-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

CIA dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në torturimet e paligjshme

Më të lexuarat

Grupi “Open Society” me seli në Nju Jork, në raportin e tij më të ri thotë se më se 54 vende kanë bashkëpunuar me programin sekret të agjencisë CIA për arrestimin dhe marrjen në pyetje me dhunë të të dyshuarve për terrorizëm, pas 11 shtatorit të vitit 2001.

Ky është raporti me përshkrimin më të gjerë që është bërë deri tash nga një organizatë joqeveritare, për këtë program, që ishte me shkallë të lartë të fshehtësisë.

Në raportin e grupit “Open Society” detajizohet fati i 136 viktimave të programit të agjencisë CIA për arrestim të terroristëve të dyshuar dhe për transferim të tyre, pa proces gjyqësor, nëpër kufijtë kombëtarë. Të dyshuarit ishin transferuar te qeveritë e jashtme, që e kanë përdorë torturën ose janë dërguar në vendet e fshehta, që operohen nga vetë agjencia amerikane e inteligjencës, CIA.

Dhjetë vjet pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, raporti thekson se qëllimi i agjencisë CIA ishte që të arrestuarit të vendoseshin “jashtë fushëveprimit të ligjit”, ku ata ishin subjekt i shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Amrit Singh, autore e raportit, thotë se përfshirja e qeverive të jashtme në programin sekret nënkupton se ato kanë përgjegjësi së bashku me Shtetet e Bashkuara për keqtrajtime.

“Raporti tregon se 54 qeveri kishin bashkëpunuar në mënyra të ndryshme, përfshirë edhe lejimin e burgjeve sekrete në territoret e tyre, duke i zënë të arrestuarit, duke i transferuar ata në lokacione të ndryshme, duke dhënë informacione që kanë çuar në zënien e tyre dhe shumë mënyra të tjera, që në mënyrë themelore i bënë ato bashkëpunuese në rrjetin e operacioneve të torturës në gjithë botën”, tha Amrit Singh.

Ajo duke folur nga Nju Jorku, thotë se ka gjetur dëshmi se 25 vende në Evropë, 14 në Azi dhe 13 në Afrikë, i kanë dhënë ndonjë lloj të ndihmës agjencisë CIA, përfshirë edhe Kanadanë dhe Australinë.

Në mesin e shteteve, ku sipas raportit ka pasur burgje sekrete, të udhëhequra nga CIA, janë Afganistani dhe Rumania.

Në mesin e vendeve që kanë lejuar fluturime të aeroplanëve, që kanë bartur të dyshuar nga CIA, janë Azerbajxhani, Bosnjë Hercegovina, Kroacia, Çekia, Maqedonia, Rumania dhe Uzbekistani.

Në mesin e vendeve që vetë i kanë arrestuar të dyshuarit dhe pastaj ata i kanë dorëzuar tek agjencia CIA janë Azerbajxhani Gjeorgjia, Irani dhe Maqedonia.

Siria, Egjipti dhe Jordania, ishin destinimet më të shpeshta për të dyshuarit, thuhet në raport. Pakistani “i ka arrestuar, hetuar, torturuar dhe keqtrajtuar individët, që ishin subjekt i arrestimeve të fshehta të CIA-s”. Kështu ka vepruar edhe Afganistani.

Amrit Sing thotë se Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e qeverive partnere duhet ta pranojnë rolin e tyre domethënës në kryerjen e shkeljeve.

“Si çështje e së drejtës dhe si obligim moral, u bie Shteteve të Bashkuara dhe të gjitha qeverive partnere të saj, ta tregojnë të vërtetën se çka kanë bërë për kompensimin e atyre që ua kanë shkelur të drejtat e njeriut. Është e rëndësishme, jo vetëm si çështje e drejtësisë, por po ashtu, që të sigurohemi që kjo të mos ndodhë përsëri”, tha autorja e raportit, Amrit Singh.

Operacionet sekrete të agjencisë CIA mbeten çështje e debatit të ashpër në Uashington, ku anëtarët e ish administratës së presidentit George W. Bush, thonë se ata ndihmuan në mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara kundër sulmeve të mëtejshme terroriste.

Presidenti amerikan, Barack Obama, e ka ndaluar përdorimin e asaj që administrata e Bushit e kishte cilësuar si “teknikë e përforcuar e hetimit”.

Por, Obama i ka hedhur poshtë kërkesat për formimin e një komisioni kombëtar për hetimin e praktikave, kur ai u zgjodh president në vitin 2009, duke thënë se dëshiron të shikoj përpara, e jo prapa.

Aktivistët për të drejtat e njeriut thonë e Obama i ka ringjallur kundërthëniet duke e nominuar John Brennanin për shef të ri të agjencisë CIA.

Zoti Brennan ishte drejtor i Qendrës për Anti-terror i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Agjencisë CIA, nën ish presidentin Bush.

Ja se si e vlerësoi ai çështjen e arrestimeve të CIA-s në dhjetor të vitit 2005, në rrjetin PBS:

“Mendoj se është mjet absolut vital. Unë isha i afërt për më tepër se një dekadë me rastet e marrjes në pyetje, në të cilat qeveria e Shteteve të Bashkuara ishte e përfshirë dhe mund të them se pa dyshim ishte punë shumë e suksesshme për prodhimin e inteligjencës dhe për shpëtimin e jetëve”, patë thënë Brenan.

Kongresi i Shteteve të Bashkuara e ka bërë një hetim për programet sekrete të CIA-s, pas 11 Shtatorit 2001, por konkluzionet mbeten sekrete./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit