Sulltan bin Abdullah el-Umerij
Ajo që veçon Ramazanin është namazi i teravive. Muhammedi [alejhi salatu ve selam] ka thënë:
“Kush falet në Ramazan me besim dhe llogari në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e mëparshme!” (Buhariu dhe Muslimi)
Ky namaz ka një shije të veçantë, një gëzim e dëfrim, të cilin nuk mund ta përshkruan askush përveç atyre që e kanë shijuar dhe përjetuar atë.
Njerëzit dallojnë nga njëri tjetri në dëfrimin me këtë adhurim. Niveli ose shkalla e dëfrimit arrihet në përputhje me sinqeritetin dhe përmbajtjen udhëzimeve pejgamberike. Këto janë dy kushte apo shtylla të veprave.
Është lumturi e rrallë, kënaqësi e papërshkueshme, e cila depërton në zemrat e të devotshmëve dhe i bën të lumtur në kopshtet e Imanit.
Ibën Tejmije ka thënë: “Në dynja ka një Xhenet, që nëse në të nuk hyn njeriu, nuk mund të hyn as në Xhenetin e Ahiretit.”
Janë net të Ramazanit të karakterizuara me namaz, ruku, sexhde, kunut; janë net në të cilat veshët argëtohen me fjalët e Allahut të Madhëruar. Janë net në të cilat sytë tanë shijojnë kënaqësinë e të qarit nga frika e Allahut.
O Zot, sa lotët kanë rrjedhë në faqet e besimtarëve në këto net!
Janë net në të cilat zemrat ecin me nxitim drejt Allahu i Madhëruar.
O Ramazan!
Sa e ëmbël është freskia jote, sa të ëmbla janë netët tua!
Lum për atë që të njohu ty o Ramazan dhe që eci me ty drejt Xhenetit!
Përshtati: Sedat Islami