Një dyvjeçar i cili prej ditës së djeshme ishte zhdukur është gjetur i vdekur në kanalin afër banesës ku jetonte në fshatin Boriç i Vogël, komuna Gruemire, Rrethi Malësi e Madhe.
Burime policore bënë me dije se familjarët e Eris Tahiraj, kishin humbur gjurmët e djalit të tyre të vogël pasditen e djeshme rreth orës 17:00. Njoftimi nga familjarët është dhënë pasi kanë kërkuar tek te afërmit e tyre, por dhe nëpër fshat, raporton BW.
Dyshimet për zhdukjen e vogëlushit u përforcuan, pasi gjatë kërkimeve në bregun e kanalit të Vrakës, i cili shkarkohet në liqenin e Shkodrës dhe kalon afër banesës së familjes Tahiraj, është gjetur një lodër e fëmijës.
Pas kërkimeve intensive, policia ka gjetur trupin e ndjerë të vogëlushit në kanalin e Vrakës.