7.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Arabia Saudite i ofroi plan për armëpushim grupit Houthi në Jemen

Më të lexuarat

Arabia Saudite i propozoi një plan armëpushimi grupit rebel Houthi në Jemen, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne shpresojmë që Houthit t’i përgjigjen pozitivisht iniciativës, të shmangin gjakderdhjen e jemenasve dhe të japin një mundësi për një zgjidhje politike”, tha ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan Al-Saud, në një deklaratë televizive.

Ministri tha se iniciativa ka hyrë në fuqi nga pala saudite.

“Në vazhdim të rolit mbështetës të Mbretërisë në Jemen, ajo njofton një iniciativë që përfshin një armëpushim gjithëpërfshirës nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar në Sana për një numër fluturimesh dhe fillimin e konsultimeve midis palëve të ndryshme nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara”, shtoi ministri.

Më herët gjatë ditës, burime në New York thanë për AA se Arabia Saudite informoi OKB-në për qëllimin e saj për të deklaruar një armëpushim të njëanshëm në Jemen brenda disa orësh.

Burimet, të cilat preferuan anonimitetin, thanë se veprimi saudit erdhi në mbështetje të përpjekjeve të Dërguarit Special të SHBA-së për Jemenin, Timothy Lenderking, si dhe të Dërguarit Special të OKB-së për Jemenin, Martin Griffiths, për të arritur një zgjidhje dhe për t’i dhënë fund konfliktit.

Më 9 prill 2020, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite shpalli një armëpushim në Jemen për dy javë për të mbështetur përpjekjet për të frenuar pandeminë e koronavirusit dhe më vonë e zgjati atë disa herë.

Në fillim të këtij muaji, koalicioni nisi një fushatë ajrore kundër pozicioneve të mbajtura nga rebelët, në përgjigje të rritjes së sulmeve me raketa dhe dronë nga Houthit në territoret e Arabisë Saudite.

Më 18 mars, anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u bënë thirrje të gjitha palëve ndërluftuese të Jemenit që të bashkohen dhe të punojnë me të dërguarin special të OKB-së për të negociuar pa parakushte.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Houthi të lidhur me Iranin pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite që synon rivendosjen e qeverisë së Jemenit ka përkeqësuar situatën, duke shkaktuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë me rreth 30 milionë njerëz që kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare dhe më shumë se 13 milionë në rrezik të vdesin nga uria.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit