12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

ARMËT FINANCIARE TË SHKATËRRIMIT NË MASË

Më të lexuarat

Nga Sami Es-suejlim
Para afro gjashtë vjetësh, saktësisht në shkurt të vitit 2003, Uaren Bafet (Warren Buffett)[1], një nga njerëzit më të pasur të botës dhe një nga investitorët dhe biznesmenët më të suksesshëm, në fjalimin e tij të përvitshëm, përpara sesionit të përgjithshëm të kompanisë së tij “Berkshire Hathaway”, i cilësoi derivatet (përftimet) financiare si “mina me sahat, si për ata që punojnë me to, por edhe për vetë ekonominë.” Ai gjithashtu shtoi se: “ato i ngjajnë skëterrës, në të cilën është e lehtë të hysh, por gati e pamundur të dalësh prej saj.” Po ashtu ai shtoi duke thënë: “Panorama e përgjithshme paraqitet e rrezikshme dhe po drejtohet drejt më së keqes”, më pas ai e mbylli duke thënë: “Ne kemi bindjen se derivatet (financiare) janë armë financiare të shkatërrimit në masë, që mbartin rreziqe, deri tani të padukshme, por me një potencial vdekjeprurës.”[2]

Kur Bafet lëshoi këto deklarata, disa u habitën dhe të tjerë mbajtën qëndrim mosaprovues, sepse derivatet financiare –sipas tyre- janë mjete të shpikura për të menaxhuar rrezikun financiar dhe për ta shpërndarë atë në mënyrë të barabartë, duke e vënë kështu atë nën kontroll dhe duke e pakësuar atë. Por ditët që erdhën –për fat të keq- vërtetuan largpamësinë e këtij njeriu dhe saktësinë e intuitës së tij. Kriza financiare, e cila ka përfshirë sot botën, një nga shkaqet e saj kryesore ka edhe derivatet financiare dhe në veçanti derivatet kreditore (credit derivatives), ose  instrumentet e shkëmbimit të rrezikut kreditor (credit default swaps).

Por çfarë janë këto derivate? Si kanë çuar ato në krizën që po përjetojmë ne sot?

Derivatet kreditore

Derivatet janë instrumente financiare për të shkëmbyer rrezikun. Derivatet kreditore, ose  instrumentet e shkëmbimit të rrezikut kreditor, nuk janë në esencë vetëm se një kontratë sigurimi: njëra palë (banka që jep kredi) e cila paguan një tarifë të caktuar në këmbim që pala tjetër (kompani sigurimi) ta garantoj se do t’i paguaj palës së parë vlerën e kredisë së siguruar, nëse debitori e ka të pamundur ta shlyej atë.

Si ka ndikuar ky instrument në shkaktimin e krizës financiare?

Nëse një bankë i jep kredi një njeriu, banka është e kujdesshme që të marrë të gjitha garancitë e mundshme që kredia do të shlyhet, sepse nëse huamarrësi falimenton ajo që dëmtohet është banka. Por çfarë ndodh nëse banka arrin ta sigurojë këtë kredi dhe ta zhvendos rrezikun e borxhit te një palë e tretë? Në këtë rast banka nuk do të dëmtohet nga falimentimi i debitorit, sepse një palë e tretë tashmë del garant për t’i paguar bankës shumën e kredisë së plotë, nëse ndodh falimentimi i debitorit. Për këtë arsye banka nuk ka ndonjë motiv të fortë për tu siguruar për aftësinë e pagesës nga ana debitorit. Ndaj edhe bankat me lehtësi të madhe u japin kredi shtresave me aftësi të ulët për shlyerjen e borxhit, sepse rrezikun e ka marrë përsipër dikush tjetër, në të shumtën e rasteve kompanitë e sigurimit dhe fondet e rezervës.

Sigurimi i kredive i ka nxitur bankat që të japin kredi, më pas edhe ta shesin kredinë në formë bonosh bashkë me sigurimin e këtyre bonove. Ai që i blen këto bono në fakt blen kredi të siguruara, ndaj dhe atij nuk i intereson nëse debitori ka mundësi ta shlyejë kredinë apo jo. Përderisa kreditë janë të siguruara atij nuk i intereson aftësia e pagimit apo mundësia e debitorit për të garantuar kredinë e marrë, e rëndësishme për të është tarifa që përfiton banka dhe shoqëritë e tjera financiare, nga operacionet e financimit dhe nxjerrjes së bonove dhe çka lidhje me to. Nëse nuk do të ishte në mes siguracioni, ky rreth vicioz nuk do të mund të fryhej në mënyrë kritike deri në këtë pikë, nuk do të ishte e mundur të krijoheshin ato që quhen “asete (pasuri, vlera) të helmuara” të cilat janë vrima e rrezikut në flluskën e sapunit dhe terreni i brishtë mbi të cilin janë ngritur bonot e kredive.

Këto derivate financiare kanë çuar në përqendrimin e rreziqeve, në vend që të çonin në copëtimin e tyre, kanë çuar në kamuflimin e tyre në vend që t’i pakësonin ato.

Lind pyetja: çfarë interesi kanë kompanitë e sigurimeve dhe fondet e rezervës që japin garanci për këto kredi?

Së pari, tarifat monetare që ato përfitojnë janë joshëse, nëse kredia e siguruar është e madhe. Po kështu edhe motivet e hyrjes në këtë operacion financiar mbështeten në një sasi të ardhurash të realizueshme, ndaj sa më shumë të shtohen tarifat shtohen edhe motivet.

Së dyti, për sa kohë çmimet e tregut imobiliar (pasuri të patundshme) apo atij të aseteve për të cilat jepet paraja është në rritje, nuk ka për të pasur rreziqe ngecje, sepse debitori mund ta rifinancojë godinën (apo tokën) duke marrë një kredi të re, ose mund ta shesë atë për të shlyer borxhin dhe për të marrë një fitim shtesë.Çmimet e tregut të shtëpive në SHBA kanë qenë vazhdimisht në rritje, që nga viti 2000, ndaj dhe nuk ka pasur shkak për tu trembur në këtë drejtim. Këtu kuptohet sesi u rrit flluska e kredisë imobiliare. Sigurimi nxit në dhënien e huave, huadhënia kontribuon në rritjen çminimeve të shtëpive (tokave, godinave), rritja e çmimeve nxit në dhënien e sigurimeve për kreditë, sepse rreziqet janë të pakta, çka bën të nxitet edhe më tepër huadhënia… e kështu në vazhdimësi. Kështu që rrethi i huadhënies dhe i sigurimeve ushqejnë njëra-tjetrën, gjë që çoi në fryrjen e shumëfishtë të flluskës dhe në veçanti gjatë vitit 2004 deri në fillimet e vitit 2007, derisa në verën e 2007 flluska plasi dhe filloi zinxhiri i krizës, efekti domino.Së treti, pala siguruese mund t’i shesë rreziqet te palë të tjera, ashtu siç janë ose me rreziqe të tjera plus dhe këtë në formë bonosh që u ngjajnë bonove të kredive e për këtë ajo përfiton tarifa shtesë. Edhe ai që i blen këto bono mund t’i shesë ato duke i kaluar kështu rreziqet te të tjerë njerëz. Kështu pjesëmarrësit në treg do ta hedhin sa te njëri sa te tjetri topin e rrezikut dhe çdonjëri shpreson që topi të mos plasë në duart e tij. Sa më i madh të jetë tregu dhe sa më shumë lojtarë të ketë në të, aq më e vogël është mundësia, që ndjen gjithsecili, se topi i rrezikut do të plasë në duart e tij, ndaj rritet edhe pranimi i këtyre rreziqeve. Për këtë arsye fryrja e tregjeve është në interes të spekulatorëve, kjo shpjegon edhe faktin se pse tregu i rreziqeve të siguruara u shumëfishua më shumë se tetë herë gjatë viteve 2004 -2007, derisa arriti në 62 trilion dollar.

Kazinoja më e rrezikshme në botë

Tregu i rreziqeve kreditore nuk do të ishte rritur në këtë masë, nëse blerja e kredive do të ishte kufizuar te bankat, të cilat janë ato në fakt që kanë dhënë kreditë. Ajo që i dallon derivatet kreditore është fakti që çdo njeri mund ta blejë kredinë nga kushdo tjetër edhe nëse asnjëri prej tyre nuk ka asnjë lloj lidhje me kredinë e financuar për imobiliaret, kështu që kontrata në të vërtetë kthehet në një bast (loto) ndërmjet dy palëve, e varur kjo nga ajo që do t’i ndodh palës së tretë, që në këtë rast është debitori (borxhliu). Nëse debitori falimenton, pala shitëse i jep kompensimin palës blerëse, ndërkohë që as huadhënësi dhe as huamarrësi nuk marrin asgjë. Kjo gjë ishte ajo që e shtyu analistin ekonomik të websajtit të CNN-it ta quajë tregun e derivateve kreditore si ‘kazinonë më të madhe në botë’. Edhe vetë kandidati republikan Xhon Mekein e pranoi se kultura e kazinosë ka dominuar Wall Street-in. Por sidoqoftë, ky treg ndryshon nga kazinotë në aspekte të rëndësishme, si për shembull: kazinotë u nënshtrohen kontrollit dhe mbikëqyrjes nga ana e organeve shtetërore, në shtetet ku ato lejohen, ndërsa tregjet e derivateve nuk u nënshtrohen asnjë lloj kontrolli apo organizimi të drejtpërdrejtë nga qeveria amerikane.Po kështu kazinoja dallon nga tregu i derivateve në një aspekt tjetër akoma më të rëndësishëm, çdo grup lojtarësh në kazino e varin fitoren e tyre te ruleta që u përket atyre dhe nuk kanë asnjë lloj lidhje më të tjerët. Nuk ka asnjë lloj lidhje ndërmjet grupeve të ndryshme në kazino, ndërsa në tregjet e derivateve, që të gjithë janë të lidhur me njeri-tjetrin dhe të gjithë në fund fare janë të lidhur me tregjet dhe në veçanti tregjet imobiliare. Çdo rënie në tregun e shtëpive (tokave, godinave) shpie në humbje të një pjese të madhe të lojtarëve. Shto këtu që çdo dollar humbje në tregun imobiliar do të çoj në një humbje të shumëfishtë në tregun e derivateve.

Sasia e borxheve të vëna në lojë në qarkullim, ka arritur vlerën e 62 trilion dollarëve në fund të vitit 2007, ndonëse huaja për blerjen e pronave të patundshme në të gjithë SHBA nuk i kalon 10 trilion dollarë, ndërkohë që kredia e huas së ulët vlerësohet rreth 1.3 trilion dollarë.Nëse derivatet e veçanta për asetet (pronat), me huat më të ulëta për tu paguar, arrijnë vlerën e rreth 1/3 së tregut të derivateve kreditore, kjo do të thotë se për çdo dollar që jepet borxh me të luhet rreth dhjetë herë. Kjo do të thotë se në rast mospagimi nga ana e borxhliut humbja nuk do të kufizohet vetëm te huadhënësi i tij, por do të kalojë edhe te spekulatorët e tregut, humbja e të cilëve mund të jetë dhjetë herë më shumë sesa humbja reale.Dallimi më i rëndësishëm dhe më i rrezikshëm ndërmjet kazinosë dhe tregut të derivateve është natyra e lojtarëve. Në kazino lojtarët janë individë që më së shumti vënë në lojë pasuritë e tyre, ndërsa në tregun e derivateve lojtarët janë shoqëri financiare dhe banka të cilat vënë në lojë paratë e kreditorëve, investitorëve dhe huadhënësve, që u përkasin shoqërive të tjera financiare. Humbja do të jetë në dëm të të gjithë ekonomisë dhe jo vetëm në dëm të kumarxhinjve. Nëse marrim në konsideratë faktin se ekonomia amerikane rënkon nga pesha e borxheve të jashtëzakonshme, të mbledhura për vite me radhë, të cilat i kalojnë 30 trilion dollar, në sektorin publik dhe atë privat, dhe se kriza e sigurimeve shoqërore dhe e kompensimit të pensionistëve ka filluar të shfaqet në horizont, për të cilën parashikohet të arrijë kulmin e saj në 2012, padyshim se masa e katastrofës të cilën e pret ekonominë amerikane në vitet e ardhshme mund të jetë e paimagjinueshme.

Kriza ligjore

Kriza aktuale nuk është vetëm pasojë e operacioneve të gabuara financiare dhe e praktikave të dështuara, por këtyre veprimeve u ka paraprirë dhe u ka hapur rrugë një ambient ligjor që iu përshtat atyre. Tregu i derivateve kreditore pothuaj nuk ekzistonte në fundin e viteve 90 të shekullit të kaluar, por ai filloi të rritej në mënyrë të jashtëzakonshme në fillim të këtij shekulli, pasi kongresi amerikan, i cili dominohej nga republikanët, aprovoi një ligj në vitin 2000, ‘Commodity Futures Modernization Act’, i cili ndalon vënien nën organizim dhe limitimin e tregjeve të derivateve, madje i përjashton ato edhe nga ligjet e bixhozit që ka në disa shtete të ndryshme. Për këtë arsye derivatet kreditore nuk cilësohen në kontratat dhe marrëveshjet ligjore si sigurime (insurance), ndonëse në të vërtetë ato janë të tilla, sepse kështu ato do t’i nënshtrohen ligjeve të sigurimeve, por që ato të përfitojnë nga ky ligj cilësohen si shkëmbime (swaps),

Në vitin 1999 një tjetër ligj i parapriu atij të vitit 2000, ligji ‘Gramm-Leach-Bliley Act’, i cili lejonte që bankat tregtare të hynin në tregun e këmbimit valutor dhe atë të aksioneve, e që ishte ndaluar nga një ligj i nxjerr para rreth 70 vjetëve ‘Glass-Steagall Act’.Dhe kështu me fillimin e shekullit XXI dera u hap plotësisht për bizneset më të rëndësishme financiare, që janë bankat, për t’i hyrë aventurës me instrumentet më të rrezikshme financiare, e që janë derivatet (përftimet financiare nga vetë paratë) dhe në asetet më të rëndësishme ekonomike, në tregun imobiliar. Si rezultat vetëm në pak vite bota u bë dëshmitare e katastrofës më të keqe financiare brenda 70 vjetëve… Etapave të saj akoma nuk u ka ardhur fundi!

Merrni mësim o njerëz!

Rrënjët e krizës nga e cila po vuan sot bota filluan nga sektori i financës dhe u frynë po nëpërmjet saj, por për fat të keq në fund fare ai që paguan haraçin është sektori i prodhimit dhe masa e popullit. Fillimi nisi nga ulja artificiale e normës së interesit në fillim të shekullit, çka nxiti në zgjerimin e huamarrjes pa pasur ndonjë shtim real të vlerës monetare apo ndonjë rritje në prodhim. Rezultati qe një flluskë në tregun e imobiliareve. Këtë e shoqëroi shpikja e derivateve financiare, e cila neutralizoi rreziqet e huadhënies, kështu që tashmë huadhënësi nuk e ndjente më përgjegjësinë e kredisë që jepte dhe të mundësisë së debitorit për të shlyer, nga kjo erdhën praktika negative që tërhiqnin klientët dhe i mbysnin ata në borxhe.

Pra kriza filloi nëpërmjet kamatës (joshja nëpërmjet interesit të ulët), më pas avancoi në kumar, ku si njëra si tjetra ushqenin njëra-tjetrën për të përfunduar në katastrofë.

Edhe sikur fetë qiellore të mos e kishin ndaluar kamatën dhe kumarin, krizat e njëpasnjëshme që shkaktohen për shkak të tyre, do të mjaftonin si arsye që këto të dyja të ndaloheshin.

Problemi i kamatës është shkëputja e financimit nga aktiviteti prodhues, aktivitet i cili prodhon shtimin real të vlerës. Kamata bën ndarje në mes rritjes së borxhit dhe rritjes së pasurisë. Padyshim që rritja e borxhit është shumë më e lehtë sesa shtimi i pasurisë, sepse nuk kërkon më shumë sesa aprovimin e dy palëve, huadhënësi dhe huamarrësi. Por rritja e pasurisë dhe e bollëkut kërkon, përveç aprovimit të të dy palëve, profesionalizmin, përvojën, novacionin, njohjen dhe prodhimin. Dhe nëse rritja e borxhit ndodh më shpejt sesa rritja e prodhimit, shërbimi ndaj borxhit do të rritet çka do të çoj në tejkalimin e të ardhurave, për tu kthyer kështu borxhet në hemorragji të aktivitetit ekonomik dhe një gur i rëndë mbi të, në vend që borxhet të jenë një faktor ndihmues në rritjen e prodhimit dhe zhvillimit ekonomik. Si rezultat i shpërbërjes së borxhit gjendja ekonomike bëhet e brishtë dhe shumë e ndjeshme nga lëkundjet e tregjeve dhe e çmimeve. Vetëm një lëkundje e lehtë mund të çojë në falimentimin e shumë shoqërive, kompanive, dhe individëve të zhytur në borxh.

Ndërsa përsa i përket kumarit dhe basteve, që të gjithë e dinë se ato nuk japin asnjë vlerë shtesë në aktivitetin ekonomik, por paqartësia ka ardhur si rezultat i përfytyrimit se shkëmbimi i rreziqeve mund të ngrejë kapacitetin financiar dhe më pas edhe prodhimin! Por shkëmbimi i rreziqeve i shkëputur nga prona shpie në atë që njihet si “rreziqe morale” (moral hazard), të cilat u shfaqën mjaft qartë në veprimet e papërgjegjshme që çuan në krizën e huamarrjes për blerjen e pronave të patundshme. Në mungesë të mbartjes së rreziqeve të pronës, humbet përgjegjësia dhe bashkë me të edhe kontrolli moral dhe kështu tregu kthehet në një arenë bastesh dhe shfrytëzimi. Nëse tregu kthehet në një fushë lotarie nuk ka asgjë që e ndal rritjen dhe fryrjen e tij, përveç gatishmërisë së palëve spekuluese për të mos e bërë këtë. Ashtu si për kamatën edhe bastvënia nuk kërkon më shumë sesa një aprovim në mes dy palëve, ku njëra palë do t’i paguajë palës tjetër një shumë të hollash nëse ndodh rreziku, kundrejt një tarife të caktuar. Kostoja fillestare e bastit është e kufizuar ndaj nuk ka asnjë pengesë që nuk e lejon atë të zgjerohet dhe të fryhet. Rezultati në të dyja rastet si nga kamata dhe nga kumari është një, është shumëfishimi i detyrimeve dhe i borxheve larg pasurisë së vërtetë, çka sjell atë që quhet piramidë e përmbysur, ku male të tëra borxhesh peshojnë mbi një bazament të vogël pasurie. Me shtimin e këtyre borxheve baza do ta ketë të vështirë ta mbajë peshën e saj dhe kështu humbja pas rrëzimit të saj do të jetë e shumëfishtë.

Për këtë arsye dhe feja islame në legjislacionin e saj e ka të ndaluar kamatën dhe mashtrimin financiar, duke i konsideruar ato si dy praktika të ndaluara. Po ashtu dispozitat islame përmbajnë edhe norma të hollësishme që ndalojnë rrugët që të shpien te këto praktika, siç është mos lejimi i shitjes së borxhit, ndalimi i një fitimi për të cilin nuk mban garanci, dhe përveç këtyre, aktivitetet e tjera, në themel, janë të lejuara. Për shkak të ekzistencës së këtyre rregullave, nuk mund të shfaqet piramida e përmbysur e borxheve me pasurinë, gjë që e dallon sistemin kapitalist nga ai islam. Ekonomia qëndron si një godinë e ekuilibruar, e qëndrueshme, që mbështetet mbi një bazë të gjerë pasurie, tek e cila mbahet edhe një shtresë e kufizuar e borxheve dhe e detyrimeve. Ky model bashkon në mes qëndrueshmërisë dhe prodhimit, sepse çdo zgjerim i borxheve shoqërohet nga një zgjerim i njëjtë me pasurinë. Ekonomia islame mbështet mbi parimet e tregut që pajton me dispozitat e fesë dhe me moralin, mbi parime të qarta e që shtyjnë drejt novacionit dhe zhvillimit e jo drejt krizave dhe tronditjeve financiare.

Përktheu: J.Topulli.

marrë nga www.islamtoday.com

[1] Warren Buffett është klasifikuar nga revista “Forbes” si njeriu më i pasur i botës për gjysmën e parë të vitit 2008.

[2] http://www.berkshirehathaway.com/letters/2002pdf.pdffq.14.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit