13.9 C
Pristina
Friday, May 10, 2024

Bangladeshi vlerëson ndihmën e Turqisë për krizën e Arakanit

Më të lexuarat

“Është një gjest shumë miqësor. Njerëzit e Bangladeshit kanë shumë respekt për këto iniciativa”, tha ambasadori i Bangladeshit në Ankara

ANKARA (AA) – Ambasadori i Bangladeshit në Ankara, Allama Siddiki, deklaroi se vendi i tij vlerëson ndihmën e Republikës së Turqisë në trajtimin e fluksit të madh të muslimanëve të Arakanit (Rohingya), raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne e falënderojmë qeverinë dhe popullin e Turqisë për gjestin e tyre shumë të sjellshëm (për çështjen e popullit Rohingya). Ne e vlerësojmë dhe e mirëpresim këtë”, ka thënë Siddiki për AA, duke theksuar se vizita në kampet e muslimanëve Rohingya në Bangladesh nga zonja e parë e Turqisë, Emine Erdoğan, “faktikisht ka shpalosur skenarin”.

Emine Erdoğan, së bashku me shefin e diplomacisë turke, Mevlüt Çavuşoğlu dhe ministren për Familje dhe Politikat Sociale, Fatma Betül Sayan Kaya, më 7 shtator vizituan kampet, ku qindra mijëra muslimanë të Arakanit u strehuan pas ikjes prej persekutimit në Mianmar. “Është një gjest shumë miqësor. Njerëzit e Bangladeshit kanë shumë respekt për këto iniciativa”, tha Siddiki.

Siddiki po ashtu theksoi se ndihma financiare nuk ishte fokusi i vetëm i çështjeve të refugjatëve, duke shtuar se: “Kjo nuk është vetëm një çështje ekonomike, por është një problem shumëdimensional. Ka pasoja sociale, sigurie dhe pasoja mjedisore”.

Ai duke vënë në dukje se “vendi i tij me këtë problem është duke u përballur për një kohë të gjatë”, tha se: “Bangladeshi është përfshirë në çështjet e popullit Rohingya që nga viti 1978. Pavarësisht nga kufizimet, Bangladeshi për një kohë të gjatë i ka mbështetur këto njerëz”.

“Ata duhet të kthehen”

Ambasadori i Bangladeshit në Ankara shpjegoi qëndrimin e Qeverisë së Bangladeshit, atë se populli Rohingya për qindra vjet ka jetuar në Mianmar, si dhe njëkohësisht insistoi se ata duhej të ktheheshin.

“Mianmari ka qenë përgjegjës për krijimin e këtij problemi. Mianmari duhet të jetë kompetent për ta zgjidhur atë. Këtyre njerëzve (Rohingya) duhet t’u mundësohet të kthehen në atdheun e tyre. Ata nuk janë populli ynë, ata nuk janë populli i Indonezisë apo ndonjë vendi tjetër. Pra, ata duhet të kthehen”, tha Siddiki, duke shtuar se Qeveria e Mianmarit duhet t’iu sigurojë muslimanëve Rohingya të drejtat e tyre themelore të njeriut.

Në vijim, Siddiki tha se: “Ata duhet të kenë një jetë dinjitoze në Mianmar si qytetarë të vendit. Ato duhet të integrohen, atyre u duhet dhënë qasje në arsim, shëndetësi dhe punësim. Ata duhet të integrohen brenda shoqërisë së Mianmarit”.

Ai shtoi se “Bangladeshi do t’i trajtojë ato në mënyrë njerëzore” dhe se do të mbështesë popullin Rohingya përderisa Dhaka vazhdon negociatat dypalëshe me Mianmarin në të cilat marrin pjesë edhe komuniteti ndërkombëtar.

Siddiki tha se Mianmari ka pranuar mijëra njerëz të popullit Rohingya nga Bangladeshi në vitet 1980 dhe në fillim të viteve 1990, pas një hetimi tërësor dhe procesi të identifikimit. “Kështu që tashmë është vërtetuar se ata janë populli i tyre (Mianmarit)”, shtoi ai.

Sipas tij, Bangladeshi qëndron fuqishëm kundër të gjitha llojeve të terrorizmit dhe militantëve, duke theksuar se: “Qeveria e Bangladeshit është duke siguruar Qeverinë e Mianmarit për mbështetjen e saj ndaj frenimit të çfarëdo aktiviteti militant në tokën e saj, nëse ka diçka të tillë”.

Megjithatë, Dhaka, siç tha ai, “dënoi dhe kundërshtoi çdo lloj qëndrimi që ju do të vrisni ose torturoni civilë të paarmatosur në emër të luftës ndaj militantëv dhe radikalizmit”.

“Ju nuk mund ta bëni atë. Duhet të ketë një qasje racionale dhe logjike për të zgjidhur këtë lloj problemi. Ju nuk mund të vrisni njerëz duke u arsyetuar me trajtimin e terrorizmit”, shtoi ai.

Në sulmet ndaj civilëve të Arakanit, të kryera nga ushtria e Mianmarit nën pretekstin e luftës kundër militantëve të armatosur, nga 25 gushti mijëra muslimanë kanë vdekur. Për shkak se nuk lejohet hyrja dhe dalja nga zona, është e pamundur të përcaktohet numri i saktë i viktimave.

Ushtria dhe nacionalistët budistë në sulmet kanë djegur ose shkatërruar plotësisht rreth 200 fshatra. Dhjetëra mijëra muslimanë nga Arakani (Rohingya) vazhdojnë të përpiqen që përmes lumit Naf dhe zonës malore të ikin në Bangladeshin fqinj.

Rreth 400,000 muslimanë nga Arakani kanë ikur në Bangladesh që nga 25 gushti. UNICEF ka thënë se mbi 200,000 fëmijë janë në mesin e refugjatëve nga Mianmar, të cilët janë vendosur në Bangladesh.

Turqia ka qenë në ballë të ofrimit të ndihmës për refugjatët Rohingya dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka thënë se do ta ngrejë çështjen në OKB.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit