4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Ksenofobët rus krijojnë skuadra vullnetare që të ndjekin imigrantët e paligjshëm

Më të lexuarat

Autoritetet e Moskës kanë bërë të ditur për krijimin e një skuadre vullnetare, e cila do të ndihmojë në gjurmimin e imigrantëve të paligjshëm – veprim ky që, sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, i hap derën abuzimit dhe dhunës.

Administrata e qytetit ka thënë se skuadra do t’iu ndihmojë autoriteteve në kapjen e imigrantëve, të cilët punojnë pa dokumentacionin e duhur.

Svetlana Gannushkina është aktiviste e shquar e të drejtave të njeriut, njëherësh specialiste për të drejtat e imigrantëve. Ajo thotë se vendimi është tejet i dëmshëm për shoqërinë.

“Jam e tmerruar me rritjen e ksenofobisë… Ndjekjet do të bëhen jo nga organet për zbatim të ligjit, por nga qytetarë të zakonshëm. Unë vetëm mund të imagjinoj se çfarë lloj entuziastësh do të marrin pjesë. Ata nuk do të sjellin asgjë, pos më shumë ksenofobi, abuzim dhe ndarje në shoqëri”, thotë Gannushkina.

Ndjenjat kesnofobike janë shumë të përhapura në Rusi, ku dhjetëra pjesëtarë të pakicave etnike vriten çdo vit nga sulmet raciste.

Aktivistët e të drejtave, të tillë si Gannushkina, druajnë se krijimi i skuadrave të tilla vetëm se do të nxehë tensionet etnike.

Aleksei Mayorov, kreu i Departamentit të Sigurisë në Moskë, ka thënë se skuadra tashmë është formuar dhe numëron mbi 300 anëtarë.

Ai ka thënë se vullnetarët do të veshin uniforma speciale dhe do të patrullojnë në çdo lagje, në baza ditore.

Ata do të kërkojnë për imigrantë të paligjshëm në tregje, lokacione të ndërtimtarisë dhe industrisë, stacione trenash, qendra tregtare e madje edhe në banesa private.

Ajo çfarë është alarmuese për aktivistët e të drejtave të njeriut është se skuadra do të autorizohet për kapjen e të dyshuarve dhe shoqërimin e tyre në stacione të policisë.

“Kush ka të drejtë të ndalojë njerëz? Ju duhet të keni arsye shumë serioze për të kapur njerëz. Madje, as zyrtarët policorë nuk kanë gjithmonë të drejtë për të bërë një gjë të tillë. Tani, kjo e drejtë u dhurohet njerëzve të rastit e ndoshta edhe agresivë. Askush nuk ka të drejtë t’i privojë njerëzit nga liria e tyre, t’i rrëmbejë në rrugë dhe t’i dërgojë diku. Në çfarë po shndërrohemi? Kjo është thjesht monstruoze”, thotë Gannushkina.

Nuk është ende e qartë se kur do të fillojë patrullimin skuadra.

Patrullat vullnetare, të cilat datojnë qysh në kohërat sovjetike, kanë parë një ringjallje në muajt e fundit në kryeqytetin rus.

I tillë është grupi i njerëzve të Lindjes Sllave “Cossacks”, i cili ka shtuar patrullimet e përbashkëta me policinë lokale.

Aktivistë të Kishës Ortodokse Ruse kanë formuar po ashtu grupe vullnetare për të mbrojtur kishat dhe varrezat, pasi grupi feminist “Pussy Riot”, vitin e kaluar, ka organizuar një performancë kundër autoriteteve shtetërore në katedralen më të madhe të Moskës.(v.t.)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit