Shqiptarët në Turqi kanë të drejta si shqiptarë aq sa kanë të drejta shqiptarët si shqiptarë në Francë, Gjermani, Itali, SHBA etj.
Nacionalizmi turk është kopje e nacionalizmave evropiane, sidomos e nacionalizmit francez. Vetë ideja e kombeve moderne është shkrirja dhe asimilimi i subidentiteteve fisnore, krahinore e etnike në një identitet kombëtar të përbashkët, ku përfshihen gjuha e përbashkët, flamuri i përbashkët, himni, kujtesa e përbashkët etj.
Në territorin e Turqisë moderne jetojnë shumë etni që, me identitet kombëtar, janë turq, edhe nëse jo me identitet etnik.
Njëjtë siç ndodh në Francë, SHBA, Britani të Madhe etj., ku shqiptarit, si edhe kujtdo tjetër, i kërkohet besnikëri dhe përqafim i identitetit politik të shtetit ku jeton.
Nacionalizmi turk, në gjenezë, është nacionalizëm anti-osman, madje edhe me një dozë averzioni anti-musliman, sepse, siç ta thashë, është kopje e nacionalizmit francez. Gjë që ti, Berat, e di mirë, se je i lexuar!!!
Turqit nacionalizmin e vet kombëtar e kanë ndërtuar mbi një narrativë e cila periudhën osmane e sheh si periudhë obskurantizmi dhe errësire, ndërsa krijimin e Turqisë moderne kemaliste si rilindje të identitetit turk.
Ndërsa sa i përket a i kemi turqit vëllezër apo jo, këtë për muslimanët e gjykon libri ynë i shenjtë, Kurani, kur në të Zoti na thotë:
“Besimtarët janë vëllezër.” (Surja Huxhurat, ajeti 10)
Pra, nëse dy muslimanë, çfarëdo etnie qofshin, i thonë njëri-tjetrit “vëlla”, këtë e bëjnë bazuar në atë që e besojnë si fjalë të Zotit.
Njëjtë edhe në krishterim afrohet vëllazëria e besimit, siç thotë Shën Pali në Bibël, që të gjithë besimtarët në Krishtin janë vëllezër:
“Nuk ka as jude as grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë ju jeni vëllezër në Krishtin Jezus.”
(Galatasve 3:28)
“Nderoni të gjithë, duani vëllazërinë, kini druajtjen e Perëndisë, nderoni mbretin.”
(1 Pjetrit 2:17)
Përndryshe, Kosovës tonë 🇽🇰 i urojmë fitore sa më të thellë dhe bindëse ndaj Turqisë 🇹🇷
Hoxhë Osman Çekaj
