Pyetja:
A lejohet heqja e mustaqeve tek femrat?
Përgjigja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Sa i përket heqjes së qimeve nga trupi, ato ndahen në tri lloje:
1. Ato të cilat janë të ndaluara të hiqen.
2. Ato të cilat jemi të obliguar t`i heqim.
3. Ato për të cilat nuk kemi citat apo, me fjal tjera, për të cilat është heshtur apo nuk është përmendur vendimi për to.
1. Në llojin e parë, pra ato qime që janë të ndaluara të hiqen janë:
Mjekra për mashkullin dhe vetullat për mashkullin dhe femrat.
Argumenti për mjekrën është hadithi i Resulullahut (Paqja dhe bekimi i Allahu qofshin mbi të!) ku thotë: “Kundërshtoni idhujtarët, shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat!” (Buhariu dhe Muslimi) Për këtë ekzistojnë edhe hadithe të tjera të shumta.
Kurse për heqjen apo shkuljen e vetullave ekzistojnë një numër i haditheve që e ndalojnë atë dhe se Allahu i Lartësuar i mallkon ata që e bëjnë atë.
2. Ato që jemi të urdhëruar t`i heqim janë qimet e sqetullave dhe pjesëve intime.
3. Kurse për ato që nuk ka citat të prerë me të cilën urdhërohemi apo ndalohemi në heqjen apo mos heqjen e tyre. Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Vërtetë, Allahu i Lartësuar disa gjëra i ka bërë hallall, disa të tjera i ka bërë haram. Atë që e ka bërë hallall ajo është e lejuar për ju, atë që e ka bërë haram ajo është e ndaluar për ju. Kurse për ato që ka heshtur, ajo është mëshirë dhe falje për ju.” (Transmeton Bejhekiu dhe të tjerët)
Nga ky hadith kuptojmë se për ato gjëra që nuk ka citat me të cilën urdhërohemi apo ndalohemi, atëherë ajo është e lejuar.
Shejh Muhamed ibën Salih Uthejmin (Allahu e mëshiroftë!) në librin “Pyetje dhe përgjigje mbi çështjet e gruas” thotë: “Gruas i lejohet që t’i heqë qimet e tepërta që dalin në disa vende jo të zakonshme, si p.sh. tek faqet apo mustaqet etj., sepse ato ia prishin bukurinë asaj.” Allahu e di më së miri.
Alaudin Abazi