-1.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Mjekra ime akoma nuk ka dalë e plotë

Më të lexuarat

Pyetja:

Es-selamu alejkum! Allahu ju shpërbleftë për punën që po bëni! Kisha një pyetje.
Unë jam 18-vjeçar dhe kam dëshirë të lë mjekër, por mjekra ime akoma nuk ka dalë e plotë (ka vende që nuk është rritur mirë). E unë kam dëgjuar një ligjëratë të një hoxhe, (shumë të përgatitur), që thoshte se mjekra për besimtarin duhet të jetë zbukurim dhe se besimtari duhet të kujdeset për mjekrën e tij. Ai, duke cituar shumë dijetarë të mëdhenj, si për shembull Ebu Hurejrën r.a. e disa të tjerë, që nuk po i përmend sepse s’jam i sigurt, kanë thënë se nëse një qime e mjekrës rritet keq, atëherë muslimani duhet ta heqë atë qime (për të mos ia prishur bukurinë dhe për të mos ua neveritur të tjerëve, por të jetë shembull për ta).Tani unë kam dyshim se nëse dua që mjekra të më shpeshtohet, atëherë duhet ta rruaj, po rruajtja e saj është haram e doja të pyesja se çfarë të veproj në këtë rast.

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nuk e kemi parasysh se çfarë ka përcjellë hoxha nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe të tjerët në lidhje me shkurtimin e mjekrës ose ndoshta edhe ju e keni keqkuptuar, por ne do të sjellim atë që përcillet nga disa sahabë dhe dijetarë të hershëm në lidhje me shkurtimin e mjekrës.

– Fillimisht ajo që përcillet në lidhje me mjekrën nga Ebu Hurejra, Ibën Omeri dhe disa sahabë të tjerë është se nëse ajo është zgjatur shumë, ata kanë shkurtuar atë që ka tejkaluar grushtin e dorës, posaçërisht gjatë kohës së haxhit dhe umres1.

– Gjithashtu, përcillet nga disa tabiinë të vjetër, sikurse Shabiu, Ibën Sirini, etj., që kanë lejuar shkurtimi e mjekrës në formën si e kanë praktikuar disa shokë të Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të2.

– Nxënësi i Imam Malikut, Ibën Kasimi, vërteton se edhe Imam Maliku e ka lejuar shkurtimin e atyre qimeve të mjekrës që zgjaten pa rregull.

– Ndërsa nxënësi i njohur i Imam Ebu Hanifes, Muhamed Ibën Haseni, përcjell hadithin nga Ebu Hanifja, se Abdullah Ibën Omeri e kapte me grusht mjekrën dhe i shkurtonte ato qime që zgjateshin poshtë grushtit. Ai (Muhamed Ibën Haseni) pas përcjelljes së këtij hadithi ka thënë: “Këtë mendim ne e marrim dhe ky është qëndrimi i Ebu Hanifes.3”

– Po ashtu edhe Neveviu, edhe pse e përzgjedh mendimin se mjekra nuk duhet të shkurtohet fare, përcjell qëndrimin e shumicës së dijetarëve, ndër ta edhe të Imam Gazaliut, se ka thënë që nëse mjekra rritet tej mase dhe e prish dukjen, ajo mund të shkurtohet, por me kusht që mos ta shkurtojë shumë dhe tërësisht4.

– Ibën Tejmije thotë: “Në lidhje me mjekrën, ajo duhet të lihet, por nëse merr prej saj çfarë kalon grushtin, nuk urrehet kjo, ashtu siç vërtetohet nga Ibën Omeri. Gjithashtu në këtë hyn edhe nëse shkurton qimet të cilat kanë dalë fije të përhapura (të zgjatura pa rregull).5”

Këto thënie që përcollëm janë disa citate të sahabëve, të tabiinëve dhe të dijetarëve të vjetër, nga të cilat nënkuptojmë se ata kanë lejuar të shkurtohet mjekra dhe ky është mendim i shumicës së fukahave. Por këtu duhet të kuptojmë se dijetarët e vjetër, të cilët e kanë lejuar shkurtimin e mjekrës, këtë e kanë lejuar vetëm në dy raste:

– Nëse mjekra rritet shumë, atëherë shkurtohet çfarë e tejkalon grushtin e dorës.
– Nëse disa qime të mjekrës dalin si fije dhe rriten më shumë seç është rritur mjekra në përgjithësi, atëherë ato qime lejohet të barazohen me mjekrën.

Pasi kuptuam këtë, themi se nuk është i saktë ndonjë pretendim tjetër se Ebu Hurejra apo dikush nga sahabët apo edhe nga dijetarët e mëdhenj të vjetër të kenë thënë se mjekra mund të shkurtohet shumë, ashtu siç është bërë shprehi në kohën tonë. Prandaj, çdo pretendim se nga mirëmbajtja dhe zbukurimi i mjekrës është që ajo të shkurtohet vetëm sa t’i thuhet mjekër dhe se kështu duhet të veprohet, kjo e tëra nuk ka mbështetje as në thëniet e sahabëve e as në thëniet e dijetarëve të të gjitha medhhebeve. Është e mundur që disa, duke u munduar të jenë më bindës në mendimet dhe idetë e tyre, të sjellin konkluza dhe thënie që dëgjuesi të kuptojë se këto janë thënie të ulemave të vjetër apo edhe të sahabëve, por e sakta është se thënie për shkurtimin e mjekrës që përcillen nga këta janë vetëm të këtilla, siç i përmendëm më lart.

Gjithashtu duhet të kuptojmë edhe atë se bukuria dhe zbukurimi i cili synohet nga besimtari është zbukurimi në përputhje me dispozitat islame e jo ajo që preferojnë mendjet e njerëzve dhe shija e atyre që janë ndikuar nga rrethanat e kohës. Me fjalë të tjera, nuk mund të jetë forma e mjekrës e bukur në kohën e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, e në kohën tonë të konsiderohet e shëmtuar apo e shthurur dhe anasjelltas. Sido që të jetë dalja e mjekrës, ajo dallon prej njërit nga tjetri dhe te disa është më e shpeshtë, te disa më e rrallë, pastaj te disa mund të dalë vetëm poshtë gojës e të mos dalë në faqe dhe kështu me radhë. Prandaj përcaktimi se kjo mjekër është e bukur dhe kjo e shëmtuar nuk duhet të jenë logjika dhe shija e caktuar e disa njerëzve, por mundohuni që t’i përmbaheni rrugës së të Dërguarit tuaj, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, pasi në këtë është shpëtimi dhe lumturia.

Alaudin Abazi
26.4.2009

1 Shënon Ebu Davud dhe të tjerët, shih: “Sahih Ebi Davud” hadithi nr: 2041.
2 “El Mexhmu”, vëll.1, f. 343.
3 “El- Athar”, f. 900.
4 “El Mexhmu”, vëll.1, f. 343.
5 “Sherhu Umde”, vëll.1, f.236.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit