5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Spiunazhi – të dish që më parë se ç’do të ndodhë

Më të lexuarat

Udhëheqësit e zotë dhe strategët e mençur veprojnë dhe fitojnë, kryejnë heroizma që ua kalojnë të tjerëve, sepse gjithçka e kanë ditur që më parë. Të diturit që më parë, nuk merret nga zotët dhe demonët, nuk merret as me hamendje, as me të përngjarë e as me çfarëdo llogaritje. Njohja e gjendjes së kundërshtarit mund të merret vetëm me anë të njerëzve.

Nevoja e njeriut për t’i parashikuar ngjarjet që do të ndodhin është e vjetër sa vet njeriu. Qysh në parahistori, te bashkësitë njerëzore primitive kanë ekzistuar parashikues të kohës ndodhive shoqërore dhe fatit individual, kurse në kohërat e më vonshme të antikitetit, personat të cilët merreshin me parashikimin e gjërave fituan një rëndësi të veçantë. Ata i hasim pran çdo oborri mbretëror me emërtime të ndryshëm si orakull, magjistarë, astrolog etj. Gjatë gjithë antikitetit dhe mesjetës, parashikuesit e ngjarjeve apo fatit i hasim që nga Mikena, në Maqedoni te Leka i Madh, mbreti Pirro i Epirit, në Bizant, në Perandorinë Osmane etj. Mbretërit, personalitetet politike dhe ushtarake, para çdo veprimi të tyre, konsultoheshin me parashikuesit e tyre dhe shpesh ndodhte që vendimi për të ndërmarrë ndonjë veprim qoftë ushtarak apo tjetër, ndikohej nga këshilla e orakullit, magjistarit apo astrologut. Këto këshilla dhe parashikime kishin të bënin vetëm me parashikimin e fatit dhe kurrsesi me ndonjë informacion paraprak mbi fenomenet apo ngjarjet.

Përkundër faktit se gjatë gjithë antikitetit dhe mesjetës prania e parashikuesve të fatit apo ngjarjeve ishte prezente, tendencat për të krijuar shërbime të specializuara të cilat merreshin me grumbullimin dhe përpunimin e informacioneve me karakter politik dhe ushtarak vërehet shumë herët. Të gjitha ndërmarrjet dhe fushatat e mëdha ushtarake të antikitetit bazoheshin kryesisht mbi informacionet grumbulluara në rrugë të ndryshme operative.

Njëra ndër doktrinat më të vjetra ushtarake e cila ka mbetur e shkruar deri në ditët e sotme është ajo e kinezit Sun Xu, për të cilën mendohet se i takon periudhës së shekullit të IV-III, para erës së re. Kjo doktrinë ushtarake e cila për nga aktualiteti i mendimit ushtarak është e aplikueshme edhe sot, përbëhet prej 13 kapitujsh. Kapitulli i fundit bën fjalë për organizimin e shërbimeve të zbulimin dhe mban titullin “Disa mënyra të përdorimit të agjentëve sekretë”. Ky kapitull, është njëri prej dokumenteve më të vjetra që njeh njerëzimi deri më sot dhe që bën fjalë për organizimin e shërbimeve zbuluese. Në këtë kapitull, fillimisht bëhet fjalë për rëndësinë që kanë shërbimet e zbulimit për një shtet apo popull. Sun Xu, organizimin e shërbimit të zbulimit e justifikon në versët 3 dhe 4 ku thotë: “Udhëheqësit e zotë dhe strategët e mençur veprojnë dhe fitojnë, kryejnë heroizma që ua kalojnë të tjerëve, sepse gjithçka e kanë ditur që më parë. Të diturit që më parë, nuk merret nga zotët dhe demonët, nuk merret as me hamendje, as me të përngjarë e as me çfarëdo llogaritje. Njohja e gjendjes së kundërshtarit mund të merret vetëm me anë të njerëzve.” Sipas Sun Xusë, shërbimi i zbulimit duhet organizuar mbi bazën e strukturës së më poshtme: informimin e jashtëm të bazuar kryesisht nga personat e rekrutuar nga radhët e kundërshtarit, të cilët janë: spiunët e vendit të rekrutuar nga banorë të rëndomtë, spiunë të brendshëm të rekrutuar nga radhët e zyrtarëve të shtetit, kundërspiunët të rekrutuar nga radhët e spiunëve kundërshtarë. Si dhe kundër informimin të përbërë prej njerëzve nga radhët vetjake të cilët ai i quan spiunë të humbur dhe spiunë që kthehen. Duke e vlerësuar lartë rolin e njeriut (spiunit) që ka ai në zbulim, në versin e 8 ai thotë: “Prandaj, për ushtrinë (shtetin, kombin) nuk ka gjë më të vlefshme se sa spiunët, nuk ka shpërblim më të madh se sa spiunët, nuk ka punë më sekrete se sa spiunazhi. Pa zotëruar dituri të përkryera nuk mund të përdorësh spiunët; pa pasur humanizëm dhe drejtësi nuk mund të përdorësh spiunët; pa pasur mprehtësi dhe aftësi depërtuese nuk mund të marrësh nga spiunët rezultat të vërtetë. Mprehtësi! Mprehtësi! Nuk ka asgjë për të cilën të mos përdorën spiunët”. Ajo që e bën këtë kapitull shumë aktual është fakti se kinezi i vjetër vëren se shërbimi i zbulimit duhet organizuar në mënyrë të centralizuar dhe të ketë karakter inteligjent.

Me pak nuanca të gjitha shërbimet e zbulimit që nga antikiteti e deri në ditët e sotme janë të organizuara mbi modelin e Sun Xusë.

Agjencia Qendrore e Zbulimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, CIA, është krijuar pas Luftës së Dytë Botërore më vitin 1946 me urdhër të presidentit Truman. CIA, është pasardhëse e OSS e krijuar para Luftës së Dytë Botërore. Rolin e shërbimit kundërinformativ në SHBA, e ka FBI, e cila është e organizuar brenda kufijve të SH.B.A-së. Në SH.B.A, ka të organizuara edhe disa agjenci të cilat merren me grumbullimin dhe përpunimin e informacionit me karakter të ndryshëm e i cili, vlerësohet i rëndësishëm për sigurinë e SH.B.A-ve. Ndër më të njohurat janë: DIA, agjencia informative ushtarake dhe NSA, Agjencia e Sigurisë Nacionale.

Prej themelimit e deri në fillim të viteve të nëntëdhjeta, CIA së bashku me shërbimet e tjera aleate, ishin njëra nga shtyllat kryesore në luftë kundër ekspansionit komunist drejt perëndimit. Qëllimi i themelimit të saj ishte që të zbulojë dhe parandalojë veprimtarinë anti SHBA, kudo që zhvillohet ajo në rruzullin tokësorë. Qëllimin e krijimit të CIA-së më së miri e justifikon njëri ndër oficerët më të vjetër të saj Rishars Helms, i cili thotë se : “CIA u projektua për të parandaluar një Pearl Harbor tjetër” Në fakt qëllimi i kongresit të SHBA-ve ishte që të ketë një institucion ku i gjithë informacioni i fituar përmes rrugëve të ndryshme, të përqendrohet me një vend, në mënyrë që ai të përpunohet dhe analizohet dhe të bëhej informimi i organeve shtetërore, në mënyrë që ato me kohë të ndërmarrin masa.

Pearl Harbor është një pjesë e errët e historisë së SHBA-ve, për arsye se edhe pse segmente të caktuara të qeverisë amerikane dispononin informacionin për sulmin japonez në këtë bazë amerikane në Paqësor, ato nuk ditën ta administrojnë këtë informacion dhe ndodhi ajo që ndodhi.

Gjatë punës së vet për gjithë kohën sa zgjati lufta e ftohët, CIA, me dështime të kohëpaskohshme, arriti që t’i bëjë ballë veprimtarisë ofensive të KGB dhe shërbimeve satelite të saj. Ndonëse tani bëhen spekulime se gjatë luftës së ftohët KGB ishte më e suksesshme, kjo nuk mund të merret si e saktë nga shkaku se gjatë tërë luftës së ftohët numri i agjentëve të zbuluar ka qenë po thuaj i barabartë në të dyja anët ndërkohë, që ai i atyre të pa zbuluar dhe të cilët sot janë plakur nuk dihet. Nga vetë fakti se gjatë luftës së ftohët SHBA-të, kanë pasur informacion të bollshëm për atë se ç’ka po ndodh në kampin komunist, flet mjaft për efikasitetin e këtij shërbimi.

Suksesi i CIA-s gjatë luftës së ftohët mundë t’i atribuohet një parimi bazë i cili është kryesori në punën e shërbimeve të zbulimit dhe të cilit CIA i është përmbajtur. Ky parim është: të qenit prezent në vendin ku projektohen të gjitha aktivitetet kundër teje. Se CIA ju ka përmbajtur këtij parimi më së miri e shpjegon Villiam Colby, udhëheqës i CIA-së gjatë viteve 1973 – 76, i cili thotë se: “ gjithnjë mendoja se objektivi kryesor i CIA-së ka qenë të futej në Kremlin dhe jo të bëjë lojëra më KGB-në.” Të arriturat teknologjike, gjatë kësaj kohe janë përdorur më tepër si mjete ndihmëse apo si mjete fiksuese. Kurse përpunimi dhe vërtetimi i materialeve është bërë në rrugë operative përmes agjentëve të infiltruar në radhët e kundërshtarit. Këtë më së miri e ilustron shembulli i krizës së raketave kubane. Në qoftë se amerikanet nuk do të dispononin informacion të grumbulluar paraprakisht në rrugë operative (nga agjenti O.Penkovski) për raketat SS-4, me siguri se nuk do të arrinin të bënin deshifrimin e tyre nga fotografitë e marra nga aeroplanët U-2.

Pas luftës së ftohët, krerët e CIA-së, filluan t’i kushtojnë një vëmendje të shtuar aktiviteteve terroriste. Ndonëse edhe gjatë luftës së ftohët aktivitetet terroriste kanë qenë të pranishme, ato më të theksuara ishin në vendet evropiane. Për shkak se në masën më të madhe ato kanë qenë të sponsorizuara nga BRSS, dhe të organizuara nga KGB, efikasiteti i tyre nuk ka qenë i madh nga shkaku se këto dy segmente monitoroheshin nga afër prej CIA-s dhe shërbimeve perëndimore. Bile aktivitetet terroriste në ShBA thuaj se kanë qenë të pa pranishme. Ekzistojnë dyshime se kreun e terrorizmit botëror e ka kontrolluar CIA, përmes terroristit të njohur Iliç Sanqez Ramirez, i cili në fillim të viteve të nëntëdhjeta është arrestuar nga francezët dhe ende mbahet në burg pa u gjykuar.

Pas rënies së BRSS, ShBA-të sikur u liruan nga një barrë e rëndë dhe aktivitetin e shërbimeve të zbulimit e reduktuan dukshëm. Reduktimet më të mëdha janë bërë në pakësimin e njerëzve apo agjentëve në teren. Gjatë kësaj periudhe, CIA, filloi të mbështetet kryesisht në grumbullimin e informacionit në mënyrë elektronike nga satelitët përgjues në hapësirë dhe në formën analitike të studiuarit të fenomeneve. Rasti i 11 shatorit më së miri flet se si ka dështuar teknologjia karshi organizimeve klasike që ka bërë Al Kaida.

Fadil Kajtazi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit