Nën organizimin e të gjitha subjekteve politike shqiptare dhe të Shoqatës \’\’ Alpet Shqiptarë”, sot në Plavë u mbajt protesta kundër shkeljes së të drejtave të shqiptarëve nga ana e institucioneve lokale e shtetërore të Malit të Zi. Protesta u mbajt para Pallatit të Kulturës në Plavë, derisa mbante mbledhje Kuvendi Komunal i Plavës .
Në protestë folën kryetarët e degëve të partive shqiptare të Plavës e Gucisë. Nga folësit u parashtruan dhe kërkesat e tyre dhe të protestuesve. Kërkesat kryesore ishin:
1. Kuvendit Komunal i Plavës të shfuqizojë vendimin antikushtetues të aprovuar më 23 nëntor 2012.
2. Gjykata Kushtetuese të respektojë Kushtetutën dhe të anulojë vendimin e Kuvendit Komunal të Plavës, të datës 23 nëntor 2012.
3. Kuvendi Komunal në asnjë mënyrë mos t\’i miratojë rezultatet e Referendumit për statusin e komunës së Gucisë, për shkak të shkeljes së procedurës zgjedhore.
4. Ministria e Punëve të Brendshme ta anulojë vendimin nr. 011/12-2279 të datës 29 tetor 2012, në bazë të ankesës së subjekteve politikë të Plavës dhe Gucisë, në lidhje më elaboratin për arsyeshmërinë ekonomike të komunës së Gucisë.
5. Ftohen boshnjakët që të mos i përkrahin iniciativat e disa individëve për ndarje dhe përçarje , duke pasë parasysh të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e përbashkët.
6. I bëhet apel faktorit ndërkombëtar që të shfrytëzojë ndikimin e vet tek institucionet e Malit të Zi, kundër shkeljes së të drejtave tona, përndryshe integrimi i Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian do të mbetet në një rrugë qorre .
7. Ftohet Tirana dhe Prishtina zyrtare që të merren më seriozisht më problemet e popullit të vet në Serbi dhe në Malin e Zi.
Gjatë protestës dëgjoheshin dhe brohoritje me përmbajtje të ndryshme, si: “Shqipëri Etnike”, “Duam të drejtat tona”, “Plavë-Guci, jemi një”, “Shkelja mbi të drejtat tona nuk është terren i sigurt” etj.
Pankartat që mbanin në duar protestuesit, shumica ishin në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën angleze e boshnjake. Në pankarta ishin sloganet: “Nuk jemi numër i madh, por jemi ‘kafshatë’ e madhe”, “Ata që kërcënojnë shqiptarët, me gojën e kujt po flasin?”, “Nuk mund të ecni drejt BE-së , duke shkelur të drejtat e shqiptarëve” etj. /Telegrafi/