Një qasje e re për të trajtuar dhe harmonizuar shkencën me tekstin kuranor
Autor: Hamza Tzortzis
Që nga vitet tetëdhjetë, është shtuar numri i studiuesve muslimanë që përdorin shkencën si mjet për të treguar se Kurani është fjalë e Zotit. Në rrafshin popullor, muslimanët, botërisht, e sidomos në Perëndim, synojnë të dëshmojnë vërtetësinë e Islamit përmes vargjeve me konotacion shkencor, si dëshmi për autorësinë hyjnore të Kur’anit. Sot, interneti është i mbushur me shkrime e video për këtë temë, ku vetëm një kërkim i thjeshtë në Google për “Kuranin dhe shkencën” nxjerr 40 milionë rezultate kërkimi.[1]
Kjo lëvizje ka rrënjë sa klasike, aq edhe moderne. Tradita akademike klasike islame është përfshirë në diskutime mbi përdorimin e shkencës si instrument për interpretimin e vargjeve kuranore. Por, hovi i vërtetë i kësaj lëvizjeje nisi në vitet ’80. Sipas gjykimit tim, janë dy ngjarje kryesore që lehtësuan shfaqjen e saj. E para ishte botimi i librit “Bibla, Kurani dhe Shkenca” në vitin 1976, shkruar nga Dr. Maurice Bucaille, dhe e dyta ishte videoja e viteve 1980 “Kjo është e vërteta”, prodhuar nga dijetari islam Abdul-Majeed al-Zindani. Libri i Dr. Bucaille argumentoi se nuk kishte gabime shkencore në Kuran dhe se Bibla ishte plot me pasaktësi shkencore. Libri i Dr. Bucaille u bë një bestseller në botën myslimane dhe u përkthye në shumë gjuhë. Edhe pse libri është përballur me kritika akademike [2], ai është ende popullor dhe përdoret si referencë për apologjetikën dhe thirrjen islame.
Dijetari islam Abdul-Majeed al-Zindani, themelues i “Komisionit mbi Shenjat Shkencore në Kur’an dhe Sunet”, përgatiti një dokumentar të quajtur “Kjo është e Vërteta”. Ai ftoi figura të njohura të botës akademike perëndimore në një nga konferencat e tij. Gjatë kësaj konference, al-Zindani pretendoi se një grup studiuesish eminentë jomuslimanë nga disiplina të ndryshme dëshmuan ekzistencën e mrekullive shkencore në tekstin kuranor. Sidoqoftë, komisioni u përball me kritika se kishte propaganduar deklarata dezinformuese jashtë kontekstit të legjitimuar narrativën e vet.[3] Kohë më parë, një bloger ateist arriti të kontaktojë dhe të intervistojë disa nga shkencëtarët që kishin qenë në atë konferencë. Këto intervista u publikuan në YouTube, ku të gjithë shkencëtarët deklaruan se fjalët e tyre ishin keqpërdorur dhe se nuk gjenin mrekulli shkencore në vargjet e Kuranit.[4]
Pavarësisht kësaj, janë shtypur miliona broshura dhe pamflete që pretendojnë se Kurani përmban mrekulli shkencore, gjë që ka bërë që shumë jomuslimanë ta pranojnë Islamin. Kjo lëvizje ka ushtruar ndikim edhe në sferën akademike; për shembull, një monografi akademike e botuar nga Curzon me titull Qur’ān Translation: Discourse, Texture and Exegesis, i kushton disa faqe kësaj teme.[5] Figura të njohura myslimane si Dr. Zakir Naik [6] dhe Yusuf Estes [7] gjithashtu kanë përdorur narrativën e mrekullive shkencore për të vërtetuar natyrën hyjnore të Kuranit. Si pasojë e këtij popullarizimi intensiv përgjatë dekadave të fundit, aktualisht po zhvillohet një kundërlëvizje e cila synon të demistifikojë të ashtuquajturat pohime shkencore; kjo lëvizje paraqitet më e nuancuar dhe po gëzon një rritje në popullaritet. Një numër i konsiderueshëm apostatësh nga Islami (me shumë prej të cilëve kam zhvilluar biseda private) citojnë literaturën e kësaj kundërlëvizjeje si shtytese në vendimin e tyre për të braktisur fenë. Megjithatë, unë besoj se braktisja e fesë nuk është plotësisht një vendim intelektual, por më tepër një problem shpirtëror dhe psikologjik. Prapëseprapë, unë mendoj se largimi nga feja nuk është thjesht një zgjedhje mendore, por më shumë një krizë shpirtërore dhe psikologjike.
Fatkeqësisht, kjo qasje e ‘mrekullive shkencore’ është kthyer në një turp intelektual për apologjetët muslimanë, përfshirë edhe mua. Para disa vitesh, shkova me disa aktivistë në Irlandë për të debatuar me pjesëmarrësit dhe folësit në Konventën Botërore të Ateistëve. Gjatë atyre ditëve kishim ngritur një stendë jashtë sallës dhe arritëm të bëjmë biseda të frytshme me qindra ateistë, ku veçohen figurat e njohura si Prof. P. Z. Myers dhe Prof. Richard Dawkins. Gjatë një bisede spontane me Profesor Myers, debati kaloi tek ekzistenca e Zotit dhe te fakti nëse Kurani është libër hyjnor. Aty u hap tema e embriologjisë, dhe duke qenë se Myers është ekspert në atë fushë, ai i hodhi poshtë argumentet tona. Pasi e postuam videon e këtij debati në internet, u përballëm me një lum kritikash të ashpra.[8] Na erdhën pafund emaile, si nga muslimanë ashtu edhe nga jomuslimanë. Besimtarët muslimanë shprehën konfuzion dhe dyshime, ndërsa audienca jomuslimane mbeti e shtangur nga vetë qasja jonë. Si pasojë, vendosa të ulem e të shkruaj një material të gjatë për Kuranin dhe embriologjinë, për t’u dhënë përgjigje kritikave qofshin ato akademike apo të njerëzve të thjeshtë.[9] Gjatë shkrimit, kërkova ndihmën e studentëve dhe studiuesve islamë për të vërtetuar burimet dhe për të më dhënë mendime në ato raste ku po përdorja literaturë të dorës së dytë ose të tretë. Për fat të keq, ata nuk e kishin bërë punën në detaje dhe siç duket, edhe ata ishin bazuar tek ajo çfarë kishin thënë mbrojtësit e tjerë të Islamit. Kur punimi u botua u vendos nën mikroskop nga aktivistët ateistë.[10] Edhe pse ata i shtrembëruan disa nga pikat e mia, gjithsesi ngritën disa kritika shumë me vend. Pas kësaj, e hoqa fare atë shkrim nga faqja ime. Në retrospektivë nëse kjo nuk do të kishte ndodhur, ndoshta nuk do ta shkruaja këtë ese tani. Në fund të fundit, e gjitha kjo është një shkollë më vete dhe një pjesë shumë e rëndësishme e zhvillimit të integritetit tim intelektual.
Nisur nga e gjithë kjo, kjo ese synon të ofrojë një qasje racionale dhe islame mbi metodologjinë e të kuptuarit të vargjeve me natyrë shkencore në Kur’an. Ka ardhur koha që komuniteti musliman të reagojë e të flasë hapur kundërkësaj qasjeje problematike që përdoret për të vërtetuar se Kurani është fjalë e Zotit. Kjo gjë i ka vënë mbrojtësit e Islamit në një pozitë të sikletshme intelektuale dhe ka treguar qartë se sa e dobët dhe e paqëndrueshme është mënyra se si ata argumentojnë. Ajo që vihet re më shumë, është se mjaft njerëz që e pranuan Islamin vetëm prej këtyre mrekullive shkencore, e kanë lënë fenë sapo janë përballur me argumentet e palës tjetër. Duhet ta bëj të qartë se nuk po them që Kurani ka gabime apo pasaktësi, apo që vargjet e tij që flasin për natyrën nuk kanë asgjë të veçantë. Unë po përpiqem vetëm të tregoj se sa e rrezikshme është të pretendosh se disa vargje të Kuranit janë mrekulli thjesht sepse flasin për fenomene natyrore. Për këtë arsye, po sjell një qasje të re që i merr parasysh të gjitha anët e problemit dhe shmang pengesat apo vështirësitë me të cilat përballet argumenti i mrekullive shkencore.
Një përmbledhje e pretendimit të mrekullive shkencore
Ndonëse ‘mrekullitë’ shkencore në Kuran paraqiten në forma të ndryshme, ato bartin të njëjtat implikime filozofike.
- Duke qenë se Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) nuk kishte si t’i njihte faktet shkencore që gjenden në Kuran, atëherë kjo provon patjetër që ky libër vjen nga Zoti.
- Në kohën kur zbriti Kurani (shekulli i 7-të), njerëzit nuk i kishin mjetet e duhura për të zbuluar apo vërtetuar faktet shkencore që përmenden aty, gjë që provon se ai patjetër vjen nga Zoti.
- Pasi Kurani zbriti në një kohë kur shkenca ishte primitive, ishte e pamundur që një njeri të thoshte ato të vërteta që gjenden në të; si pasojë, ky libër patjetër vjen nga Zoti.
Ka një sërë arsyesh se pse shprehjet e mësipërme të mrekullive shkencore janë problematike dhe jokohërente. Disa prej tyre janë:
- Gabimi logjik i mesit ë pashpërndarë
- Pasaktësi historike
- Teleologjia e vargjeve kuranore
- Shkencizmi, Problematika e Metodës Induktive dhe Empirizmi.
- Vargje “joshkencore”
- Mrekullitë, Qartësia dhe një Shpjegim i Shkurtër mbi Interpretimin e Kuranit
Më poshtë, secila nga këto pika do të shpjegohet hollësisht.
- Gabimi logjik i mesit ë pashpërndarë
Argumenti i mrekullive shkencore në Kuran bën një gabim logjik që quhet Gabimi logjik i mesit ë pashpërndarë. Ky gabim ndodh atëherë kur dy gjëra të ndryshme perceptohen si të barabarta thjesht sepse kanë një pikë të përbashkët, e cila në fakt interpretohet gabim. Ja një shembull i thjeshtë:
- Të gjitha A-të janë C.
- Të gjitha B-të janë C.
- Prandaj, të gjitha A-të janë B.
Ky gabim logjik shfaqet te përfundimi. Vetëm pse A dhe B kanë një pikë të përbashkët C, nuk do të thotë aspak që A dhe B janë e njëjta gjë.
Një shembull tjetër përfshin:
- John ka nevojë për oksigjen për të mbijetuar.
- Qeni nevojë për oksigjen për të mbijetuar.
- Rrjedhimisht, John është qeni im.
Siç shihet qartë nga ky shembull, pika e përbashkët që po interpretohet gabim është oksigjeni. Edhe pse dy fjalitë e para janë plotësisht të vërteta, pra, edhe John, edhe qeni im duan oksigjen për të jetuar, kjo nuk do të thotë aspak që John qenka qeni im.
Shumica e argumenteve për mrekullitë shkencore në Kuran bien pikërisht në këtë lloj gabimi. Më poshtë po japim një përmbledhje:
- Një përshkrim i një fakti shkencor A përdor C.
- Një përshkrim në Kur’an B përdor C.
- Rrjedhimisht, përshkrimi në Kur’an B përbën përshkrimin e faktit shkencor A.
Ja disa shembuj konkretë:
- Në embriologji, fakt shkencor është ngulitja e blastocistës në murin e mitrës. Ky proces mund të shihet si vendosja e embrionit në një vend të sigurt.
- Kuranit përdor shprehjen قَرَارࣲ مَّكِینࣲ karārin mekīn [11] [12], që në shqip mund të përkthehet si ‘një vend i sigurt’.
- Rrjedhimisht, Kur’ani po përshkruan faktin shkencor të implantimit të blastocistës.
Në silogjizmin e sipërpërmendur, nuk mund të konkludohet se shprehja karārin mekīn (vend i sigurt) tregon procesin e ngulitjes së blastocistës vetëm pse të dyja kanë të përbashkët atributin “vend i sigurt”. Ky argument do të ishte valid vetëm nëse teresia e përshkrimeve të karārin mekīn do të referonte specifikonte dhe ekskluzivisht procesin e implantimit. Pra, nëse çdo herë që thuhet karārin mekīn, qëllimi do të ishte vetëm përshkrimi i implantimit.[13] Por, duke qenë se ky term mund të jetë thjesht për mitrën, siç kuptohej në shekullin e 7-të, atëherë ky argument bie. Thjesht se një fjalë e Kuranit përputhet diku me një fakt shkencor, kjo nuk na jep siguri se ky është kuptimi që ka pasur për qëllim ajeti.
Ja një shembull tjetër:
- Shkenca thotë se atmosfera e Tokës na mbron duke djegur meteorët, duke filtruar rrezet e dëmshme dhe duke na ruajtur nga i ftohti i hapësirës, ndërsa Brezi Van Allen bën punën e një mburoje kundër rrezatimit. Për këtë arsye, atmosfera mund të shihet si një lloj çatie mbrojtëse.
- Kur’ani përdor fjalët (سَقۡفࣰا مَّحۡفُوظࣰا) sakfan maḥfūdhan, që do të thotë një çati e mbrojtur.
- Rrjedhimisht, Kur’ani po përshkruan funksionin e atmosferës tokësore.
Përsëri, silogjizmi i mësipërm është i pavlefshëm. Logjikisht nuk do të thotë se fjalët (سَقۡفࣰا مَّحۡفُوظࣰا) sakfan mahfūdhan, që i referohen një çatie të mbrojtur, përshkruajnë funksionin e atmosferës së Tokës. Kjo sepse kjo shprehje mund të ketë kuptimin e një çatie të vërtetë, fizike. Disa interpretime kuranore sugjerojnë se qielli është i ngritur mbi shtylla të padukshme dhe se fragmente të tij mund të bien mbi Tokë (shih Kur’an 13:2 dhe 34:9). Këto shpjegime flasin për një strukturë të fortë e solide, gjë që e vërteton edhe komentuesi i njohur Ibni Kethiri kur thotë se “qielli është si një kupolle mbi tokë”.[15] Për këtë arsye, argumenti i mësipërm do të ishte i vlefshëm vetëm nëse të gjitha interpretimet dhe përshkrimet e sakfan maḥfūdhan do të përshkruanin funksionin e atmosferës së Tokës. Për këtë arsye, argumenti i mësipërm do të ishte i vlefshëm vetëm nëse të gjitha interpretimet dhe përshkrimet e saqfan maḥfūẓan do të përshkruanin funksionin e atmosferës së Tokës.
Mbështetur në analizën e mësipërme, ideja se Kuranit është mrekulli thjesht sepse disa fjalë të tij ngjajnë me përshkrimet e shkencës, është logjikisht i gabuar. Ky pretendim do të ishte i saktë vetëm nëse do të vërtetonim dot se ato interpretime “shkencore” janë pikërisht ato që ka pasur Zoti për qëllim me atë ajet. Parimet e ekzegjezës kuranore përcaktojnë se një siguri e tillë është epistemologjikisht e paarritshme (kjo çështje do të shtjellohet në vijim të këtij punimi).
Për më tepër, ekzistojnë një sërë pyetjesh që nxjerrin në pah inkoherencën e narrativës mbi mrekullitë shkencore. Për shembull: pse hidhen poshtë shpjegimet më të thjeshta të vargjeve të Kuranit? Çfarë bëhet me ato kuptimet e tjera që janë po aq të sakta, por që nuk përputhen me shkencën ose duken shumë të rëndomta? Fakti se ajeti është i hapur për më shumë se një interpretim, me çfarë argumenti pretendohet se filan ajeti aludon në filan pohimin shkencor? Po për qytetërimet e lashta dhe parashikimet e tyre të sakta të fenomeneve shkencore para se ato të verifikoheshin nga shkenca moderne? A i bën kjo qytetërimet e lashta të frymëzuara prej Zotit?
2.Pasaktësi historike
Për të shpëtuar argumentin e tyre, ata që mbrojnë narrativën e mrekullive shkencore pohojnë se njohuritë shkencore që nënkuptohen nga vargjet kuranore, nuk kishte asnjë mundësi që t’i dinin njerëzit në shekullin e 7-të. Këtë argument ata e paraqesin zakonisht në dy mënyra:
- Njohuria e nënkuptuar nga vargjet kuranore nuk ishte e disponueshme ose e zbuluar në kohën e shpalljes (shekulli i 7-të).
- Profeti Muhamed (s.a.v.s.) e kishte të pamundur qasjen ndaj njohurive që supozohet se implikohen nga ajetet kuranore.
I.Njohuria e nënkuptuar nga vargjet kuranore nuk ishte e disponueshme ose e zbuluar në kohën e shpalljes (shekulli i 7-të).
Po të shohim historinë, do ta kuptojmë se ky pretendim nuk qëndron. Ja disa shembuj vargjesh që flasin për gjëra që njerëzit i dinin shumë mirë në atë kohë, madje edhe shumë kohë para se të zbriste Kurani:
“Mrekullia” e Origjinës Kozmike të Hekurit: Konsideroni, për shembull, tezën që i vesh Kur’anit status mrekullishpallës mbi bazën e përdorimit të foljes “zbritëm” (وَأَنزَلۡنَا) [16] në raport me hekurin. y muhabet lidhet me faktin që hekuri ka ardhur vërtet nga hapësira, gjë që shkenca e ka vërtetuar sot. Kurani thotë: “Ne e zbritëm hekurin…”.
Megjithatë, egjiptianët e lashtë 1400 vjet përpara Profetësisë së Muhamedit (paqja qoftë mbi të) i referoheshin hekurit si ba-en-pet që do të thotë “Hekur nga qielli”.[19] Asirianët dhe babilonasit kishin gjithashtu koncepte të ngjashme për hekurin.
“Mrekullia” e Hënës si dritë e huazuar: Një shembull tjetër është fjala e përdorur për të përshkruar dritën e hënës. Fjala e përdorur është nūran (نُورًا), që do të thotë një dritë e huazuar ose e pasqyruar.[20]
“Ai është Ai që e bëri diellin një dritë shkëlqyese dhe hënën një dritë të nxjerrë (nūran) dhe i përcaktoi asaj fazat – që ju të dini numrin e viteve dhe llogaritjen [e kohës]. Allahu nuk e ka krijuar këtë përveçse me të vërtetën. Ai i detajon shenjat për një popull që di.” [21]
Pretendimi i bërë nga mbrojtësit e mrekullive shkencore është se askush në atë kohë, apo edhe më përpara, nuk e dinte se hëna nuk lëshonte dritën e saj. Por historia thotë ndryshe: nja 500 vjet para Krishtit, pra 1200 vjet para Kuranit, Talesi thoshte: “Hëna ndriçohet prej diellit.” [22] Edhe Anaksagora, po në atë kohë, thoshte: “Hëna s’ka dritë të vetën, por e merr prej diellit.” [23]
“Mrekullia” e Maleve me Rrënjë: Merrni në konsideratë vargjet që flasin për malet që kanë kunja ose rrënjë. Kur’ani thotë: “A nuk e bëmë Ne tokën si një hapësirë të gjerë dhe malet si kunja?”[24]
Kjo njohuri ishte tashmë e disponueshme përmes hebrenjve të lashtë, pasi Dhiata e Vjetër përmend në mënyrë eksplicite rrënjët e maleve:
“Deri në rrënjët (le-qitsebh) e maleve u fundosa; toka poshtë meje më mbylli përgjithmonë. Por Ti e nxore jetën time nga gropa, o Zot, Perëndia im.” [25]
Fjala kyçe e përdorur në këtë varg është fjala hebraike לְקִצְבֵי që do të thotë ekstremitet, dhe është një përshkrim poetik i fundeve ose rrënjëve të maleve.[26]
“Mrekullia” e Big Bengut: Kurani e përshkruan kështu krijimin e gjithësisë:
“A nuk e kanë ditur ata që nuk besuan se qiejt dhe toka ishin një pjesë e vetme, pastaj Ne i ndamë ato, dhe çdo gjë të gjallë e bëmë nga uji? A nuk do të besojnë atëherë?” [27]
Kjo njohuri ishte tashmë e disponueshme përmes kulturave të mëparshme; fjala vjen, një histori krijimi nga Egjipti i lashtë tregon pikërisht ndarjen e qiellit nga toka. Alan Alford, një studiues dhe autor, shkruan për mënyrën se si egjiptianët e shihnin krijimin e botës: “Ky është miti i ndarjes së qiellit prej tokës. Dhe vini re, kjo ndarje ndodh si një lloj katastrofe e madhe (kataklizmë).” [28]
Edhe në shkrimet sumere, si te Epi i Gilgameshit, gjejmë koncepte të ngjashme: “Kur qielli u nda nga toka, kur toka u veçua prej qiellit dhe kur nisi historia e njerëzimit.” [29]
Duke pasur parasysh të gjitha këto, pohimi se këto vargje ngërthejnë në vete mrekulli shkencore është pohim paksa i sforcuar, nuk merr parasysh mundësinë e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të) për të pasur akses në njohuritë e përbashkëta të kohës nga kulturat e tjera dhe nuk konsideron faktin se qytetërimet e hershme bënë deklarata të ngjashme. Kjo nuk do të thotë se unë adoptoj pikëpamjen absurde se Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) huazoi njohuri nga qytetërimet e tjera dhe i futi ato njohuri në Kuran, as nuk besoj se Kurani është një përfaqësim i njohurive të shekullit të 7-të. Unë besoj se Kurani është i saktë dhe i vërtetë. Pika ime kryesore këtu është se pretendimet për mrekulli përmes vargjeve kuranore nuk qëndrojnë përballë shqyrtimit intelektual dhe nevojitet një qasje e re, diçka që do ta diskutoj më vonë në këtë ese.
- Profeti Muhamed (s.a.v.s.) e kishte të pamundur qasjen ndaj njohurive që supozohet se implikohen nga ajetet kuranore.
Në sytë e një skeptiku ose kërkuesi të së vërtetës, njohuritë e disponueshme mbi historinë e ideve e bëjnë pohimin e mësipërm të pabazë. Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) mund të kishte akses në një formë të njohurive të popullarizuara në kohën e shpalljes, pasi ai u referohej edhe kulturave dhe qytetërimeve të tjera. Për shembull, duke lejuar marrëdhëniet me bashkëshorten që ushqen fëmijën me gji, Profeti (paqja qoftë mbi të) mori në konsideratë praktikat e romakëve dhe persianëve. Në hadithin në vijim thuhet:
“Kam synuar të ndaloja marrëdhëniet (bashkëjetesën) me gratë gjatë periudhës së gjidhënies, por vëzhgova traditën e romakëve dhe persianëve dhe konstatova se ata i ushqejnë fëmijët e tyre me gji pa pasur asnjë pasojë negative (nga ky akt) mbi shëndetin e nënave.” [30] [Shënim: Kjo nuk implikon se Profeti (s.a.v.s.) shfrytëzoi dijet e qytetërimeve të tjera si burim për shpalljen. Përkundrazi, në epistemologjinë teologjike islame, lidhur me çështjet mjekësore dhe teknike, inkurajohet referimi ndaj ekspertizës dhe praktikave më efikase, ashtu siç veproi edhe vetë Profeti (s.a.v.s.). http://en.islamtoday.net/node/1691.]
Ky ḥadīth autentik tregon se Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) kishte akses në praktikat mjekësore të përhapura në qytetërimet e tjera. Kështu që, për një skeptik, nuk është çudi që ai të ketë pasur akses edhe në informacione të tjera shkencore që qarkullonin asokohe.
Është e rëndësishme të theksohet se jeta ekonomike arabe e shekullit të 7-të bazohej në tregti dhe shkëmbime tregtare. Ekspeditat deri në Lindjen e Largët përbënin një fenomen të rëndomtë. Prandaj, nuk është e pamundur që të ketë pasur një shkëmbim të praktikave dhe ideve shkencore popullore. Historiani Ira M. Lapidus në librin e tij, A History of Islamic Societies, deklaron qartë se arabët në Mekë ishin tregtarë që udhëtonin anë e mbanë:
“Nga mesi i shekullit të gjashtë, si trashëgimtare e Petrës dhe Palmirës, Meka u bë një nga qytetet e rëndësishme të karvaneve në Lindjen e Mesme. Mekasit transportonin erëza, lëkurë, barna, pëlhura dhe skllevër që vinin nga Afrika ose Lindja e Largët drejt Sirisë, dhe kthenin para, armë, drithëra dhe verë në Arabi.” [31]
Rrjedhimisht, nga këndvështrimi i një skeptiku apo një hulumtuesi të së vërtetës, teza se Profeti Muhamed (s.a.v.s.) e kishte të pamundur qasjen ndaj dijeve që implikohen në ajetet kuranore rezulton e pasaktë. Kjo vjen nga fakti se probabiliteti që Profeti (paqja qoftë mbi të) të ketë shkëmbyer ide dhe praktika me kulturat e tjera është më i lartë se probabiliteti që Profeti (paqja qoftë mbi të) të mos ketë pasur akses në njohuri të tilla. Prandaj, nevojitet një qasje e re për të kapërcyer këtë pengesë intelektuale, diçka që do ta trajtoj më vonë.
3.Teleologjia e vargjeve kuranore
E gjithë narrativa e mrekullive shkencore duket se shpërfill apo anashkalon objektivat parësore teologjike të këtyre ajeteve. Këto referenca u shpallën si shenja udhëzuese për të nxitur reflektimin drejt konkluzionit se Zoti është Një dhe se vetëm Atij i takon adhurimi. Qëllimi është që ta ndiejmë e ta vlerësojmë Madhështinë, Fuqinë, Mëshirën dhe Dashurinë e Tij. Po t’u hidhni një sy shpjegimeve të librave klasik të besimit, si Akide Tahauija, do t’i gjeni të gjitha këto arsye. Thënë shkurt, ato nuk synojnë ofrimin e detajeve shkencore. Nuk është ky qëllimi i tyre. Mendimtari dhe studiuesi nga nënkontinenti indian, Amīn Aḥsan Iṣlāḥī, në punimin e tij ekzegjetik Tadabbur-e-Qur’ān, e analizon në thellësi këtë çështje:
“Krijimi i qiejve dhe i tokës dëshmon fuqinë dhe pushtetin e pashoq të Krijuesit të tyre. Mënyra se si është ndërtuar gjithësia dëshmon për mjeshtërinë e Tij unike dhe urtësinë e Tij që të lë pa mend. Kjo tregon edhe se bota është bërë për të mirën tonë dhe shkon në harmoni me nevojat e njeriut. Të gjitha këto tregojnë Hirin dhe Mëshirën e Krijuesit dhe kujdesin e Tij providencial për shërbëtorët e Tij. Përveç kësaj, këto gjithashtu demonstrojnë qartë se ekziston një qëllim më i lartë pas krijimit të kësaj jete dhe universit. Sigurisht, një univers aq i mrekullueshëm, harmonik dhe me aq shumë manifestime të urtësisë, nuk mund të jetë një krijim pa qëllim, pa drejtim dhe pa një synim më të lartë. Sipas Kur’anit, universi është krijuar për një qëllim sublim dhe është caktuar një ditë për jetësimin e plotë të tij. Harmonia midis qiejve dhe tokës tregon qartë se ato janë krijuar nga i njëjti Krijues, i Cili jo vetëm i krijoi, por edhe i drejton dhe i menaxhon ato. Dhe është vetëm skema dhe ligji i Tij që mbizotëron në to; asnjë fuqi tjetër nuk mund të ndërhyjë në asnjë mënyrë apo formë në vendimet e Tij.” [32]
Ngjashëm me këtë, profesori i filozofisë Shabbir Akhtar, te libri i tij The Qur’ān and the Secular Mind: A Philosophy of Islam, shpjegon se ato vargjet e Kuranit që flasin për natyrën, e kanë për qëllim të na drejtojnë te një rend shpirtëror të fshehur jomaterial:
“Harmonia e përsosur e natyrës dhe gjithçka që na rrethon, me ato lidhjet e tyre të imta, kanë një kuptim të thellë teologjik. Natyra nuk është thjesht kjo që shohim, por është si një kod i fshehur i një realiteti përtej saj; natyra është një tekst që pret të deshifrohet. Të gjitha provat që shohim në botën fizike e shoqërore na çojnë te një rregull shpirtëror që nuk duket me sy.”[33]
Në veprën referenciale akademike Encyclopedia of the Qur’ān, gjegjësisht te pjesa “Science and the Qur’ān”, mbështetet teza se shumica e ekzegjezës klasike mbi ajetet që i referohen botës natyrore pohon se ato synojnë nxitjen e reflektimit mbi urtësinë e krijimit (teleologjinë), e jo konsolidimin e fakteve shkencore:
“Përsiatja rreth mrekullisë së krijimit është një nga temat më të trajtuara dhe të përsëritura në literaturën e shpjegimeve klasike të Kuranit. Këto mrekulli shihen si shenja të Zotit dhe prova që Ai ekziston, është i Gjithëfuqishëm dhe i Gjithëditur, dhe është Krijuesi i vullnetshëm i çdo qenieje. Ky reflektim shpie në konstatimin se brenda krijimit mbizotëron rregulli dhe urtësia, çka domosdoshmërisht implikon ekzistencën e një Krijuesi të Urtë. Përmes meditimit mbi qiejt dhe tokën, individët ndërgjegjësohen se zanafilla e tyre nuk është produkt i rastësisë, por i një urtësie sublime dhe misteresh të thella, të cilat intelekti njerëzor e ka të pamundur t’i kapë plotësisht. Rrjedhimisht, qëllimi final i reflektimit është njohja e kufijve të dijes njerëzore dhe pamjaftueshmërisë së saj për të zbërthyer tërësinë e krijimit, e jo konsolidimi i fakteve shkencore apo të provohet pajtueshmëria e tyre me Kuranin. Pra, Kur’ani,i udhëzon njerëzit të reflektojnë mbi urtësinë e krijimit të natyrës, por nuk jep detaje mbi rendin natyror ose mbi mënyrat e deshifrimit të tij; këto detaje, nëse dhe kur shfaqen në komentet klasike kuranore, janë nxjerrë nga njohuritë shkencore mbizotëruese të kohës.”[34]
Kështu që, këto vargje duhet t’i shohim si dritare për të hapur mendjen e shpirtin tonë, që të kuptojmë se Zoti është Një, i Lartë e i Plotfuqishëm. Nuk është rastësi që dijetari i shekullit të XIV-të, Imam Al-Shatibi, e kundërshtonte instrumentalizimin e shkencës në ekzegjezë, duke argumentuar se kjo qasje e devijon lexuesin nga reflektimi i mirëfilltë:
“Shumë njerëz i kanë tejkaluar caqet duke ngritur pretendime të pabaza mbi Kur’anin, kur i atribuuan atij çdo lloj dijeje të së shkuarës dhe të tashmes, si shkencat natyrore, matematikën dhe logjikën.” [35]
Nga një perspektivë empirike ose shkencore, këto vargje mund të ofrojnë gjithashtu stimuj intelektualë për të inkurajuar dëgjuesin ose lexuesin që të shqyrtojë ndërlidhjen e fenomeneve natyrore dhe të eksplorojë dimensionet e brendshme të realitetit. Kështu, kur Zoti thotë në Kur’an: “A nuk e kanë ditur ata që nuk besuan se qiejt dhe toka ishin një pjesë e vetme, pastaj Ne i ndamë ato…”, kjo mund të inkurajojë shkencëtarin besimtar që të kërkojë përgjigje lidhur me origjinën e universit dhe të kërkojë gjurmë rreth një fillimi kozmik. Pra, në vend që të na japë përgjigjet, Kur’ani na inkurajon t’i kërkojmë ato vetë.
4.Shkencizmi, Problematika e Metodës Induktive dhe Empirizmi
Jalees Rehman, kërkues shkencor në kardiologji pranë Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Indianës, e shpjegon shumë bukur dhe shkurt një nga problemet kryesore të historisë së mrekullive shkencore. Ai thotë:
“Një rrezik i tentativave të tilla për të ndërlidhur shkencën moderne me Kuranin është se kjo krijon një lidhje midis urtësisë dhe të vërtetës së përjetshme të Kuranit me idetë kalimtare e të ndryshueshme të shkencës moderne.” [36]
Ajo që Rahmani kërkon të thotë është se ka një problem filozofik kur themi se vargjet e Kuranit janë mrekulli shkencore. Problemi është se shkenca nuk pretendon siguri apo vërtetësi 100%, dhe përdorimi i shkencës si metodë për të vërtetuar natyrën absolute të Kuranit është i gabuar. Shkenca, nga vetë natyra e saj, nuk është statike, ajo është dinamike. Konkluzionet e saj ndryshojnë me kalimin e kohës, madje edhe ato që për një kohë të gjatë janë menduar të jenë fakte të vërtetuara. Narrativa e mrekullive shkencore lë të nënkuptohet se shkenca është e vetmja rrugë për të arritur tek e vërteta, një qasje e njohur ndryshe si shkencizëm.
Ketu jane tre gjera qe duhen dikutuar:
- Shkenca nuk pretendon siguri absolute apo vërtetësi 100%.
- Shkenca është dinamike dhe, si e tillë, ndryshon me kalimin e kohës.
- Shkenca nuk është rruga e vetme për të gjetur e shpjeguar të vërtetën rreth botës ku jetojmë.
Shkenca nuk pretendon siguri absolute apo vërtetësi 100%
Filozofia e shkencës është një fushë studimi që përpiqet të trajtojë se si ne mund të nxjerrim njohuri nga eksperimentet shkencore dhe të dhënat empirike. Problemet kryesore në filozofinë e shkencës përfshijnë induksionin dhe empirizmin, pasi të dyja kanë kufizime në fushëveprimin e tyre. Me të kuptuar këtë, do ta kemi më të lehtë të pranojmë se faktet shkencore nuk janë asnjëherë 100% të sigurta dhe se gjithmonë ka vend për dyshim.
Induksioni: Induksioni është ajo mënyrë e të menduarit ku nisemi nga raste të veçanta për të nxjerrë një rregull të përgjithshëm. Argumentet që bazohen te induksioni mund të kenë gjasa shumë të vogla ose shumë të mëdha për të qenë të sakta, por nuk janë asnjëherë 100% të sigurta.
Ja një shembull se si funksionon induksioni:
“Si rezultat i vrojtimit, kam arritur në përfundimin se nëse e godet thesin e boksit saktë dhe me doreza, nuk lëndohesh asnjëherë. Rrjedhimisht, askush nuk ka për t’u lënduar kur të përdorë një thes boksi.”
Siç mund të shihet nga shembulli i mësipërm, induksioni përballet me një problem kyç i cili është paaftësia për të garantuar përfundimin, sepse një përgjithësim i gjerë nuk mund të bëhet nga një numër i kufizuar vrojtimesh. Ajo që mund të na japë janë vetëm gjasat, që mund të jenë të vogla ose shumë të mëdha. Në shembullin e lartpërmendur, personi që bëri deklaratën nuk ka si ta provojë logjikisht se personi tjetër që do të godasë një thes boksi nuk do të lëndohet.
Pra, i gjithë problemi me induksionin është se ai nuk të jep dot siguri të plotë. Kjo çështje u trajtua nga filozofi skocez i shekullit të XVIII-të, David Hume, në veprën e tij An Enquiry Concerning Human Understanding. Hume argumentoi se arsyetimi induktiv nuk mund të prodhojë asnjëherë siguri të pakontestueshme. Ai konkludoi se kalimi nga një sasi e limituar fenomenesh të vrojtuara drejt artikulimit të përfundimeve për një sasi të pakufizuar fenomenesh të pavrojtuara, e tejkalon dëshminë aktuale të shqisave dhe regjistrat e kujtesës sonë.[37]
Nga ana praktike e shkencës, nuk mund të jemi kurrë të sigurt kur nxjerrim një rregull të përgjithshëm për një grup të tërë apo për rastin e radhës duke u nisur nga pak të dhëna. Mendoni pak këtë shembull: një shkencëtar shkoi në Uells dhe donte të mësonte se çfarë ngjyre kanë delet (duke presupozuar mungesën e njohurive apriori mbi këtë tipar). Ai filloi të vëzhgonte delet dhe të regjistronte se çfarë ngjyre kishin. Pas 150 vrojtimeve të deleve, ai zbuloi se të gjitha ishin të bardha. Përmes metodës induktive, studiuesi konkludoi se të gjitha delet janë të bardha. Ky shembull bazë nxjerr në pah natyrën problematike me procesin e induksionit pasi ne e dimë se delet mund të jenë edhe të zeza. Nuk do të arrihet kurrë siguria duke përdorur induksionin, sepse gjithmonë ekziston mundësia që vëzhgimet e reja të minojnë përfundimin e mëparshëm.
Profesori Alex Rosenberg, në veprën e tij Philosophy of Science: A Contemporary Introduction, konkludon se kjo përbën një problematikë qendrore me të cilën ballafaqohet shkenca; ai thekson:
“Në këtë pjesë kemi shqyrtuar një tjetër problematikë me të cilën ballafaqohet empirizmi si epistemologjia zyrtare e shkencës: problemin e induksionit, i cili e ka zanafillën te Hume dhe paraqet një problem si për empiristët, ashtu edhe për racionalistët.” [38]
Empirizmi: Empirizmi thotë se e vetmja mënyrë për të marrë njohuri rreth një teme, apo për të kuptuar idetë që lidhen me të, është vetëm përmes asaj që perceptojmë me shqisa. Filozofi Elliot Sober e shpjegon këtë ide te eseja e tij Empiricism:
“Empiristët postulojnë se është e palogjikshme të besohet si e vërtetë një teori e cila flet për fenomene e gjëra të pavrojtueshme. Për një empirist, edhe nëse një teori ka kuptim llogjik, e vetmja mënyrë për të ditur nëse ajo vlen në praktikë është vetëm përmes vrojtimeve.” [39]
Empirizmi ka të metat dhe problemet e veta logjike. Një lloj i tij – që mund ta quajmë empirizëm i fortë – pranon si të vërteta vetëm gjërat që mund të shihen apo maten. Kjo formë e empirizmit përballet me një mori problemesh logjike. Problemi më i madh me empirizmin e skajshëm është se ai flet vetëm për realitete që mund t’i vrojtojë direkt dhe nuk mund të dalë në përfundime për gjëra të pavrojtuara. Elliot Sober shpjegon këtë problem:
“Empiristët duhet t’u japin përgjigje problemeve që lidhen me mënyrën se si ne i perceptojmë gjërat. Mënyra më e thjeshtë për të shpjeguar se si shohim një objekt është të themi se drita kalon nga objekti te sytë tanë, duke na krijuar kështu një përvojë vizuale. Sidoqoftë, padukshmëria e maceve të bardha gjatë stuhive të dëborës dhe fakti që ne perceptojmë silueta (siç ndodh me hënën gjatë një eklipsi) demonstron se ky kusht nuk është as i mjaftueshëm dhe as i domosdoshëm.” [40]
Për ta kuptuar më mirë shembullin e Sober-it, imagjinoni sikur shihni një mace të bardhë që del nga shtëpia dhe ecën drejt një stuhie bore; ju e shihni atë teksa i afrohet stuhisë derisa ajo zhduket nga sytë tuaj. Qasja e një empiristi të fortë do të ishte të mohonte se ka një mace në stuhinë e dëborës, ose të paktën të pezullonte çdo pretendim për njohuri. Megjithatë, bazuar në mjete të tjera intelektuale në dispozicionin tuaj, ju do të arrinit në përfundimin se ka një mace të bardhë në stuhinë e dëborës, pavarësisht nëse mund ta vëzhgoni apo jo.
Problemet e empirizmit të skajshëm nuk kanë kaluar pa u vënë re nga vetë empiristët. Ata kanë reaguar duke e zbutur përkufizimin e tyre mbi empirizmin, duke e ridefinuar atë si pikëpamjen sipas së cilës ne mund të njohim diçka vetëm nëse ajo konfirmohet apo mbështetet nga eksperienca shqisore – qasje të cilën do ta emërtoj empirizëm i butë-. Të tjerë kanë ruajtur në mënyrë dogmatike pikëpamjen se e vetmja rrugë drejt të vërtetës është nëpërmjet vëzhgimit të drejtpërdrejtë, dhe të qenit i mbështetur nga vëzhgimi nuk mjafton. Ky dallim ka krijuar një ngërç të pazgjidhur për empiristët. Cottingham e sqaron këtë problem në librin e tij Rationalism:
“Por çfarë mund të themi për fjalinë ‘i gjithë uji vlon në 100 gradë Celsius në një presion të caktuar’? Duke qenë se ky pohim merr formën e një përgjithësimi universal të pakufizuar, rrjedhimisht asnjë sasi e fundme vrojtimesh nuk mund ta etablojë përfundimisht vërtetësinë e tij. Një problem shtesë dhe ndoshta edhe më shqetësues është se kur arrijmë në nivelet më të larta të shkencës… ne ndeshemi me struktura dhe entitete që nuk janë të vrojtushme në asnjë kuptim të drejtpërdrejtë. Atomet, molekulat, elektronet, fotonet dhe të ngjashme janë konstrukte teorike shumë komplekse… këtu duket se jemi shumë larg nga bota e ‘vrojtimit empirik’ të drejtpërdrejtë… Pozitivistët u orvatën t’i përgjigjeshin kësaj dileme duke e zbutur kriterin e tyre mbi atë se kur konsiderohet një pohim kuptimplotë… u propozua që një pohim ishte kuptimplotë nëse ai mund të konfirmohej ose mbështetej nga eksperienca shqisore. Megjithatë, ky është një kriter i dobët dhe shumë i paqartë… Pohimet mbi Zotin apo Lirinë, apo mbi natyrën e Substancës, ose Absoluten, mund të mos jenë drejtpërdrejt të verifikueshme përmes eksperiencës empirike… Rrjedhimisht, këtu pozitivizmi gjendet në një rrugë pa krye. Ose duhet të këmbëngulë në kriterin strikt dhe, si rrjedhojë, të përjashtojë postulatet teorike të vetë shkencës, ose në të kundërt të bëjë kompromis mjaftueshëm sa për t’u hapur rrugë spekulimeve metafizike. Ky është një problem që as sot nuk ka gjetur zgjidhje…” [41]
Bazuar në atë çfarë u tha deri më tani, kuptuam se induksioni dhe empirizmi janë mjetet përmes të cilave shkenca nxjerr përfundimet e saj, e si rrjedhojë, ajo asnjëherë nuk mund të pretendojë se përfundimet e saj janë absolute. Përherë do të ketë fenomene të pavrojtuara, për rrjedhojë, nuk ekziston asnjë garanci që vëzhgimet e së ardhmes do të përputhen domosdoshmërisht me ato paraprake. Vrojtimet tona nuk përfshijnë të gjitha fenomenet, prandaj shkenca është e përkohshme. Me fjalë të tjera, ajo mund të ndryshojë bazuar në vrojtimet e ardhshme. Me qëllim që shkenca të gëzojë vërtetësi absolute, do të ishte i domosdoshëm vëzhgimi i tërësisë së fenomeneve natyrore. E diçka e tillë mbetet tërësisht e pamundur.
Andaj, ta përdorësh shkencën, përfundimet e së cilës janë përherë në lëvizje, për të provuar vërtetësinë e një libri i cili përmban të vërteta të pakontestueshme, është qartësisht problematike dhe jokoherente.
Shkenca është dinamike dhe, si e tillë, ndryshon me kalimin e kohës
Të thuash se një ajet i Kuranit është një ‘mrekulli shkencore’, është jokoherente. Për një arsye shumë të thjeshtë, konstatimet e shkencës ndryshojnë me kohën, si pasojë e vrojtimeve e të gjeturave të reja. Të bësh një pretendim të tillë, pra, se një ajet kuranor përmban ‘mrekulli shkencore’, do të thotë të garantosh se një pretendim i caktuar shkencor nuk ka për të ndryshuar kurrë. E një garanci e tillë do të ishte asgjë tjetër veçse injorancë. Injorancë në raport me natyrën dinamike të vetë shkencës, si dhe ndaj problematikave të pandashme të instrumenteve të saj njohëse, përkatësisht induksionit dhe empirizmit. Këto problematika të induksionit dhe empirizmit (të trajtuara në seksionin paraprak) shpjegojnë vetë shkakun e natyrës dinamike të shkencës. Pra, për ta përmbledhur, ekziston përherë mundësia për realizimin e vrojtimeve të reja apo për nxjerrjen në dritë të të dhënave të reja. Si përfundim, e kemi të pamundur të shpallim ndonjë ajet si ‘mrekulli shkencore’, sepse kjo do të kërkonte që shkenca të ishte statike. Dhe kjo gjë dihet që është e pamundur.
Për ta shpjeguar këtë pikë qartë, merrni në konsideratë myslimanët që jetonin në shekullin e 19-të. Shkenca dhe akademia e asaj kohe pohonin se universi është statik dhe pa fillim, e njohur si steady state theory. Përderisa Kurani thotë se universi ka një fillim, a do të thoshte kjo që myslimanët e shekullit të 19-të duhej ta hidhnin poshtë Kuranin? Patjetër që jo, sepse çdo mysliman beson se Kurani është fjalë e Zotit, dhe Zoti nuk gabon kurrë. Muslimanët nisen nga bindja se Kurani është fjalë e Zotit dhe se herët a vonë, shkenca do të arrijë të vërtetojë se si ajetet përputhen me realitetin. Pra, fakti që ne ajetet kuranore i besojmë përherë si të mirëqena, e përfundimet e shkencës përherë me mundësi ndryshimi, e dekonstrukton tërësisht narrativën e ‘mrekullive shkencore në Kuran’.
Shkenca nuk është rruga e vetme për të gjetur e shpjeguar të vërtetën rreth botës ku jetojmë
Një tjetër problematikë e narrativës së ‘mrekullive shkencore’ qëndron në faktin se ajo sikur lë të nënkuptohet që shkenca është e vetmja rrugë apo metodë përmes së cilës mund të shpjegojmë realitetin e botës ku jetojmë. Qëndrim filozofik i njohur me termin shkencizëm. Thënë thjesht, shkencizmi pretendon se një deklaratë nuk është e vërtetë nëse nuk mund të provohet shkencërisht. Pra, sipas shkencizmit, një deklaratë o vërtetohet përmes metodës shkencore, o klasifikohet si e rreme. Megjithatë, shkencizmi ka disa probleme shumë të mëdha, si për shembull:
- Shkencizmi është vetëmposhtës. Ai thotë se një pohim nuk mund të merret si i mirëqenë nëse nuk mund të provohet shkencërisht. Por problemi është se vetë pohimi në fjalë nuk mund të provohet shkencërisht! Kjo është njësoj si të thuash “nuk ka fjali në gjuhën shqipe më më shumë se tre fjalë” ose “unë nuk mund të flas asnjë fjalë shqip. [42]
- Shkencizmi e ka të pamundur të vërtetojë të vërtetat e domosdoshme (apriori), siç janë matematika dhe logjika. Për shembull, po ndodhi P patjetër do të ndodhë edhe Q, andaj, nëse konstatojmë se ndodhi P, rrjedhimisht patjetër duhet të konstatojmë që ndodhi edhe Q. [43] Gjithashtu, të vërteta si 3 + 3 = 6, janë të vërteta të domosdoshme dhe jo thjesht përgjithësime me bazë empirike.”[44]
- Scientizmi nuk arrin dot të provojë të vërtetat që lidhen me moralin apo estetikën. Për shembull dashuria, bukuria, e drejta dhe e gabuara.
- Shkenca nuk arrin dot të vërtetojë burime të tjera të njohjes. Për shembull, bindjet tona të cilat mbështeten mbi një ‘dëshmi autentike’. Rrjedhimisht, e vërteta mund të arrihet edhe përtej kornizave të paradigmës së shkencave empirike, një fakt i cili përbën një sfidë të pakapërcyeshme për shkencizmin. Siç u theksua paraprakisht, dëshmia autentike përbën një burim legjitim njohjeje, mbi të cilin epistemologët kanë debatuar gjerësisht për të demonstruar se pohimet e të tjerëve — kur plotësojnë kritere të caktuara — mund të shërbejnë si themel për të vërtetën.
Epistemologjia e dëshmisë përbën atë degë të teorisë së njohjes e cila “preokupohet me mënyrën se si ne përftojmë dije dhe besim të justifikuar prej pohimeve të individëve të tjerë”.[45] Ndaj, një nga pyetjet më të rëndësishme që ajo ngre është “se si arrijmë ne të krijojmë bindje të saktë apo të marrim njohuri të vërteta, duke u bazuar thjesht tek ajo që na thonë njerëzit e tjerë?.”[46]
Shumë prej bindjeve tona që ne i marrim si të mirëqena, kanë për bazë dëshminë e të tjerëve, pra, sepse ne u zëmë besë fjalëve të të tjerëve kur nuk kemi asnjë arsye të fortë për t’i hedhur poshtë ato. Kjo bëhet edhe më e padiskutueshme kur kemi shumë njerëz që na tregojnë të njëjtën gjë përmes rrugëve krejtësisht të ndryshme (diçka që në mendimin islam njihet si transmetimi tevatur). Profesori C. A. J. Coady nënvizon disa prej të vërtetave që ne i pranojmë duke u mbështetur te dëshmia, ai shkruan:
“Shumë prej nesh nuk e kanë parë asnjëherë me sytë e tyre se si lind një fëmijë, ashtu siç shumica prej nesh nuk e ka vëzhguar kurrë qarkullimin e vet të gjakut…” [47]
Profesori Benjamin McMyler te libri i tij Testimony, Truth and Authority, shpjegon se si disa nga gjërat që ai di, i ka mësuar thjesht përmes dëshmive të të tjerëve. Ai shkruan:
“Ja disa gjëra që unë i di me siguri. Unë e di që gjarpri copperhead është gjarpri helmues më i përhapur në zonën e Hjustonit. Unë e di se Napoleoni pësoi disfatë në Betejën e Vaterlosë. E di që, teksa po shkruaj këto rreshta, çmimi mesatar i benzinës në SHBA është 4.10 dollarë për gallon. Si dhe e di faktin që prindërit e mi janë rikthyer së fundmi nga një udhëtim në Kanada. Të gjitha këto gjëra unë i di falë asaj që epistemologët e quajnë ‘dëshmi’, pra, i di thjesht sepse dikush tjetër ose një grup njerëzish m’i kanë thënë.” [48]
Ndonëse kjo përbën një tematikë të gjerë, ekziston një konsensus i përgjithshëm sipas të cilit dëshmia autentike përfaqëson një burim legjitim njohjeje. Megjithatë, ka mosmarrëveshje mes epistemologëve, se si mund ta vërtetojmë saktësisht dijen që na vjen nga dëshmitë. Vetë shkencëtarët kanë nevojë për dëshminë si një burim njohjeje me qëllim që të kuptojnë vetë shkencën. Për shembull, shumë gjëra që merren të mirëqena në shkencë, bazohen thjesht tek ajo që kanë thënë shkencëtarët e mëparshëm.
Pavarësisht debateve, pika kryesore për t’u ngritur këtu është se ajo është një burim i vlefshëm njohjeje. Rrjedhimisht, qasja sipas së cilës shkenca është mjeti i vetëm për të vendosur të vërtetën, është e pasaktë. Profesori Keith Lehrer e përmbledh vlefshmërinë e dëshmisë si burim njohjeje si vijon:
“Pyetja vendimtare ne lidhje me pranimin eshte kjo: Çfarë e bën pranimin e fjalëve të të tjerëve të kthehet në një njohuri të mirëfilltë? Si fillim, ne vetë duhet të jemi të aftë dhe të saktë kur vlerësojmë nëse të tjerët janë të besueshëm, dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë aftësi. Për më tepër, ky vlerësim i yni duhet të na çojë vërtet te e vërteta, domethënë, personat e tjerë duhet të jenë realisht të besueshëm dhe fjalët e tyre duhet të përputhen me të vërtetën. Ne duhet ta pranojmë këtë fakt. Me pak fjalë, kur ne besojmë dëshminë e dikujt, ky besim duhet të jetë aq i bazuar sa të mos hidhet poshtë nga asnjë gabim i yni në vlerësimin që i bëjmë atij personi apo fjalëve të tij. Kur pranimi i dëshmisë së të tjerëve është i drejtë, i pamposhtur dhe i pakundërshtueshëm, atëherë kjo quhet njohuri.” [49]
Nga e gjithë kjo nxjerrim një përfundim llogjik: meqë shkenca nuk është e vetmja rrugë për të kuptuar se si qëndrojnë gjërat, atëherë ne duhet të pranojmë se ka edhe mënyra të tjera për të marrë njohuri. Pra, të mendosh se shkenca është i vetmi kut matës për të vërtetuar nëse Kurani është i saktë apo jo, është thjesht gabim.
5.Vargje “joshkencore”
Disa nga ajetet e Kuranit mund të duken aktualisht “joshkencore”. Kjo nuk nënkupton se Kurani është i gabuar apo se nuk ka origjinë Hyjnore (siç kemi diskutuar tashmë më sipër se shkenca nuk është e vetmja mënyrë për të dhënë pretendime të vërteta rreth botës dhe realitetit, dhe se ajo përballet me probleme në mënyrën se si e nxjerr njohurinë nga të dhënat empirike), përkundrazi kjo mund të tregojë se njohuria jonë shkencore është e kufizuar dhe nuk ka arritur ende në përfundimet e duhura. Arsyeja e përfshirjes së ajeteve joshkencore në këtë pikë shërben për të nënvizuar inkoherencën e metodologjisë së ‘mrekullive shkencore’ në Kuran. Këtë e themi sepse nëse shkenca do të ishte vërtet kut matës për të provuar se Kurani është nga Zoti, atëherë çdo ajet pa përjashtim do të duhej të përputhej me shkencën. Duke qenë se disa ajete aktualisht nuk përputhen me shkencën, mbeten dy mundësi: ose Kurani gabohet (dhe nuk është nga Zoti), ose Kurani ka të drejtë, është nga Zoti, dhe shkenca do ta kapë hapin më vonë. jo dilemë, të paktën për myslimanët, zgjidhet duke pohuar origjinën Hyjnore të Kuranit dhe natyrën e kufizuar të shkencës. Në këtë rast, narrativa e ‘mrekullive shkencore’ bie poshtë, dhe çfarë duhet të themi është: Kurani vjen nga Zoti; për rrjedhojë, shkenca që përputhet me të është e saktë, ndërsa ajo që bie në kundërshtim është e pasaktë.
Ja një ilustrim i një ajeti “joshkencor”. Kurani pohon se:
“Ne u thamë: ‘Zbritni prej aty të gjithë!’ Kur t’ju vijë prej Meje udhëzim, ata që ndjekin udhëzimin Tim, nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar e as për t’u lënduar.” [50]
Ajeti i mësipërm i referohet Ademit dhe Havës (paqja qoftë mbi ta). Ai thotë se ata u zbritën nga xheneti në tokë, duke nënkuptuar se ata ishin krijuar dhe formuar plotësisht si njerëz përpara se të shkelnin në tokë. Ky kuptim i drejtpërdrejtë dhe tradicional i ajetit bie ndesh me atë që thotë shkenca. Teoria e evolucionit pohon se qeniet njerëzore u formuan përmes seleksionimit natyror dhe mutacioneve të rastësishme në tokë gjatë një periudhe të gjatë kohore. Disa përpiqen ta pajtojnë evolucionin me Kuranin duke thënë: “E pranojmë evolucionin për kafshët, por krijimi i Ademit ishte mrekulli më vete”. Problemi këtu është se provat shkencore që përdoren për evolucionin e kafshëve janë fiks të njëjtat që përdoren edhe për evolucionin e njeriut. Ndaj, nuk ka kuptim llogjik që t’i besosh këto prova për kafshët e t’i mohosh për njerëzit; kjo do të ishte njëlloj si ta hidhje poshtë të gjithë shkencën si metodë.[51]
6.Mrekullitë, Qartësia dhe një Shpjegim i Shkurtër mbi Interpretimin e Kuranit
Të thuash që diçka është mrekulli do të thotë që ajo nuk mund të shpjegohet dot me ligjet e natyrës. Pra, që një ajet kuranor të quhet “mrekulli shkencore”, duhet që së pari të mos ketë pasur asnjë mundësi që njerëzit e asaj kohe ta dinin atë gjë, dhe së dyti, të mos ketë asnjë mënyrë tjetër për ta përkthyer apo kuptuar atë ajet nga ana gjuhësore. Ky përkufizim i mrekullisë tregon se sa pa llogjikë është metoda që përdorin shumë njerëz sot kur mundohen me çdo kusht të gjejnë mrekulli shkencore në Kuran.
Për ta parë nga ana gjuhësore, që një ajet të quhet mrekulli, ai duhet të ketë vetëm një kuptim të vetëm e të prerë. Nëse ka edhe kuptime të tjera, është më racionale të përzgjidhet kuptimi më i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë, sesa atë që pretendon të jetë mrekulli. Një ajet mund të jetë mrekulli shkencore vetëm nëse nuk ka asnjë lidhje mes asaj që thuhet dhe njohurive apo shkencës që ekzistonte në atë kohë. Por, duke qenë se gjuha e Kuranit lejon shumë kuptime për të njëjtën fjalë, atëherë vetë ideja e mrekullisë bie poshtë. Fakti që gjuha e përdorur në Kuran për ajetet që u referohen fenomeneve natyrore nuk është e prerë dhe përfundimtare, dëshmon se narrativa e ‘mrekullive shkencore’ është jo vetëm problematike, por edhe e rrezikshme. Thënë troç, këto ajete mbartin kuptime më të qarta, më të natyrshme dhe më të thjeshta, të cilat ishin të kapshme për njerëzit edhe konform njohurive shkencore të kohës kur u shpall Kurani. Rrjedhimisht, përderisa është e mundur të gjejmë një shpjegim më racional dhe më të thjeshtë, pretendimi për ekzistencën e një mrekullie mbetet i paqëndrueshëm.
Disa sqarime rreth interpretimit (tefsirit) të Kuranit
Që një ajet i Kuranit të quhet mrekulli shkencore, kuptimi që i jepet një fjale apo vargu duhet të jetë i prerë dhe i vetmi i mundshëm. Në dritën e shkencës së tefsirit (interpretimit) të Kuranit, një qëndrim i tillë është i paqëndrueshëm. Në shkencën e ekzegjezës kuranore (e njohur si usul ul-tefsir në arabisht), kur një ajet ose fjalë nuk është shpjeguar përmes traditave profetike (hadithit) dhe thënieve të shokëve të Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të) dhe nxënësve të tyre, atëherë ofrohet kuptimi gjuhësor si shpjegim. Për këtë shikohen fjalorët e vjetër të arabishtes klasike. Aty zbulojmë se një fjalë e vetme mund të ketë shumë kuptime të ndryshme. Bazuar në rregullat e tefsirit, nuk mund të pretendohet se njeri nga disa kuptimet e mundshme në mënyrë përfundimtare është i vërteti. Pra, nuk mund të garantohet se Zoti në librin e tij, me shprehjen X synon kuptimin Y. Kjo natyrë e papërcaktuar e një fjale dëshmon se pretendimi për mrekulli është metodologjikisht i gabuar, pasi ai do të presupozonte se kuptimi i zgjedhur është pikërisht ai që ka synuar Zoti.
Një qasje e re
Çfarë tani? Si t’ia bëjmë me narrativën e ‘mrekullive shkencore’ e cila ka zënë vend kaq shumë në ligjërimin tonë? Si mund ta transformojmë këtë narrativë? Përgjigjja është e thjeshtë: na duhet një qasje e re. Kjo është ajo që Profesori i Fizikës dhe Astronomisë, Nidhal Guessoum, e quan qasja “e shumëfishtë dhe me shumë nivele”. [52]
Qasja e re bazohet në aksiomat dhe parimet e mëposhtme:
- Kurani është i hapur ndaj shumë kuptimeve dhe niveleve të ndryshme të leximit.
- Mënyra se si e kuptojmë natyrën dhe shkencën ndryshon dhe përmirësohet me kalimin e kohës.
- Kurani nuk përmban pasaktësi apo gabime.
- Në rastin e ndonjë dallimi të pakapërcyeshëm mes një pohimi kuranor dhe një pohimi shkencor, duhet të veprohet si më poshtë:
- Të kërkohen kuptime te ajeti që përputhen me ato që thotë shkenca.
- Nëse fjalët e ajetit nuk pajtohen me asnjë kusht me atë që thotë shkenca, atëherë besohet se shkenca ka akoma për t’u zhvilluar.
- Të kërkohet një kuptim që nuk ka lidhje me shkencën. Vetë ajeti mund të flasë për gjëra që nuk preken, si bota e padukshme, shpirti apo pyetjet e mëdha të ekzistencës.
Mustansir Mir, Profesor i Studimeve Islame në Youngstown State University, argumenton për një qasje të ngjashme. Ai shkruan:
“Nga një këndvështrim gjuhësor, është plotësisht e mundur që një fjalë, frazë ose deklaratë të ketë më shumë se një shtresë kuptimore, në mënyrë të tillë që njëra shtresë të ketë kuptim për një audiencë në një epokë dhe një shtresë tjetër kuptimi, pa e mohuar të parën, të jetë domethënëse për një audiencë tjetër në një epokë pasardhëse.”
“Fjala jesbahun یَسۡبَحُون (notojnë ose lundrojnë) në ajetin ‘Dhe Ai është Ai që krijoi natën dhe ditën, Diellin dhe Hënën – secili noton në një orbitë’ (K 21:33) kishte shumë kuptim për arabët e shekullit të shtatë që vëzhgonin fenomenet natyrore me sy të lirë; ajo është po aq domethënëse për ne në dritën e gjetjeve shkencore të sotme [p.sh. mekanika qiellore].” [53]
Fjala ‘alekah (عَلَقَة), që haset në Kuran, mund të ketë disa kuptime: diçka që ngjitet, një shushunjë apo krimb, si dhe një gjak i mpikur apo gjak në përgjithësi. Ky term përdoret për të përshkruar një periudhë të caktuar të rritjes së embrionit në barkun e nënës. Duke e parë këtë fjalë me “shumë nivele”, mund të nxjerrim këto kuptime:
- Kuptim i përshtatshëm për kohën: Termi ‘alekah (عَلَقَة) që i referohet embrionit si një substancë ngjitëse dhe një mpiksje gjaku mund të shihej me sy të lirë, pasi mjekët helenë dhe hebrenjtë e lashtë që paraprijnë shpalljen kuranore gjithashtu e përshkruan embrionin si një substancë ngjitëse dhe një mpiksje gjaku.[55] Rrjedhimisht, parë nga ky këndvështrim, ajeti përputhet plotësisht me njohuritë shkencore që njerëzit kishin në atë kohë.
- Kuptim i përshtatshëm për kohën tonë: Fjala ‘alekah (عَلَقَة) i referohet gjithashtu një krimbi ose një shushunje. Kjo nënkupton një ngjashmëri , qoftë në strukturën e jashtme ashtu edhe në atë të brendshme, midis embrionit në fazat e hershme dhe shushunjës.[56] Një detaj i tillë ka qenë i pamundur të zbulohej para shekullit të 17-të. Edhe pse embrioni në këtë fazë (ditët 22-25) mund të dallohet me sy, ai është sa një kokërr gruri, ka i bën hollësitë e tij të padallueshme pa ndihmën e mikroskopit [57], cili u shpik, përafërsisht, në fund të shekullit të 16-të. Më poshtë keni disa imazhe nga punimi i Elias Kareem, Embryology in the Qur’ān: The ‘alaqah Stage [59]:
Figura 1: Pamja e jashtme e shushunjës krahasuar me embrionin
Figura 1: A, pamja anësore e një embrioni (2.5-3.0 mm) në ditët 24-25. (Marrë nga libri i Moore & Persaud: The Developing Human). B, Hirudo medicinalis, shushunja mjekësore (nga dokumentari i BBC, The Human Body, 1998). C, Imazh i marrë me mikroskop elektronik i një embrioni në javën e 4-të (26-30 ditë). (Nga Profesoresha Kathy Sulik). Vini re se sa shumë i ngjan embrioni njerëzor një shushunje në këtë periudhë.
Figura 2: Struktura e brendshme e një shushunje e krahasuar me embrionin
Figura 2: A, Diseksion ventral që tregon strukturën anatomike të brendshme të një shushunje. (Nga J.G. Nicholls dhe D. Van Essen. Sistemi nervor i shushunjës, 1974, Scientific American 230:38-48.) B, Pamje dorsale e një embrioni me 13 somite në afërsisht 24 ditë, madhësia aktuale 3.0 mm. (Nga Profesori Hideo Nishimura, Universiteti i Kiotos, Kioto, Japoni). Vini re ngjashmërinë e jashtëzakonshme në dukje midis embrionit njerëzor dhe strukturës së brendshme të shushunjës.
Por, kjo nuk do të thotë me patjetër se kemi të bëjmë me një mrekulli, sepse ky shpjegim i fjalës ‘alekah nuk është i prerë; një skeptik mund të pretendonte me lehtësi se bëhet fjalë për një rastësi gjuhësore. Këtu qëndron edhe problematika e kalimit nga kuptimi literal në atë metaforik. Ndonëse kjo tejkalon objektivat e kësaj eseje, unë mbroj tezën se njohja e thellë e stilistikës arabe dhe kuranore mundëson që kjo fjalë të perceptohet si ‘morfologjikisht e ngjashme’ me shushunjën apo krimbin, pa thënë se është vërtet e tillë. Sido që të jetë, qëllimi im nuk është të vërtetoj mrekullinë, por të tregoj se Kurani ka shumë shtresa kuptimi dhe mund t’u flasë njerëzve në mënyra dhe kohë të ndryshme.
- Kuptim shpirtëror që nuk vjetrohet: Shushunja operon si një parazit; ajo ngjitet në trupin e mbartësit të saj dhe fillon t’i thithë gjakun. Edhe embrioni i ngjan një paraziti, sepse ushqehet me energjinë dhe burimet e nënës. Kjo na kujton se duhet të jemi pafundësisht mirënjohës dhe të përulur ndaj prindërve tanë, e sidomos ndaj nënës, e cila u sakrifikua që ne të vinim në jetë. Kjo ngre perspektivën se ne nuk jemi vërtet të pavarur, të vetëmjaftueshëm apo të lirë, pasi që në zhvillimin tonë në mitër ne jemi të varur nga nënat tona. Ky mendim na mëson të jemi modestë dhe të kuptojmë se në një farë mënyre të gjithë jemi të varur nga njëri-tjetri, e mbi të gjitha, jemi të varur nga Zoti.
Çuditërisht, këtë krahasim mes shushunjës dhe embrionit e ka bërë edhe Lord Robert Winston, profesor në Imperial College dhe një nga emrat më të njohur në studimet mbi fertilitetin:
“Shushunja merr çfarë i duhet për të jetuar duke thithur gjakun e kujtdo që i kapet. Teksa thith gjakun, ajo nxjerr prej tij çdo gjë që i nevojitet për të mbijetuar, pra, ajo praktikisht jeton përmes mbartësit të saj. E gjithë shtatzënia është e ndërtuar mbi një marrëdhënie të tillë parazitare. Edhe pse embrioni nuk e thith gjakun e nënës ashtu si shushunja, ai sërish e vjel atë gjak për të marrë materialet që i duhen për t’u rritur. Që nga momenti i parë, si shushunja, ashtu edhe embrioni, mendojnë vetëm për veten e tyre.” [60]
- Zbulimet e ardhshme: Në rastet kur nuk arrijmë të vendosim një urë lidhëse mes kuptimit të një ajeti dhe shkencës bashkëkohore, ne mund ta shfrytëzojmë atë interpretim si shtysë për kërkimin e të dhënave të reja shkencore.
Nëse një analizë me shumë nivele nuk jep ndonjë rezultat domethënës për momentin, kjo nuk do të thotë se ajeti është i gabuar; thjesht mund të presim që një zbulim shkencor në të ardhmen të na hapë rrugën për ta kuptuar atë më mirë. Kjo qasje mbështetet mbi aksiomën se teksti kuranor është i mbrojtur nga pasaktësia apo gabimi. Dhe ky nuk është një besim i verbër, sepse ka pafund prova që tregojnë se Kurani vjen nga Zoti. Edhe pse nuk është qëllimi i kësaj eseje të hyjë në detaje, një nga provat më të forta se Kurani është hyjnor është fakti që stili i tij gjuhësor është i paimitueshëm.[61]
Si ta shpjegojmë këtë sa me thjeshtë?
Për ata që janë të shqetësuar se si ta artikulojnë këtë në një mënyrë të thjeshtë, unë sugjeroj një proces të thjeshtë me hapa:
1.Kur flisni për shpalljen hyjnore, flisni për:
- Faktin që Kurani përmend ngjarje historike që njerëzit e asaj kohe nuk kishin si t’i dinin.
- Mrekullia gjuhësore dhe letrare e Kuranit.
- Faktin që Kurani ka mbetur i paprekur dhe original.
- Qëllimi dhe porosia që përcjell Kurani.
- Koncepti i Kuranit për Zotin.
- Veçori të tjera mahnitëse të Kuranit.
2.Pasi të keni argumentuar se ka arsye të forta për të besuar se Kurani vjen nga Zoti, mund të flisni për qasjen me shumë nivele dhe me shumë shtresa që kemi diskutuar. Për shembull:
A e dini çfarë është vërtet interesante rreth Kuranit? Ai ka aftësinë t’u flasë njerëzve me nivele të ndryshme intelektuale dhe të kuptohet në periudha të ndryshme të historisë. Për shembull, në suren 23 vargu 14 i Kuranit, përmendet fjala ‘alekah për të përshkruar një fazë të zhvillimit të embrionit njerëzor. Kjo fjalë mund të nënkuptojë një gjak të mpikur, diçka që ngjitet dhe një shushunjë ose krimb. Njohuria që ishte e disponueshme gjatë shekullit të 7-të pohonte se embrioni ishte si gjak i mpikur dhe se është diçka që ngjitet. Çuditërisht, me teknologjinë e shekullit të 21-të, shohim se embrioni nën mikroskop ngjan fiks si një shushunjë. Madje, edhe ndërtimi i tij i brendshëm ngjan me embrionin 4-javor. Termi ‘shushunjë’ na shërben gjithashtu si kujtesë se, ngjashëm me një parazit, ne jemi ushqyer me energjinë e nënave tona kur ishim embrione. Kjo duhet të na bëjë t’i duam ato edhe më shumë dhe të jemi të përulur para sakrificës së tyre. Kjo është një nga bukuritë e Kuranit: ai u flet kohërave të ndryshme dhe niveleve të ndryshme të të kuptuarit. Nëse sot diçka duket sikur nuk përputhet me shkencën, nuk ka problem, sepse shkenca do të përparojë dhe do ta zbulojë më vonë. Nëse sot diçka duket sikur nuk përputhet me shkencën, nuk ka problem, ngase shkenca ka akoma rrugë për të përshkuar. Tashmë e kam treguar se origjina e Kuranit mund të vërtetohet edhe pa e përdorur shkencën si mjet. Prandaj, çfarëdo që thotë Zoti është e vërtetë. Dhe mos harroni se shkenca nuk është fjalë e fundit, siç e dini, shkenca nuk është absolute, ajo ndryshon me kohën dhe ekziston gjithmonë mundësia e vëzhgimeve të reja dhe gjetjeve të reja.
Si mund të vërtetohen mrekullitë shkencore?
Nisur nga sa u artikulua më lart, përkrahësit e narrativës së ‘shkencës në Kuran’ mund ta konsiderojnë këndvështrimin tim si tepër pesimist. Gjithashtu, mund të pretendohet se nuk kam propozuar një metodologji të qartë për të vlerësuar nëse një ajet përbën vërtet një mrekulli shkencore. Shkaku kryesor se përse e konsideroj të paqëndrueshme narrativën e ‘mrekullive shkencore’ rrjedh nga parimet e filozofisë së shkencës. Sidoqoftë, mund të argumentohet se një varg kuranor përmban mrekulli shkencore, nëse u përmbahemi këtyre kritereve:
1.Ajeti duhet të ketë kuptime ose interpretime që përputhen me një fakt (ose fakte) shkencor.
- Kuptimet ose interpretimet e ajetit duhet të jenë të qarta dhe të mos lënë vend për dyshime. [Kuptohet që ajeti mund të ketë edhe një kuptim bazik dhe të thjeshtë, në mënyrë që njerëzit e asaj kohe ta kuptonin pa vështirësi.]
- Fakti shkencor duhet të jetë brenda kufijve të kuptimeve të mundshme që mund të mbartë ajeti.
- Korrelacioni midis faktit shkencor dhe kuptimeve/interpretimeve të ajetit duhet të jetë i fortë.
- Zbulimi shkencor për të cilin flet ajeti duhet të jetë i vërtetuar qartësisht, jo thjesht një teori që ende po studiohet. Komuniteti shkencor duhet ta ketë pranuar këtë fakt si diçka përfundimtare dhe të padiskutueshme.
- Duhet të vërtetohet qartë se kjo lidhje mes ajetit dhe zbulimit shkencor nuk mund të shpjegohet me asnjë rrugë tjetër njerëzore (përveç rastësisë). Thënë ndryshe, duhet të gërmojmë thellë në historinë e shkencës për t’u siguruar për dy gjëra: që njerëzit e asaj kohe e kishin absolutisht të pamundur ta zbulonin atë fakt, dhe që asnjë qytetërim i mëparshëm nuk kishte shkruar apo hedhur ndonjë teori për të.
- Edhe nëse supozojmë se këto njohuri shkencore ekzistonin diku në botë në atë kohë, duhet të bëjmë një studim të thellë të jetës së Profetit(paqja qoftë mbi të) dhe historisë së arabëve. Kjo bëhet për të vërtetuar se ishte absolutisht e pamundur që Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) apo ndonjë arab tjetër i asaj kohe të kishte rënë në kontakt me të tilla informacione.
- Nëse ajeti ka edhe një kuptim tjetër të saktë, më të thjeshtë dhe që nuk lidhet me shkencën, atëherë duhet të bëjmë një llogaritje të probabilitetit. Për ta quajtur këtë ajet një mrekulli që i ka paraprirë shkencës, llogaritja duhet të tregojë se gjasat që kjo të jetë formuluar nga një njeri i shekullit të 7-të (duke pasur parasysh historinë, kulturën dhe gjuhën e asaj kohe) janë thuajse zero. Kjo analizë gjasash duhet të mbajë parasysh se është vërtet diçka e jashtëzakonshme që të paktën disa nga kuptimet e mundshme të fjalës përputhen fundmëfund me zbulimet e sotme shkencore.
Edhe pse këto kritere për të mbrojtur idenë e shkencës në Kuran janë në ende në fazë zhvillimi, personalisht e konsideroj pothuajse të pamundur përmbushjen e tyre në rrafshin praktik. Tani i mbetet studiuesve, teologëve dhe apologjetëve që ta çojnë këtë punë më përpara.
Përfundim
Ky punim argumentoi paqëndrueshmërinë e narrativës së ‘mrekullive shkencore në Kuran’ dhe propozoi një paradigmë të re për konceptimin dhe diskutimin e raportit midis shkencës dhe tekstit kuranor. Shpresoj që lexuesit ta përqafojnë këtë qasje metodologjike, me qëllim që në sferën publike të stimulohet një frymë e re dialogu dhe reflektimi. Ky këndvështrim i ri do të mund t’u bëjë ballë kritikave shkencore, ndërsa njëkohësisht do të tregojë se mesazhi i Kuranit i reziston kohës. Jam plotësisht i vetëdijshëm se kjo ese mund të shkaktojë pakënaqësi te një pjesë e lexuesve, veçanërisht tek ata që janë ithtarë të narrativës së mrekullive shkencore në Kuran. Por qëllimi im nuk është të lëndoj ndjenjat e askujt, por të hap rrugën për një diskutim më të logjikshëm në ligjërimin tonë. Lutem që ky punim të shërbejë si katalizator për diskutime dhe dialogje thelbësore, pasi vetëm përmes komunikimit të ndërsjellë, shkëmbimit të ideve dhe shqyrtimit kritik të metodologjive tona mund të zbulojmë zgjidhje dhe përgjigje ndaj sfidave bashkëkohore.
Përktheu: Osman Çekaj
Referencat
[1] https://www.google.co.uk/search?q=quran+science&oq=quran+science&aqs=chrome.0.69i57j0l3j69i61j69i62.6621j0&sourceid=chrome&ie=UTF-8
[2] Bigliardi, S. (2011), Snakes from Staves? Science, Scriptures, and the Supernatural in Maurice Bucaille. Zygon, 46: 793–805. doi: 10.1111/j.1467-9744.2011.01218.x
[3] Strange Bedfellows: Western Scholars Play Key Role in Touting `Science’ of the Quran by Daniel Golden Wall Street Journal, January 23, 2002. pg. A.1, posted on the website of California State University, Fullerton by Dr. James Santucci.
[4] Here is an example: “Alfred Kröner – Quote mined scientist denounces Quran miracle claims” http://www.youtube.com/watch?v=ClHuG880pqU, accessed 9:20AM, 26 June 2013
[5] Written by the academic linguist Hussein Abdul-Raof. Refer to pages 166 – 169.
[6] Dr. Zakir Naik – Quran & Modern Science: http://www.youtube.com/watch?v=r5h6CNhtVls.
[7] Yusuf Estes – Science in Islam: http://www.youtube.com/watch?v=G6ehcirhZ-g.
[8] See http://www.youtube.com/watch?v=3T5Pm7qLH50.
[9] You can download a copy here http://www.iera.org.uk/downloads/Embryology_in_the_Quran_v2.pdf.
[10] You can download a copy here http://www.scribd.com/doc/110224187/2-101612-Embryology-in-the-Quran-Much-Ado-About-Nothing.
[11] http://corpus.quran.com/qurandictionary.jsp?q=qrr#(23:13:5)
[12] http://corpus.quran.com/qurandictionary.jsp?q=mkn#(23:13:6)
[13] The classical exegete Ibn Kathīr mentions that these words mean the womb. See here http://www.qtafsir.com/index.php?option=com_content&task=view&id=2481&Itemid=78.
[14] http://corpus.quran.com/wordbyword.jsp?chapter=21&verse=33
[15] http://www.qtafsir.com/index.php?option=com_content&task=view&id=2321&Itemid=68
[16] http://corpus.quran.com/qurandictionary.jsp?q=nzl#(57:25:12)
[17] See here http://mineralsciences.si.edu/collections/meteorites.htm#3
[18] Qur’ān 57:25
[19] See The Story of Chemistry. N. C. Datta, p. 22; The Spirit of Ancient Egypt. Ana Ruiz. Algora Publishing, p. 72; Origins and Development of Applied Chemistry. James Riddick Partington, p87. Ayer Company Pub, 1975; http://www.digitalegypt.ucl.ac.uk/metal/metalinegypt.html.
[20] http://corpus.quran.com/qurandictionary.jsp?q=nwr#(10:5:7)
[21] Qur’ān 10:5
[22] Doxographi on Thales, Aet. ii. 1 ; Dox. 327. See online reference here http://history.hanover.edu/texts/presoc/thales.html.
[23] The Doxographists on Anaxagoras, Hipp. Phil, 8 ; Dox. 561 260-1.
[24] Qur’ān 78:6-7
[25] Bible Jonah 2:6, http://biblehub.com/jonah/2-6.htm
[26] Reading Jonah in Hebrew. Duane L. Christensen. Bibal Corporation. 2005, p. 16. See online link here http://www.bibal.net/04/proso/psalms-ii/pdf/dlc_reading-jonah-b.pdf.
[27] Qur’ān 21:30
[28] http://www.eridu.co.uk/Author/myth_religion/egyptian.html
[29] http://etcsl.orinst.ox.ac.uk/cgi-bin/etcsl.cgi?text=t.1.8.1.4#
[30] Sahih Muslim Book 8 ḥadīth 3392 [also repeated in ḥadīth 3394 and Malik’s Muwatta Book 30, ḥadīth 16].
[31] Ira M. Lapidus, ‘A History of Islamic Societies’, Cambridge, p.14.
[32] Amīn Aḥsan Iṣlāḥī. Tadabbur-e-Qur’ān. Pondering over the Qur’ān. Vol 1. Translated by Mohammad Slaeem Kayani. Islamic Book Trust. 2007, p 410.
[33] Shabbir Akhtar. The Qur’ān and the Secular Mind: A Philosophy of Islam. Routledge. 2008, page 217.
[34] Dallal, Ahmad. “Science and the Qur’ān.” Encyclopaedia of the Qur’ān. General Editor: Jane Dammen McAuliffe, Georgetown University, Washington DC. Brill Online, 2013. Reference. Andreas Tzortzis. 19 July 2013 <http://referenceworks.brillonline.com/entries/encyclopaedia-of-the-quran/science-and-the-quran-SIM_00375>
[35] Al-Shatibi, Ibrahim. Al-Muwafaqat, ed. Muhammad al-Khidr Husayn al-Tunisi. 4 Vols., Cairo: al-Matba’a al-Salafiya, 1922. Vol. 2, pp. 80-1.
[36] Jalees Rehman “Searching for Scientific Facts in the Quran: Islamization of Knowledge or a New Form of Scientism?’ Islam & science, 2003.
[37] David Hume. An Enquiry Concerning Human Understanding, p. 108.
[38] Professor Alex Rosenberg. Philosophy of Science: A Contemporary Introduction. 2012, p. 198.
[39] Elliot Sober “Empiricism” in The Routledge Companion to Philosophy of Science. Edited by Stathis Psillos and Martin Curd. 2010, p. 129.
[40] Po aty, fq. 131.
[41] John Cottingham. Rationalism. Paladin. 1984, pp. 109 -110.
[42] Taken and adapted from an online lecture by Professor J. P. Moreland.
[43] Access the following link to understand what this means http://www.philosophy-index.com/logic/forms/modus-ponens.php.
[44] See here http://www.reasonablefaith.org/is-scientism-self-refuting.
[45] Benjamin McMyler. Testimony, Truth and Authority. Oxford University Press. 2011. p. 3.
[46] The Epistemology of Testimony. Edited by Jennifer Lackey and Ernest Sosa. Clarendon Press: Oxford. 2006, p. 2.
[47] C. A. J. Coady. Testimony: A Philosophical Study. Oxford University Press. 1992, p. 82.
[48] Benjamin McMyler. Testimony, Truth and Authority. Oxford University Press. 2011. p 10.
[49] Keith Lehrer cited in The Epistemology of Testimony. Oxford University Press. 2006, p. 158.
[50] Qur’ān 2:38
[51] I take an epistemic approach to evolution which doesn’t require one to reject the science or the Qur’ān. Read my essay here http://www.hamzatzortzis.com/essays-articles/philosophy-theology/has-evolution-been-misunderstood-revelation-science-and-certainty/.
[52] See Nidhal Guessoum. Islam’s Quantum Question: Reconciling Muslim Tradition and Modern Science. I. B. Tauris. 2011. Chapter 5.
[53] Cited from Nidhal Guessoum. Islam’s Quantum Question: Reconciling Muslim Tradition and Modern Science. 2011, p. 152.
[54] Embryology in the Qur’ān: The ‘Alaqah Stage. Elias Kareem. Accessed here http://islampapers.files.wordpress.com/2012/02/thealaqah.pdf.
[55] Corpus Medicorum Graecorum: Galeni de Semine (Galen: On Semen) pages 92 – 95.
[56] Embryology in the Qur’ān: The ‘Alaqah Stage. Elias Kareem. Accessed here http://islampapers.files.wordpress.com/2012/02/thealaqah.pdf.
[57] For more information read here http://islampapers.com/2012/07/01/can-alaqah-be-seen/.
[58] http://en.wikipedia.org/wiki/Microscope#History
[59] Po aty.
[60] See the video here http://www.youtube.com/watch?feature=player_embedded&v=pwwP_dgriLI.
[61] See here for more information http://www.hamzatzortzis.com/essays-essays/exploring-the-quran/.


