17.7 C
Pristina
Tuesday, May 7, 2024

“Armiku përbrenda”: libri që parashikoi sulmin mbi muslimanët Rohingya

Më të lexuarat

Libri doli në qarkullim 10 ditë përpara se të niste dhuna qeveritare ndaj minoritetit musliman, me një analizë të qartë të elementëve që do të sillnin këto ngjarje.

Shpërbërja graduale e një autokracie mund të sjellë në skenë një boshllëk të rrezikshëm. Në Majnmarin që ndodhej në rrugën e brishtë të demokratizimit pas gati një gjysmë shekulli sundim ushtarak, pushteti i forcave që mbushën këtë boshëllëk – nacionalizmi dhe feja – vetëm tani po bëhen të qarta.

“Armiku i brendshëm i Majnmarit”, nga Francis Wade, eksploron shpërthimin e dhunës midis budistëve dhe muslimanëve në shtetin Rakhine të Majnmarit në vitin 2012 dhe përhapjen e saj në gjithë vendin në vitet që pasuan. Gazetari që ka raportuar nga Majnmari për më shumë se një dekadë, shqyrton nacionalizmin, grackat e eksperimentit demokratik në këtë vend dhe sesi manipulimi nga ana e ushtrisë i identiteteve etnike dhe fetare vendosën themelet e një konflikti midis dy komuniteteve. Publikuar dhjetë ditë përpara sulmeve ndaj minoritetit musliman Rohingya në një fushatë spastrimi etnik të drejtuar nga shteti, që ka zhvendosur më shumë se 500 mijë muslimanë pa shtetësi në anën tjetër të kufirit drejt Bangladeshit, libri nuk mund të vinte në një kohë më të përshtatshme.

Pasazhet më interesante të librit janë ato kur tregohen historitë e njerëzve të zakonshëm të kapur në një rreth vicioz të etno-nacionalizmit. Në libër flet një nacionalist budist në moshë të re për nevojën e ndërtimit të një “gardhi me kocka” për të mbrojtur budizmin, një grua e re Mon fsheh identitetin e saj etnik për t’u regjistruar si Bamar, anëtare e shumicës etnike të vendit – në mënyrë që të gjejë punë dhe arsimimin që u jepet vetëm atyre, ndërsa një burrë Rohingya heq dorë nga identiteti i tij fetar dhe etnik për të hyrë në ushtri ku përfundon si zbatues i një sistemi apartejdi të drejtuar ndaj vetë njerëzve të tij.

Autori Wade paraqet një rrëfim të çuditshëm të promovuar nga budistët dhe shumica Bamar – që Islami, me vetëm pak milionë mbështetës në një vend prej 53 milionë njerëzish, është shndërruar në kërcënimin e ri për Majnmarin. Libri eksploron rrënjët e ndërlikuara të etno-nacionalizmit të Majnmarit: një përzjerje toksike midis barrës së sundimit kolonial, projektit të ushtrisë për Burmanizimin e vendit dhe gjuhës së urrejtjes së murgjërve radikalë, të gjitha këto të patrajtuara nga një shtet i dobët dhe politikanë të paaftë. Në libër përshkruhen frikërat e thella të budistëve të Rakhines se do humbasin burimet dhe statusin e tyre kundrejt muslimanëve Rohingya, shkatërrimin e kohezionit social në Rakhine dhe dehumanizimin sistematik të muslimanëve, të cilëve pjesa më e madhe e burmezëve iu referohen si emigrantë nga Bengali. Por, autori gjen po ashtu komunitete – larg kampeve dhe getove – ku budistët dhe muslimanët nuk janë tërhequr në “zhguallin e tyre kolektiv” dhe “ku projekti i ndarjes nuk ka zënë rrënjë”.

Do të duhet, shkruanWade “një pogrom me intensitet të pamiagjinueshëm që të nxjerrësh Rohingyat jashtë Buthidaung”, një qytet në veri të Rakhines. Trishtueshëm, pasi ishte shkruar libri i Wade, mbërriti ky pogrom që ai parashikoi: Buthidaung, ashtu si dhe pjesa dërrmuese e zonës, tashmë është e boshatisur nga muslimanët.

Autori paraqet një rrëfim ndriçues për atë që do të thotë e gjitha kjo për të ardhmen politike të Majnmarit. Lëvizja nacionaliste burmeze – tradicionalisht e përbërë nga elitat sunduese – tashmë është rryma kryesore. Dhe po shndërrohet në një kërcënim madhor për tranzicionin demokratik, “për shkak se armiqësia që tregon ndaj thirrjeve për gjithpërfshirje shkon në duart e forcave regresive që nuk kanë dëshirë të shohin frute nga hapja demokratike”.

Vetëm nëse ndodh diçka e jashtëzakonshme, por e ardhmja e Rohingya-ve tashmë qëndron jashtë Majnmarit. Ushtria i ka radikalizuar njësitë e saj, ka mbledhur ndjesi anti-Perëndimore dhe ka krijuar një linjë të re ndarjeje në Azi midis budizmit dhe Islamit. Libri i Wade është vital për të kuptuar sesi gjërat mund të shkojnë në mënyrë katastrofike./tesheshi.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit