9.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Pyetje rreth auretit

Më të lexuarat

Pyetja:

Selam alejkum!
A keni mundësi të bëni një studim paksa më të thellë se të zakonshmit që bëhen për çështjen e auretit tek mashkulli dhe femra. Kam dëgjuar mendime të ndryshme dhe nuk jam i sigurt se cilin mendim të marr. Ju lutem na shpjegoni këtë çështje.
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Është e pamundur që të thellohemi shumë në këtë çështje duke i përcjellë mendimet e fukahave dhe argumentet e tyre, pasi kemi një numër pyetjesh të papërgjigjura, megjithëkëtë do të mundohemi t’i paraqesim problematikat të cilat shtjellohen nga fukahatë në lidhje me auretin e femrës dhe të mashkullit dhe do të mundohemi për secilin problematikë që t’i japim disa konkluza:

a) Aureti i femrës muslimane para meshkujve të huaj
b) Aureti i femrës muslimane para femrave të huaja jobesimtare
c) Aureti i femrës muslimane para femrave muslimane
d) Aureti i femrës para meshkujve që i ka mahrem
e) Aureti i mashkullit para meshkujve
f) Aureti i mashkullit para grave të huaja
g) Aureti i bashkëshortëve në mes tyre
a) Aureti i femrës muslimane para meshkujve të huaj

Një pjesë e konsiderueshme e ulemave të nderuar mbajnë mendimin se trupi i femrës i tëri është auret para meshkujve të huaj, përveç duarve dhe fytyrës dhe ky është mendimi të cilit ne i përmbahemi. Ndërsa një pjesë tjetër konsiderojnë se edhe duart e fytyra janë auret për femrën. Këto dy mendime janë ato me të cilat japin fetva edhe dijetarët bashkëkohorë dhe që të vlerësohen këto mendime nevojitet trajtim i gjatë, prandaj në pamundësi të zgjerimit do të ndalemi këtu.

b) Aureti i femrës muslimane para femrave të huaja jobesimtare

Mendimi i shumicës së fukahave është se femra e huaj jobesimtare për femrën muslimane është sikur mashkulli i huaj, prandaj nuk lejohet që ajo të shikojë trupin e femrës muslimane dhe nuk ka të drejtë që muslimania të zbulohet para saj. Për këtë aludon ajeti: “… (thuaju besimtareve) të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, baballarëve të vet ose baballarëve të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmendën)…” (Nur, 31). Në këtë ajet përjashtohen personat para të cilëve u lejohet femrave muslimane të zbulohen, ndër to janë përmendur gratë e muslimanëve dhe ky përjashtim nënkupton se gratë jobesimtare nuk hyjnë në këtë lejim. Mirëpo disa nga fukahatë kanë bërë dallim mes jobesimtareve që janë në armiqësi me muslimanët dhe mes atyre që kanë marrëveshje me ta muslimanët (ehli dhime).

c) Aureti i femrës muslimane para femrave muslimane

Është një thënie e njohur e fukahave se aureti i femrës para femrës është sikur aureti i mashkullit para mashkullit, (pra nga kërthiza deri në gjunjë), mirëpo nga kjo nuk duhet të kuptohet se femrës muslimane i lejohet t’i ekspozojë pjesët e trupit të saj para femrave muslimane, si shpinën, barkun, gjoksin, etj.
Prandaj mund të themi se aureti i femrës para femrës ka dy raste:

a) Në raste të zakonshme, në ndenja dhe tubime, femrës muslimane nuk i lejohet t’i duken nga pjesët e trupit të saj përveç atyre gjërave që janë të natyrshme të duken si: koka, flokët, qafa, duart së bashku me krahët, këmbët së bashku me kërcirin. Kurse pjesët e tjera, si: gjoksi, barku, beli, shpina, kofsha etj., nuk lejohet të ekspozohen. Prandaj, veshja e fustaneve të ngushta ose të shkurtër, e rrobave që janë të tejdukshme ose të ngushta dhe që tregojnë formën e pjesëve të trupit janë të ndaluara dhe nuk i lejohet femrës muslimane që e konsideron vetën se pason urdhrin e Allahut dhe porositë e Profetit, bekimi dhe paqja qofshin mbi të, të veshë rroba të tilla edhe para grave.

b) Në raste të domosdoshme ose të nevojshme dhe pa qëllim lejohet të duken edhe disa pjesë të tjera të trupit.
Si rast i domosdoshëm mund të ilustrojmë si rastin e sëmundjes, si shkuarja te gjinekologia ose te ndonjë mjeke tjetër.
Kurse si rast të nevojshëm apo pa qëllim mund të themi nëse femra i jep gji fëmijës në prezencën e ndonjë femre, nuk detyrohet ajo që të fshihet apo në rast të ndërrimit të ndonjë rrobe apo në disa raste të tjera, si: zbulimi i disa pjesëve të femrës para motrës së saj apo ndonjë të afërmeje, etj. Në raste të tilla, që është vështirë të ruhemi, lejohet të zbulohen disa pjesë të trupit që nuk lejohet të zbulohen në raste të zakonshme.

d) Aureti i femrës para meshkujve që i ka mahrem

Mahrem janë ata burra të cilët i ka të afërm gruaja dhe nuk lejohet të martohet me ta (sikurse babai, xhaxhai, daja, vëllai, etj). Dispozita në këtë çështje është e përafërt me dispozitën e mëparshme. Kështu që femrës muslimane i lejohet që t`i duken ato pjesë që janë të natyrshme të duken, si: koka, flokët, qafa, duart së bashku me krahët, këmbët së bashku me kërcirin. Femrës para mahremëve të saj, në raste të zakonshme nuk i lejohet që t’i ekspozojë pjesët e tjera, si: gjoksi, barku, beli, shpina, kofsha etj., ndërsa në disa situata të caktuara nëse duken këto pjesë, nuk është mëkat.

e) Aureti i mashkullit para meshkujve

Aureti i mashkullit para meshkujve pa marrë parasysh a janë ata të afërm apo jo, te hanefitë është midis kërthizës dhe gjunjëve (kërthiza nuk është auret te hanefitë, ndërsa gjunjët po).
Ndërsa shafitë dhe hanbelitë theksojnë se kërthiza dhe gjunjët nuk janë auret, por auret është ajo që gjendet në mes të këtyre.
Malikitë në njërin mendim theksojnë se gjunjët janë auret, sikurse hanefitë, dhe në një mendim tjetër thonë se dukja e gjunjëve është mekruh.
Me një rast Muhamedi salallahu alejhi ue selem e kishte të zbuluar një pjesë të gjurit para Ebu Bekrit dhe Omerit, ndërsa kur hyri Othmani ai e mbuloi atë e tha: “Si mos të turpërohem nga një njeri prej të cilit turpërohen melaiket?”, si përgjigje kur u pyet se pse para Ebu Bekrit dhe Omerit nuk e mbuloi gjurin dhe kur hyri Othmani e bëri këtë. Nga ky rast kuptojmë se zbulimi i gjurit nuk ka të njëjtën rigorozitet sikurse zbulimi i pjesës më lart, prandaj më e drejtë është që të mos jemi rigorozë në konsiderimin e gjurit auret. Allahu e di më së miri!
f) Aureti i mashkullit para grave të huaja

Në këtë mesele ka shqyrtime te fukahatë, por e drejta është se femra ka të drejtë që të shikojë trupin e mashkullit përveç pjesës ndërmjet kërthizës dhe gjunjëve, por ata kushtëzojnë që në këtë ajo të jetë e siguruar se nuk shikon me epsh.

g) Aureti i bashkëshortëve në mes tyre

Ekziston unanimitet se nuk ka ndonjë pjesë e trupit të gruas që për burrin është auret (e ka të ndaluar ta shikojë), gjithashtu e njëjta vlen edhe për gruan. Allahu i Lartësuar thotë: “…dhe ata të cilët e ruajnë pjesët e turpshme. Me përjashtim ndaj grave të veta (që i kanë në kurorë).” (Muminun, 5-6)
Alaudin Abazi
1.3.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit