Amerikani në Shqipëri,skandal pedofilie(Video)

0
54

Shtatë vjet pasi vendi u trondit nga skandali seksual në qendrën “Fëmijët e Tij” në kryeqytet, ku rezultoi se tre shtetas të huaj kishin abuzuar me të mitur të pastrehë, një tjetër skandal pedofilie pritet të përfundojë në gjykatë këto ditë dhe të trondisë sërish opinionin në vend.

 

 

Top Channel ka siguruar dosjen ndaj shtetasit amerikan Carl Stephan Kaminski, sot 70 vjeç, i prezantuar në Shqipëri me emrin e rremë David Gerard Golderstein, i cili në përfundim të hetimeve tepër sekrete do të gjykohet në mungesë për pedofili me pasoja të rënda ndaj tre fëmijëve gjatë viteve 2003-2006. Njëri prej djemve të abuzuar, sipas prokurorisë, aktualisht po kurohet për probleme të rënda psikiatrike, si invalid i plotë për diagnozën “skizofreni me forma refrektare” dhe nuk është në gjendje të komunikojë. Këto probleme i janë shfaqur të miturit pas abuzimeve ndaj tij, thotë prokuroria. 70-vjeçari Kaminski ka hyrë në Shqipëri si turist dhe ka qendruar kryesisht në qytetin e Durrësit, kohë në të cilën ka abuzuar me fëmijët në një banesë të marrë prej tij me qera. “Në kohën që ai jetonte me qera ka abuzuar me tre djem të mitur. Njëkohësisht i pandehuri i zhvishte fëmijët dhe u bënte fotografi nudo duke u premtuar se do t’i fshinte ato”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Zbulimi i pedofilit që abuzoi me tre djem të mitur në Shqipëri është njoftuar në fund të vitit 2011 nga autoritetet amerikane. Sipas dokumentave që Top Channel ka siguruar, rezulton se pasi ka abuzuar me fëmijët, ai është larguar jashtë vendit në kulmin e skandalit tjetër, atij të sapobërë pubik në atë kohë ndaj shtetasve britanikë David Broën, Dino Kristodulu dhe Robin Arnold. Por Kaminski është kapur nga policia gjermane në afërsi të Rosenheimit dhe është arrestuar sepse po udhëtonte me gjeneralitetin e rremë David Gerard Golderstein si shtetas belg. Në këtë vend ai është dënuar me një vit e katër muaj burgim për falsifikim dokumentash. Sapo ka përfunduar këtë dënim, 70-vjeçari i është dorëzuar drejtësisë amerikane pasi ai kërkohej në vendin e tij për abuzime seksuale me të miturit, ndërsa rezulton se në moshën 30-vjeçare ai ka qenë i dënuar në Masaçusets po për pedofili. Gjatë hetimeve të kryera së fundmi në Amerikë kanë qenë pikërisht hetuesit amerikanë të cilët kur kanë hapur kompjuterin e pedofilit kanë gjetur aty filmime pornografike me të miturit shqiptarë dhe menjëherë kanë njoftuar Prokurorinë e Përgjithshme, e cila hapi dosjen hetimore. Ndërkaq, prokuroria shqiptare ka kërkuar ekstradimin e Carl Stephan Kaminski mbi bazën e traktatit të ekstradimit që daton vitin 1933./tch/kohaislame