-2.4 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

KULTURA MODERNE E OFENDIMIT

Më të lexuarat

Disa njerëz janë vazhdimisht të vrazhdë dhe të bezdisshëm. Ata flasin fjalë të vrazhda që nuk shfaqin ndonjë forcë argumentimi ose ndonjë dëshmi, por janë të mbushura plot me ofendime dhe sharje. I Dërguari i Zotit, paqja qoftë me të, thotë: “Ata që mallkojnë shumë në Ditën e Gjykimit nuk mund të jenë ndërmjetës dhe dëshmitarë.” (Sahihu Muslimit). Gjithashtu i Dërguari i Zotit, bekimet qofshin për të, vazhdon dhe thotë: “Besimtari nuk mund të jetë ofendues, mallkues, sharës dhe degradues”. (Tirmidhiu, hasen).

Kushdo që e do të Dërguarin e Zotit dhe dëshiron që në Ditën e Gjykimit të jetë së bashku në shoqëri të tij, duhet të ndjekë këto shembuj të mirë. Kjo nënkupton se ai duhet ta ruajë gjuhën e tij nga të shprehurit diçka tjetër përpos asaj që është e mirë. Këshilla e të Dërguarit të Zotit, paqja qoftë mbi të, ishte që: “…kushdo që e beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit ose të flasë mirë, ose le të heshtë”. (Buhariu dhe Muslimi). Allahu pastë mëshirë për personin, i cili ose flet diçka të mirë dhe fiton një shpërblim, ose rri i qetë dhe mbetet i sigurt (ruhet). Nuk ka asgjë të keqe me ata njerëz që shfaqin divergjenca ose debatojnë me njëri-tjetrin veçanërisht në këto kohë të paqarta dhe të trazuara. Sidoqoftë mënyra për t’u marrë me mospajtimet duhet bërë me argumente të qarta dhe fjalë të buta. Tonaliteti i diskutimit të personit duhet të tregojë dëlirësi të qëllimeve të tij, forcë të intelektit dhe bujari të karakterit. Është e qartë për këdo, se bota islame u kaplua nga kriza të shumta. Është njësoj sikur një anije lëkundet në një stuhi dhe njerëzit në bord frikësohen se po mbyten. Zërat e tyre të gjithë përzihen së bashku. Disa zëra janë të mëshirshëm dhe të shqetësuar, disa janë të qetë, të tjerët janë të zemëruar dhe të shqetësuar. Atëherë është ky zëri që nxjerr jashtë mallkimet dhe ofendimet majtas e djathtas dhe ky zë gjithmonë e kursen veten e vet. Por, si mundet që ky zë ta mallkojë veten?

A nuk është zëri i atij, i cili dëshiron të rregullojë çështjet e secilit kur ata dorëzohen, ia kthejnë shpinën, iu dorëzohen dobësisë dhe shesin fenë e tyre për përfitime të kësaj bote? Jo … me të vërtetë personi më i keq i mundshëm është ai që sheh vetëm të mirën në veten e tij dhe të keqen e të ligën e sheh tek gjithkush tjetër. Vëllezërit dhe motrat tona janë pjesë e jona dhe ne duhet t’i vlerësojmë dhe t’i respektojmë ata me të njëjtin respekt siç e nderojmë ne veten tonë.

Allahu në Kuranin Fisnik thotë: “E përse kur e dëgjuan atë (shpifje) besimtarët të mos mendonin të mirën si për vete dhe të thoshin: ‘kjo është shpifje e qartë’”. (Nur 12).

Allahu gjithashtu thotë: “O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke nënçmuar njëri-tjetrin) dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen janë mizorë.” (Huxhurat 11).

Interneti na ka pajisur me një mënyrë të re të fyerjes dhe shpifjes ndaj njëri-tjetrit – atë të ofendimit elektronik. Tani njerëzit mund t’i shpërndajnë ofendimet dhe sharjet e tyre lirshëm pa ndonjë përgjegjësi, por pse jo edhe duke publikuar emrin e vet. Këta që angazhohen me këtë sjellje e dëshmojnë haptazi mëkatin e tyre dhe me të vërtetë që i Dërguari i Zotit, paqja qoftë me të, ka thënë: “I gjithë umeti im do të jenë të falur, me përjashtim të atyre që i publikojnë mëkatet e tyre”. (Buhariu dhe Muslimi).

Interneti gjithashtu na jep mundësinë që personi të jetë anonim, të fshihet pas një emri të pavërtetë dhe kjo e lejon shpifësin t’i përshkojë të gjitha ndalesat. Fatkeqësisht fjalimi sensibël, i balancuar dhe i mençur nuk shihet shpesh me shumë vëmendje. Në anën tjetër, ofenduesi elektronik inkurajohet nga kujdesi dhe vëmendja, që ai gjen nga të tjerët, nga të dy palët, si nga ata që e përkrahin atë ashtu edhe nga ata që e kritikojnë atë. Ai madje mund të mashtrojë veten aq shumë, sa të mendojë që ai është duke e bërë historinë!

Një mundësi tjetër e re për t’i përhapur ofendimet dhe sharjet është nga telefonat celularë, me dërgimin e tekst-porosive (sms). Me mesazhe anonime, formulimet më ofensive dhe më të paturpshme mund të valëviten nëpër botë. Ky abuzim i medies elektronike është i paskrupullt dhe pa moral. Ata që shfaqin sjellje të tilla e nxjerrin veten e tyre si njerëz pa vlera, njerëz të cilët kontrollohen nga pasionet e tyre më të ulëta dhe nga zemërimi i shkujdesur, dhe që janë të motivuar nga zemërimi mendjengushtë.

Ata që mendojnë se janë duke përkrahur të vërtetën ose duke mbrojtur besimin, duke u sjellë në këtë mënyrë janë duke u mashtruar shumë. Kjo teknologji ka siguruar një mënyrë për të ofenduar dikë – dhe për ta bërë personin e lënduar të paguajë për atë.

Një shok i imi kohët e fundit mori një tekst-porosi nga dikush, që kërkonte nga ai që ta thërrasë urgjentisht. Ishte një thirrje ndërkombëtare. Shoku im e thirri atë numër dhe harxhoi mbi një orë në telefon duke dëgjuar personin tjetër duke e ofenduar dhe duke e sharë këtë. Kur ma tregoi këtë ngjarje shoku im, unë qesha dhe i thashë: ‘Ai të ofendoi ty dhe ti i pagove një tarifë atij’.

Muslimanët, të cilët duan të mbahen në rrugën e drejtë në këtë kulturë të ofendimeve duhet të ndjekin këto elemente si vijojnë:

1. Ne duhet të mos ia vëmë veshin sjelljeve të tilla dhe atyre që i shfaqin këto sjellje. Kjo është pikërisht çka na thotë Kurani të bëjmë:

“… merre të lehtën, urdhëro për mirë dhe largohu prej injorantëve.” (Araf 199).

“Dhe kur e dëgjojnë ndonjë llomotitje marrëzie i kthejnë shpinën dhe thonë: ‘Ne kemi veprat tona e ju tuajat, qofshi larg nesh, ne nuk na duhen injorantët’!” (Kasas 55).

“Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët; ata që janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit dhe ata që i shmangen të kotës.” (Muminun 1-3).

Një nga karakteristikat e të Dërguarit të Zotit, bekimet qofshin për të, ishte se sjellja e injorantëve të tjerë vetëm se e bëri atë të sillej më me butësi.

2. Ne mund t’iu përgjigjemi me diçka më të mirë. Kjo nënkupton se ne mundemi t’i lutemi Allahut për personin tjetër dhe të kërkojmë nga Allahu që ta falë atë. Ne mund të themi diçka më të mirë dhe t’ia kthejmë fjalën e keqe me një të mirë. Ky trajtim gjithashtu rekomandohet shpesh në Kuranin Fisnik: “Ti të keqen ktheje me më të mirën. Ne e dimë më së miri atë që shpifin ata.” (Muminun 96); “…njerëzve u thoni fjalë të mira…” (Bekare 83); “Atyre u jepet shpërblim i dyfishtë për arsye se bënë durim dhe ata të keqen e largojnë me të mirën, e nga ajo që Ne i furnizuam, ata japin.” (Kasas 54).

3. Ne duhet të vetëpërmbahemi dhe të jemi të qetë. Jeta është një rrugë e gjatë, dhe neve na duhet pushim dhe qetësi.

Allahu thotë: “Ai është që në zemrat e besimtarëve dhuroi qetësinë…” (Fet’h 4), ndërsa lidhur me të Dërguarin e Zotit, paqja dhe bekimi qofshin për të, Allahu në Kuran thotë: “Pastaj Allahu zbriti qetësinë e vet në të dërguarin e Tij dhe në besimtarë…” (Teube 26).

Allahu i thotë të Dërguarit të Tij, paqja qoftë mbi të: “Pra, të jesh i durueshëm! Durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut. Ti mos u pikëllo për ata, as mos u brengos për dredhitë që bëjnë ata!” (Nahël 127).

Jetoje jetën me kënaqësi e gjakftohtësi (qetësi). Kryejini punët tuaja qetësisht, me gjakftohtësi, me durim dhe me një fytyrë të hareshme – qoftë ajo tregti, industri, punë islame, menaxhment ose çkado qoftë tjetër, që Allahu ju ka caktuar për ju në këtë botë. Mos ia vini veshin atyre zërave që synojnë t’ju ulin dhe nënçmojnë.

4. Nuk duhet ta humbim kohën duke u përgjigjur dhe duke përgënjeshtruar atë që thonë ata. Lërja ato të tjerëve. Jo gjithçka që ne themi është doemos korrekte dhe jo gjithçka që të tjerët flasin është gabim. Ne duhet ta përmbajmë veten nga ofendimet dhe sharjet.

Dikush më pyeti një herë: “Pse nuk shkruani një replikë kështu dhe kështu, meqë folën keq për ty në gazetë?” Unë ia ktheva: “Kam gjëra të caktuara për të bërë dhe zgjedh të mos merrem me atë. Por po supozojmë se po e replikoj atë. Pastaj ai do të shkruajë një replikë tjetër kësaj times. A duhet atëherë t’i braktis të gjitha përpjekjet e mia produktive dhe t’i përkushtohem një beteje fjalësh?

Ose a duhet të ndaloj dhe t’i duket vetja oponentit tim se ka fituar? Pastaj fillova të mendoj për këto debate që u zemëruan midis individëve 30 ose 40 vite më herët- pa përmendur ato që ndodhën shekuj më parë. Cili ishte efekti përfundimtar i tyre? Çfarë arritën ata? A nuk do të ishte më mirë për mua t’i shpenzoj përpjekjet e mia të kufizuara në diçka më të fortë, më të qëndrueshme dhe më me vlerë?

5. Ne nuk duhet asnjëherë që t’i lëmë armiqtë tanë dhe panjerëzitë e të tjerëve të na nxisin në mohimin e së vërtetës, duke folur pavërtetësi ose duke ngulmuar në një gabim.

Ne duhet t’i bëjmë një vetë-vlerësim dhe vetë-korrigjim veseve tona.

Njerëzit shpesh kritikojnë kuptimin e dukshëm se çfarë po thoni pa i vlerësuar të gjitha aspektet e saj.

6. Ne duhet të kujtojmë se i kemi bërë male mëkatet tona. Ne kemi shikuar pamje të ndaluara. Ne kemi thënë diçka që nuk duhet ta themi. Ne kemi qenë mospërfillës në detyrat tona. Allahu me Mirësinë e Tij ndaj nesh zgjodhi për ne vuajtjet më të lehta të kësaj bote për të shlyer nga ne mëkatet tona, ose për ta lartësuar statusin tonë, për të na ngritur drejt lartësive që ne asnjëherë nuk kishim mundur t’i arrinim ato vetëm me veprat tona të mira.

Allahu cakton për ne ata që mendojnë të jenë kundërshtarët tanë, por në realitet ata janë ndihmësit tanë, përmes të cilëve ne arrijmë mëshirën e Allahut. Kjo nuk nënkupton se shpërblimi jonë vjen në kurriz të tyre. Allahu është shumë bujar. Kundërshtari jonë mund të fitojë mëshirën e Allahut për sinqeritetin dhe nderin e tij – madje edhe pse ai mund të jetë gabim – gjersa ne jemi shpërblyer për durimin tonë. Ne nuk duhet të shohim avancimin (përparimin) tonë në kurriz të të tjerëve.

Ne duhet ta lusim vazhdimisht Allahun për falje, kushdo që vepron kështu, do të gjejë se Allahu do t’i dhurojë atij qetësi, ndihmë dhe lehtësim për çdo shqetësim dhe do ta nxjerrë nga çdo vështirësi, dhe Ai do t’i japë për nevojat e tij nga ajo që njeriu kurrë nuk mund ta imagjinojë. Vërtetë, Allahu është me ata të cilët bëjnë durim.

SELMAN EL AUDE

Përshtati nga anglishtja: Fitim NUHIU/albislam.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit