E përditshmja turke Sabah i kushton një raportim të posaçëm sulmuesit të kombëtares shqiptare. Nën foton e përcjellë dhe në materialin tonë, vjen titulli: “Okan Buruk nuk e lë Cikalleshin të largohet”.
Bëhet fjalë për trajnerin aktual të Akhisar Beledijesporit, ish-mesfushorin e njohur të Gallatasarajit dhe të përfaqësueses së Turqisë, që u ka kërkuar drejtuesve të klubit të përpiqen ta mbajnë Cikalleshin dhe pas mbarimit të huazimit.
Kërkesa e tij i shkon për shtat dhe Medipol Bashakshehirit, që me ardhjen e Adebajorit nuk ka më vend për sulmuesin shqiptar dhe e shikon si të mundshme lënien e tij te Akhisari.
Cikalleshi pati një fazë të parë të vështirë te Bashakshehiri, ku luajti vetëm 65 minuta në dy aktivizime. Te Akhisari, veçanërisht pas ardhjes së Okan Burukut si trajner, Cikalleshi ka shpërthyer, duke shënuar pesë gola në dhjetë aktivizime, e duke dhënë tre asiste për gol.
Në ndeshjen e fundit, të së hënës, të fituar 6-0 ndaj Gaziantesporit, Cikalleshi shënoi dy prej golave. Ai qe vendimtar dhe në një gol tjetër, por që fatkeqësisht u quajt autogol i kundërshtarit. /tesheshi.com/