Më 2012 janë konfiskuar 1480 armë të ndryshme
Edhe pse nuk ka ndonjë statistikë të saktë mbi numrin e armëve pa leje, sipas disa informacioneve, llogaritet të jenë rreth 300 mijë.
Numri i armëmbajtjeve pa leje në Kosovë vazhdon të jetë i lartë.
Edhe pse nuk ka ndonjë statistikë të saktë mbi numrin e armëve pa leje, të cilat gjenden në duart e qytetarëve të Kosovës, sipas disa informacioneve, llogaritet që rreth 300 mijë armë pa leje të jenë në Kosovë.
Po ashtu, konfiskimi i tyre nga ana e Policisë së Kosovës tregon për përmasat shqetësuese ndaj këtij fenomeni.
Posedim i paligjshëm
Sipas Policisë së Kosovës, vetëm gjatë vitit që lamë pas janë konfiskuar mbi 1 mijë armë pa leje. Zëdhënësi i
Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, ka thënë se gjatë 2012 policia ka konfiskuar mijëra armë të llojeve të
ndryshme, të cilat qytetarë i mbanin paligjshëm.
“Gjatë vitit 2012, nga Policia e Kosovës janë konfiskuar gjithsej 1480 armë të ndryshme, të cilat në mënyrë të paligjshme kanë qenë në posedim të qytetareve”, ka thënë Sadriu.
Sipas tij, rastet e armëmbajtjes pa leje trajtohen nga njësitet policore konform procedurave ligjore.“Policia e Kosovës realizon me dhjetëra plane të ndryshme operative e që shumica prej tyre ndërlidhen me luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme në vend.
Gjatë realizimit të këtyre planeve operative dhe gjatë realizimit të kontrolleve në lokacione të ndryshme policia gjen dhe konfiskon edhe armë të ndryshme”, ka thënë Sadriu, duke shtuar se gjatë patrullimeve dhe pikave të kontrollit që policia realizon gjatë punës së rregullt pothuajse në baza ditore konfiskohen armë që ilegalisht gjenden në duart e qytetarëve.kohaislame