Fondacioni i Turqisë “Diyanet” ka njoftuar se planifikon ndërtimin dhe rindërtimin e dhjetëra xhamive në Siri që janë dëmtuar rëndë gjatë luftës civile.
Mustafa Tutkun, drejtor i Fondacionit deklaroi për agjencinë turke të lajmeve AA, se planifikojnë të rindërtojnë dhe riparojnë 66 xhami në bashkëpunim me Qeverinë e Turqisë.
Ai tha se projektet do të zbatohen në vendet që janë çliruar nga terroristët në kuadër të operacionit “Mburoja e Eufratit”.
Disa xhami tashmë janë hapur për besimtarët pas riparimeve të tërësishme.
“Kemi përfunduar riparimet në xhaminë Kebir, Nur dhe Hasan në Jarablus dhe kemi rihapur dyert e tyre për lutje”, tha Tutkun.
Ai shtoi se fondacioni “Diyanet” në bashkëpunim me Drejtorinë e Çështjeve Fetare ka rinovuar 127 xhami në lindje dhe juglindje të Turqisë, të dëmtuara nga sulmet e organizatës terroriste PKK.
Siria që nga viti 2011 është përfshirë nga lufta civile, që kur regjimi i presidentit aktual Beshar Esad shtypi me dhunë protestat paqësore kundër sundimit të tij.
Që atëherë, qindra e mijëra civilë kanë humbur jetën, ndërsa disa milionë të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë dhe të zhvendosen në vende më të sigurta.