Greqia merr shembull nga Izraeli për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, tha ministri grek i Mbrojtjes.
Greqia dhe Izraeli theksuan të martën vullnetin e tyre të përbashkët për të zhvilluar më tej marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Në një deklaratë të përbashkët pas vizitës së ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, theksoi se bashkëpunimi dypalësh në mbrojtje aktualisht mbulon një spektër të gjerë, nga stërvitjet ushtarake deri te konvergjenca strategjike në kërkime, inovacion, teknologji të mbrojtjes dhe industri.
“Sot, folëm gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit në studimin e metodave moderne të përdorura në konfliktet e shekullit XXI. Ramë dakord të shkëmbejmë pikëpamje dhe njohuri, në mënyrë që të përballemi me platformat pa pilot dhe, në veçanti, me tufat e mjeteve ajrore pa pilot dhe grupet e mjeteve nënujore pa pilot”, shtoi ai.
Dendias tha gjithashtu se vendi i tij po merr shembull nga Izraeli për të forcuar industrinë e mbrojtjes.
“Qëllimi ynë është që Greqia, nga një shtet klient dhe blerës i thjeshtë i sistemeve të mbrojtjes, të shndërrohet në bashkëprodhues ose prodhues të produkteve inovative me kosto relativisht të ulët”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, Katz theksoi se vizita e tij shënon “një moment të rëndësishëm në aleancën e madhe dhe të thellë mes Izraelit dhe Greqisë”.
“Sot, si ministër i Mbrojtjes, angazhimi im është i qartë: të thellojmë më tej bashkëpunimin ushtarak dhe rajonal mes Izraelit dhe Greqisë”, shtoi ai.
Izraeli është shndërruar në një furnizues të rëndësishëm armësh për Athinën, duke ofruar lloje të ndryshme raketash të avancuara, dronë dhe sisteme të luftës elektronike.
Ushtria izraelite gjithashtu përdor shpesh territorin grek për stërvitje dhe ushtrime ushtarake.
