-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Sunetet e namazit te Sabahut

Më të lexuarat

SUNETET E NAMAZIT TË SABAHUT

1- Gjykimi i tyre.

2- Rregullat dhe mirësia e tyre.

3- Falja e tyre shkurt.

4- Suret që këndohen në to.

5- Mbështetja pas faljes së tyre.

6- Humbja e tyre.

Gjykimi i tyre

Sunetet e sabahut janë pjesë e suneteve të forta (muekedetun), të cilat Profeti (salallahu alejhi ue selem) i falte vazhdimisht dhe nuk i linte, qoftë në udhëtim apo jo. Nuk ka ndonjë argument që tregon për obligimin e tyre. Argumenti që tregon se Profeti (salallahu alejhi ue selem) i ka falur këto sunete edhe në udhëtim është siç vijon: – Nga Ebu Merjemja përcillet: “Ishim me Profetin (salallahu alehji ue selem) në udhëtim, ecëm gjatë natës dhe kur po afrohej sabahu, Profeti (salallahu alejhi ue selem) fjeti. Bashkë me të fjetën edhe njerëzit e tjerë dhe u zgjuan vetëm pasi kishte lindur dielli mbi ne. Atëherë, Profeti (salallahu alejhi ue selem) urdhëroi muezinin të thërrasë ezanin, fali dy rekatet para sabahut(farzit) dhe më pas urdhëroi për ikametin. Pasi fali namazin, ai u tregoi njerëzve për çka do të ndodhë deri në Ditën e Kijametit.” I saktë.

Hadithi tregon se Profeti (salallahu alejhi ue selem) i falte sunetet e sabahut kur ishte në udhëtim, edhe nëse kishte kaluar koha e tyre, siç përcillet kjo nga vepra e tij (salallahu alejhi ue selem).

Rregullat dhe mirësia e tyre

Sunetet e sabahut janë dy rekate që falen para farzit dhe argumentet që tregojnë mirësinë e tyre janë si më poshtë: – Përcillet nga Aishja (radijallahu anha) se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Dy rekatet e sabahut janë më të mira se dynjaja dhe ç’ ka në të. (ato janë më të dashura tek mua se e gjithë dynjaja)”. Muslimi.

Hadithi tregon për pëlqimin dhe nxitjen e faljes së tyre. – Po nga Aishja (radijallahu anha) përcillet: “Nuk ka pasur ndonjë gjë që më së tepërmi e kryente vazhdimisht Profeti (salallahu alejhi ue selem), sesa dy rekatet e sabahut.” Buhari, Muslimi.

Ruajtja e vazhdimësisë së faljes së tyre, përfitohet si nga këshillat, ashtu edhe nga vepra e tij (salallahu alejhi ue selem). – Nga Aishja (radijallahu anha) përcillet gjithashtu se: “Profeti
(salallahu alejhi ue selem) nuk i ka lënë katër rekatet para ylesë dhe dy rekatet para sabahut.” Buhari, Muslimi.

Këto hadithe tregojnë për mirësinë e dy rekateve të sabahut dhe se ato janë pjesë e suneteve më të forta.

Falja e tyre shkurt

Nga udhëzimi i Profetit (salallahu alejhi ue selem), është që të fallen shkurt këto dy rekate, duke mos e zgjatur leximin nga Kurani në to, e argumenti për këtë janë hadithet e mëposhtme: – Nga nëna e besimtarëve Hafsa (radijallahu anha) përcillet: “Kur thërriste muezini ezanin me hyrjen agimit, Profeti(salallahu alejhi ue selam) falte dy rekate të shkurtra para se të thirrej ikameti i farzit.”Buhari, Muslimi.

– Nga Aishja (radijallahu anha) përcillet: “Profeti (salallahu alehi ue selem) i falte aq të shkurta dy rekatet para farzit të sabahut, sa unë mendoja a e lexoi apo jo Fatihanë.”Buhari, Muslimi.

Hadithet e sipërpërmendura tregojnë për ligjshmërinë e faljes shkurt të këtyre dy rekateve. Disa dijetarë argumentohen me këto hadithe për ligjshmërinë e leximit vetëm të sures Fatiha në këto dy rekate dhe jo të ndonjë sureje tjetër me të, por kuptimi i saktë i haditheve nuk është ky, sepse qëllimi me shkurtimin e përmendur në to, është moszgjatja e leximit të Kuranit. Kjo do të bëhet më e qartë me leximin e haditheve të mëposhtme.

Suret që këndohen në to

Nga Ebu Hurejra (radijallahu anhu) përcillet: “Profeti (salallahu alejhi ue selem) lexoi në dy rekatet e sabahut:

“Thuaj: ‘O ju mohuesa!’” (Kafirun)dhe:

“Thuaj: ‘‘Ai Allahu është Një.” (Ihlas) (Muslimi)

Nga Ibn Abasi (radijallahu anhu) përcillet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) lexonte në rekatin e parë të sabahut:

“Thuani: ‘Besuam në Allahun dhe në atë që u zbrit te ne.’” Pra, ajeti në suren Bekare (136), dhe në rekatin tjetër lexonte:

“Besuam në Allahun dhe dëshmo për ne se jemi muslimanë.” (Ali Imran, 52)

Në një përcjellje tjetër thuhet: “Profeti (salallahu alejhi ue selem) lexonte në rekatet e sabahut:

“Thuani: ‘Besuam në Allahun dhe në atë qe u zbrit te ne.” (El Bekare:136), ndërsa në rekatin tjetër:

“Ejani për te një fjalë e përbashkët ndërmjet nesh dhe jush.” (Ali Imran, 64)

Të dyja hadithet tregojnë për pëlqimin e leximit të sures Ihlas në rekatin e parë dhe sures Kafirun në rekatin e dytë, ashtu siç tregojnë për pëlqimin e leximit të ajetit në suren Bekare dhe ajetit në suren Ali Imran, prandaj muslimani ndonjëhere lexon me këto e ndonjë here tjetër me të tjerat, duke praktikuar në këtë mënyrë Sunetin.

Shtrirja pas faljes së tyre

Është e pëlqyeshme për muslimanin, që pas faljes së këtyre dy rekateve sunet në shtëpi, të shtrihet mbi anën e tij të djathtë, siç ka ardhur kjo në sunet:

– Nga Ebu Hurejra (radijallahu anhu) përcillet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Pasi dikush nga ju të falë dy rekatet e sabahut, le të shtrihet mbi anën e tij të djathtë.” I saktë, Tirmidhiu, Ebu Daudi, Ibn Huzejme, Ibn Hibani. E saktësoi Neueuiu, Albani

dhe Abdulkadër Arnauti.

Hadithi tregon për ligjshmërinë e shtrirjes pas dy rekateve të sabahut, gjë e cila vjen në mënyrën urdhërore, por ajo që e nxjerr nga gjykimi I obligimit dhe e bën të pëlqyeshme, është hadithi i mëposhtëm:

– Nga Aishja (radijallahu anha) përcillet: “Kur Profeti (salallahu alejhi ue selem) i falte sunetet e sabahut, nëse isha zgjuar, bisedonte me mua dhe kur nuk isha zgjuar, shtrihej derisa të thirrej ezani (ikameti) për namaz.” Buhari.

Hadithi tregon se Profeti (salallahu alejhi ue selem) e linte ndonjëherë shtrirjen në anën e tij të djathtë pas suneteve të sabahut, e nëse do të ishte uaxhib, nuk do ta linte atë. Ndërsa pretendimi se kjo ishte e veçantë për Profetin (salallahu alejhi ue selem), kërkon argument.

Në origjinë përfshihen të gjithë në gjykim dhe veprimi i çdo gjëje që është saktësuar prej tij (salallahu alejhi ue selem), është më parësore se veprimi i një pjese prej saj. Gjithashtu, hadithi tregon që shtrirja bëhet në anën e djathtë.

A veprohet një gjë e tillë në xhami apo në shtëpi?

Hadithi i përcjellë nga Ebu Hurejra është i përgjithshëm: nëse i fal ato në xhami, mbështetet në xhami dhe nëse i fal ato në shtëpi, shtrihet në shtëpi, por nuk përcillet nga i Dërguari (salallahu alejhi ue selam) dhe as nga sahabët e tij një veprim i tillë.

Shejh Albani ka thënë: “Nuk njohim ndonjë prej sahabëve që ta ketë vepruar një gjë të tillë – mbështetjen pas dy rekateve të sabahut në xhami – por disa prej tyre e kundërshtuan atë, prandaj le të veprohet në shtëpi, siç është prej sunetit të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selam).” (“Salatu et-terauih”)

Thashë: Nuk i lejohet mbështetja në anën e djathtë atij që i fal këto sunete pas farzit, sepse

hadithi i Ebu Hurejres e posaçëron qartë: vetëm nëse kryhet suneti para farzit.

Humbja e tyre

Lejohet për atë që nuk arrin t’i falë dy sunetet e sabahut para farzit, që t’I falë ato menjëherë pas farzit ose pas lindjes së diellit, dhe më e mira është që t’i falë pas lindjes së diellit.

Nga Ebu Hurejra (radijallahu anhu) përcillet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush nuk i fal dy rekatet e sabahut (sunetet), le t’i falë ato pas lindjes së diellit.” Tirmidhiu, e saktësoi Hakimi, Ibn Huzejme, Ibn Hibani dhe Albani.

Them: Në pamje të parë, hadithi tregon se është uaxhib falja e suneteve (për atë që nuk arrin t’i falë në kohën e tyre) pas lindjes së diellit, por hadithi i mëposhtëm e nxjerr atë nga obligimi dhe e bën të pëlqyeshme.- Nga Kajs bin Fehdi (radijallahu anhu) përcillet se fali sabahun me Profetin (salallahu alejhi ue selem) pa i falur më parë dy sunetet. Kur dha selam Profeti (salallhu aljhi ue selem), dha selam dhe Kajsi. Pastaj ky u çua, fali sunetet dhe Profeti (salallahu alejhi ue selem) e vështronte pa e kundërshtuar një gjë të tillë.” Tirmidhiu, Ebu Daudi, e saktësoi Hakim ibn Huzejme, Ibn Hibani, Ahmed Shakiri dhe Albani.

Hadithi tregon për lejimin e faljes kaza të suneteve të sabahut pas farzit, për atë që nuk arrrin t’i falë ato para tij, e gjithashtu tregon lejimin e faljes së namazeve kaza në kohët e ndaluara.

(Shejh: Muhamed bin Umer bin Salim bin Bazmul)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit