të papunësisë dhe rritje të pabarazive sociale.

Aleksis Tsipras, ish-kryeministër i Greqisë: “Vendimi i Euro-grupit bëri që Banka Qendrore Evropiane të mos rriste likujditetin për bankat greke. Ata gjithashtu e detyruan Bankën e Greqisë që të rekomandonte që bankat të mbeten të mbyllura, dhe të impononte masa kufizuese për tërheqjet e parave.”

Një rimëkëmbje dinamike dhe e qëndrueshme pas krizës do ta ndihmojë Greqinë të trajtojë problemin e saj të borxhit, çfarëdo që të vendoset në nivelin e zonës së euros.

Kroacia

Borxhi i jashtëm bruto i Kroacisë në tremujorin e parë të vitit 2021 arriti në 43.4 miliardë €, që ishte ekuivalente me 88.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, ose 6.9 pikë përqindje më shumë se në fund të vitit 2020, sipas të dhënave të fundit të Bankës Kombëtare Kroate, HNB. Stoku i borxhit të jashtëm bruto në tremujorin e parë të vitit 2021 u rrit me 3.3 miliardë euro për shkak të rritjes së borxhit të të gjithë sektorëve të brendshëm.

Rritja më e madhe ishte në borxhin e përgjithshëm të qeverisë, me 1.9 miliardë euro, si rezultat i huamarrjes së përmendur në tregun ndërkombëtar të kapitalit si dhe transaksioneve në tregun sekondar. Institucionet kreditore rritën gjithashtu borxhin e tyre, ashtu si sektorë të tjerë të brendshëm. Gjatë vitit 2021, rimëkëmbja e parashikuar ekonomike pritet të zvogëlojë përsëri borxhin e jashtëm në raport me PBB-së, megjithatë, vlera absolute e borxhit ka të ngjarë të rritet për shkak të përshpejtimit të aktivitetit ekonomik dhe huamarrjes së re në tregjet e huaja.

Borxhi i përgjithshëm i qeverisë në mars 2021 ishte 340 miliardë kuna (45.4 miliardë euro), ose 91.3 përqind e PBB-së, një rritje nga viti në vit me 17.6 përqind që nga marsi i vitit 2020. Borxhi i konsoliduar i qeverisë, 340 miliardë kuna (45.4 €) miliardë), u rrit që nga dhjetori i vitit 2020 me 10.3 miliardë kuna (1.4 miliardë euro), ose 3.1 përqind. Nga viti në vit, krahasuar me fundin e marsit 2020, borxhi u rrit me 41.5 miliardë kuna (5.5 miliardë €), ose 13.9 përqind.

Rritja i detyrohet kryesisht komponentit të borxhit të jashtëm, i cili u rrit në 2021, me 15.6 miliardë kuna (2 miliardë €, me 14.7 përqind) dhe gjatë vitit të kaluar me 21.3 miliardë kuna (2.8 miliardë €, me 21.2 përqind). Borxhi i jashtëm i qeverisë arriti në fund të marsit 2021, në 121.6 miliardë kuna (16.2 miliardë euro).

Shifrat tregojnë qartë një rrezik në rritje nga shtimi nga viti në vit i borxhit të jashtëm të këtyre vendeve, duke vënë alarmin për atë që i pret ekonomitë e këtyre vendeve, disa për shkak të së ashtuquajturës asfalt-politikë, disa prej papërgjegjshmërisë në menaxhimin e financave të shtetit, e disa prej lakmive elektorale për të hedhur sa më shumë para për të fituar zgjedhjet. /abcnews.al/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit