13.3 C
Pristina
Saturday, October 19, 2024

Përkundër Thaçit dhe Berishës, në Maqedoni shqiptarët protestojnë në mbështetje të Luginës

Më të lexuarat

Qindra shqiptarë protestuan të premten në Shkup kundër heqjes së lapidarit të UÇPMB-së dhe në mbështetje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Protesta u mbajt nën organizim të Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, ndërsa është mbështetur edhe nga Parlamenti studentor dhe Shoqata e ish të burgosurve politikë shqiptarë.

Forca të shumta policore nuk lejuan protestuesit që t’i afrohen Ambasadës së Serbisë në Maqedoni, ku edhe ishte paralajmëruar mbajtja e protestës, por ajo u mbajt rreth 300 metra larg objektit të Ambasadës.

Protestuesit mbanin në duar parulla si “Jemi Një”, “Daçiqi si Millosheviqi”, “Liri për Luginën e Preshevës” etj.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Fazli Veliu, tha se akti i heqjes së lapidarit dhe veprimet e pushtetit në Beograd ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk dallojnë aspak nga periudha e sundimit të Millosheviqit. Por, tha Veliu, shqiptarët kërkojnë zgjidhje politike të statusit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Ne kemi bërë thirrje edhe për Qeverinë e Kosovës, edhe për Qeverinë e Shqipërisë, por edhe për Qeverinë e Serbisë, që ta zgjidhin njëherë e përgjithmonë çështjen e Luginës së Preshevës, sepse ne nuk do të ndalemi asnjëherë, do të jemi pranë tyre”.

“Ardhmëria e tyre është së bashku me shqiptarët, ardhmëria e juaj është së bashku me gjithë ne drejt Adriatikut, Evropës dhe më gjerë”, tha Veliu, duke tërhequr vërejtjen se shqiptarët, siç u shpreh ai, do të mbrohen me të gjitha mjetet e mundshme nëse vazhdohet të shkelen të drejtat e tyre.

Ndërkaq, kryetari i Unionit Studentor, Shaban Asllani, tha se largimi i lapidarit të UÇPMB-së është bërë me qëllimin e vetëm – rrënimin e vlerave të luftës.

“Sikur kjo të ishte bërë para se të ishte ngritur lapidari i UÇK-së dhe i UÇPMB-së, ndoshta do të kishte një grimcë arsyeje, por kjo u bë me qëllim të caktuar, rrënimin e vlerave të luftës dhe për të treguar forcën mbi popullatën e pambrojtur, si hakmarrje klasike mbi luftëtarët e lirisë”, theksoi Asllani.

Ndërkohë, kryetari i Shoqatës së ish të burgosurve politikë shqiptarë, Shpëtim Pollozhani, kërkoi lirimin e të gjithë të burgosurve politikë nga Lugina e Preshevës, të cilët, siç u shpreh ai, po trajtohen si robër dhe kriminelë lufte.

Pollozhani, gjithashtu, kërkoi nga faktori ndërkombëtar që të ndërhyjë tek autoritetet e Serbisë për të respektuar Marrëveshjen e Konçulit.

“Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar që të bëjë presion mbi Serbinë për çmilitarizimin e zonës, pasi çdo shqiptar është objekt gjuetie nga xhandarmëria serbe. Sot, nëpër burgjet e Serbisë ka të burgosur politikë shqiptarë, për të cilët vlejnë ligjet e luftës”, u shpreh Pollozhani.

Zhvillimet në Luginën e Preshevës dhe heqja e lapidarit të UÇPMB-së, më 20 janar, ishin dënuar edhe nga partitë politike shqiptare, të cilat kishin kërkuar garantimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve atje, duke paralajmëruar se çdo përshkallëzim i situatës mund të ketë pasoja për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit