7.9 C
Pristina
Sunday, May 12, 2024

Vala e parave të falsifikuara, për shkak të 2 eurove false bizneset po i refuzojnë edhe ato origjinale – BQK rekomandon shmangien e parave ‘kesh’, Policia për gjashtë muaj inicioi 486 raste

Më të lexuarat

Qytetarë të shumtë po raportojnë se për shkak të monedhës 2 euro e cila kohët e fundit në treg po qarkullon në mase të madhe false, shumë prej bizneseve nuk po i pranojnë as monedhën 2 euro që është origjinale.

Madje, disa qytetarë i thanë Telegrafit se as nuk janë në dijeni se ku duhet t’i raportojnë bizneset dhe nëse është shkelje ligjore mospranimi i 2 eurove origjinale.

E në një deklaratë me shkrim për Telegrafin nga Banka Qendrore të Kosovës thonë se nuk mund të kenë informacion lidhur me atë se sa mund të jetë shifra e parave të falsifikuara në treg.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk ka dhe as nuk mund të ketë informacion për numrin e monedhave të falsifikuara në qarkullim meqë ky aktivitet është i jashtëligjshëm dhe vepër penale sipas ligjit.

Të dhënat për rezultatet e luftimit të këtij fenomeni si dhe karakteristikat e specifikat e tyre, mundet t’i siguroni apo merrni nga organet përgjegjëse të sigurisë, me saktësisht Drejtorinë për Hetimin e krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës si dhe Departamentin për Traseologji Forenzike”, thonë nga BQK-ja.

Por, BQK thekson se në kuadër të përgjegjësive të saj është duke u koordinuar në aspektin ndër-institucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti, duke ofruar të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm dhe mbështetjen profesionale.

“Edhe aktivitetet e ndërmarra së fundi dhe në vazhdimësi kanë kontributin e BQK-së dhe dalin nga ky bashkërendim dhe ndërveprim institucional.

Gjithashtu, edhe aktivitetet e sensibilizimit dhe edukimi i publikut lidhur me shmangien e pagesave ne para të gatshme dhe zëvendësimin me instrumente elektronike shkon në drejtim të adresimit të kësaj çështjeje”, thonë nga BQK.

Por a është kundërligjore që bizneset nuk po i marrin 2 euron metalike edhe në rastet kur është origjinale pasi një monedhë e tillë edhe zyrtarisht është në qarkullim.

Nga Banka Qendrore e Kosovës nuk dhanë përgjigje lidhur me këtë çështje.

Ndërkaq, Policia e Kosovës po ashtu në një deklaratë me shkrim për Telegrafin thekson se çdo herë kur ka informacion se po kryhet ose është kryer një rast që është i inkriminuar në bazë të Kodit Penal (KP), ndërmerr masat dhe e trajton atë bazuar në procedurat e parapara.

“Edhe rastet e ‘Falsifikimit të parasë’, policia i trajton bazuar në atë që u tha më lartë, përfshirë edhe arrestimin e personave të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Policia bën të ditur për Telegrafin se gjatë vitit të kaluar (2022), policia ka iniciuar 804 raste të ‘Falsifikimit të parasë’, kurse në gjashtëmujorin e parë të këtij viti (2023) ka iniciuar dhe trajtuar 486 raste të tilla.​

Ndryshe, ditë më parë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), dhe Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka realizuar një operacion gjatë të cilit është identifikuar një grup i cili merrej me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit.

Prokuroria Speciale njofton se në këtë operacion janë arrestuar në flagrancë gjashtë persona të dyshuar, për veprat penale ‘’Falsifikimi i parasë (prodhimi dhe vënia në qarkullim) nga neni 296 i Kodit nr.08/L-074 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi që të njëjtit kanë qenë shpërndarësit e parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike 2 euro të falsifikuara.

Tre nga personat e dyshuar janë shtetas nga Maqedonia e Veriut dhe tre të tjerë shtetas të Kosovës.

Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 euro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara.

Po ashtu, janë sekuestruar katër vetura të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe 7 telefona celularë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën nga një muaj paraburgim ndaj tre shtetasve të Maqedonisë së Veriut dhe tre shtetasve kosovarë. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit