-2.4 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Turqi: A ka alternativë më të mirë se BE?

Më të lexuarat

Gjatë një interviste të kohëve të fundit, Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdohan la të kuptohej se grupi i sigurisë dhe tregëtisë i njohur si Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, ofron për Turqinë një alternativë të mirë ndaj Bashkimit Evropian. Këto komente kryeministri turk i bëri ndërsa përpjekjet 10-vjeçare të Ankarasë për anëtarësim në Bashkimin Evropian kanë ngecur në vend. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Kundërshtimi i disa vendeve të Bashkimit Evropian ndaj përpjekjeve të Ankarasë për t’u anëtarësuar në BE, ka sjellë thuajse një bllokim të këtyre përpjekjeve. Ndërkohë, gjatë një interviste të kohëve të fundit, Kryeministri Erdohan lëshoi atë që një artikull redaksional e cilësoi si një bombë diplomatike.

“Nëse zhvillimet me BE-në vazhdojnë në mënyrë negative, si kryeministër i një populli 75 milionësh, unë mund të shikoj për anëtarësim diku gjetkë. Shangai Pesë është një organizatë më e mirë dhe më e fuqishme se sa BE-ja, me të cilën kemi vlera të përbashkëta”.

Shangai Pesë, tani e njohur si Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, grupon Rusinë, Kinën dhe Taxhikistanin si dhe Kazakistanin, Uzbekistanin dhe Kirkistanin. Uzbekistani iu shtua 5 vendeve origjinale në vitin 2001. Kjo është kryesisht një organizatë sigurimi dhe tregëtie. Vitin e kaluar, ajo ngriti nivelin e marrëdhënieve me Ankaranë, duke e cilësuar Turqinë si një partner në dialog.

Ky anim i Kryeminisrit Erdohan nga Organizata e Bashkëpunimit të Shangait u kritikua nga opozita më e madhe e Turqisë, e cila tha se vendet anëtare të kësaj organizate janë shumë pak të interesuar në të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Por komentet e tij përkuan me një anketë të opinionit publik në Turqi, sipas së cilës vetëm një e treta mbështesin përpjekjet e Turqisë për anëtarësim në BE. Kjo është mbështetja më e ulët për BE-në në Turqi. Mbështetjen më e lartë ka qënë 70 për qind.

Anketa u zhvillua nga grupi kërkimor Edam me seli në Stamboll. Kreu i këtij grupi, Sinan Ulgen, thotë se megjithë natyrën kontradiktore të komenteve të kryeministrit, ai beson se zoti Erdohan do të mbështetet nga publiku.

“Kjo është hera e parë që dëgjojmë një koment të tillë nga Kryeministri i Turqisë. Ai është gjithashtu i vetëdijshëm se me një retorikë të tillë ai nuk ka të ngjarë të marrë një reagim negativ nga opinion publik, duke pasur parasysh faktin se më shumë njerëz tani në Turqi mbështesin idenë e ndalimit të negociatave të anëtarësimit me BE-në”.

Por me që grupi i Shangait është një organizatë sigurimi, analistët theksojnë se çdo lloj anëtarësimi i Turqisë mund të kompromentojë antarësinë në NATO, argument i bëri në fillim të javës nga zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Victoria Nuland.

“Është e qartë se një hap i tillë do të ishte interesant, duke pasur parasysh faktin se Turqia është edhe anëtare e NATO-s, pra duhet të presim të shikojmë si do të zhvillohen ngjarrjet”.

Por një zyrtar i Ministrisë së Jashtme turke, i cili foli me kusht që të mos identifikohej, tha se nuk ka ndonjë kontradiktë dhe se vendi i tij po ndjek një qëndrim të shumëfishtë.
Shumë komentatorë në Turqi e shikojnë deklaratën e Kryeministrit më shumë si një manovër diplomatike se sa një ndryshim strategjie, thotë gazetari i çështjeve diplomatike, Semih Idiz për të përditshmen turke, Taraf.

“Ekziston mendimi se me këto komente Kryeministri është përpjekur t’i bëjë presion Bashkimit Evropian, për të treguar se Turqia ka alternativa të tjera dhe nuk ka nevojë për BE-në. Por një ndryshimi thelbësor i pozitës së Turqisë do të prishte ndjeshëm balancën e këtij vendi dhe do të ishte përcaktuar për ekonominë në afatin e gjatë, prandaj nuk ka të ngjarë të ndodhë”.

Pritet që këtë vit si Brukseli edhe Ankaraja të përpiqen të ringjallin procesin e antarësimit. Kryeministri turk do të vizitojë vende të BE-së muajin e ardhshëm, ndërkohë që kancelarja gjermane do të vizitojë Turqinë gjatë muajit shkurt, ndërsa presidenti francez pritet në Turqi më vonë gjatë këtij viti.

Analistët theksojnë se çdo lloj përparimi drejt antarësimit të Ankarasë në BE mund të ndryshojë opinion negativ të publikut. Megjithatë në Turqi ekziston një besim i ri, i bazuar në ekonominë me rritje të shpejtë, që do të thotë se udhëheqja politike e vendit është e vetëdijshme se tani ekzistojnë alternative të tjera ndaj antarësimit në Bashkimin Evropian.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit