Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ka një rritje “alarmuese” të sëmundjeve kardiovaskulare të rrezikshme për jetën në shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Një raport i ri nga kjo organizatë thotë se ky mund të jetë rezultat i infeksioneve virale, bakteriale dhe parazitare të pakontrolluara si dhe sëmundjeve kronike si tuberkulozi, sida, dhe sëmundjeve të shkaktuara nga thumbimet e insekteve.
Studimi i OBSH-së thotë se numri i vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare, që janë shkaktari kryesor i goditjeve në zemër dhe në tru, mund të dyfishohet në vitin 2020.
Ekspertët thonë se kjo rritje nuk është shkaktuar vetëm nga faktorët e parandalueshëm të rrezikut si obeziteti, tensioni i lartë gjakut, pirja e duhanit dhe alkooli.
“Kemi mësuar se turberkulozi është një shkaktar i rëndësishëm i sëmundjeve të zemrës”…
…thotë Dr. Peter Hotez, president i Institutit të Vaksinës Sabin dhe dekan i Shkollës Kombëtare të Mjekësisë Tropikale në Baylor College të Houstonit. Ai thotë se shumë komplikacione kardiovaskulare janë të lidhura direkt me infeksione të parazitëve si ethet e kërmillit, infeksionet streptokoksike, dhe sifilisi.
“Sëmundjet tropikale të neglizhuara që janë përgjegjëse për sëmundjet e zemrës janë të ndryshme në të gjitha vendet në zhvillim. Për shembull, në disa nga pjesët më të varfëra të Amerikës Latine, sëmundjet e shkaktuara nga thumbimi i insekteve janë shkaktarë të rëndësishëm të sëmundjeve të zemrës. Këto lloje të sëmundjeve shkaktohen nga një parazit që jeton në zemër. Dhe ne nuk kemi ilaçe shumë të mira për shumicën e tyre”.
“Ka ilaçe për trajtimin e këtyre sëmundjeve por ato janë shumë të vjetra. Ato janë përdorur për shëndetin e kafshëve dhe në fusha të tjera. Këto ilaçe janë të vjetra, toksike dhe në shumë raste kanë humbur efikasitetin e tyre për shkak se organizmat janë duke u bërë rezistentë ndaj tyre”.
Eric Easom po drejton përpjekjet për zhvillimin e ilaçeve për sëmundjet e lëna pas dore në kompaninë Anacor Pharmaseuticals.
Ai thotë se nuk ka pasur nxitje të mjaftueshme financiare për kompanitë e mëdha farmaceutike për të punuar në zhvillimin e ilaçeve të reja për këto lloje të infeksioneve kronike – edhe pse studimet i kanë identifikuar ato si kontribues të rëndësishëm në tensionit të lartë dhe dështimit kronik të zemrës.
Por vënia nën kontroll e sëmundjeve tropikale infektive mund të jetë vendimtare për zvogëlimin e numrit global të vdekjeve nga sëmundjet e zemrës, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta.
Don Joseph drejton organizatën joftimprurëse BIO Ventures for Global Health e cila mbështet zhvillimin e ilaçeve të reja, vaksinave dhe diagnostikimin për sëmundjet tropikale.
Zoti Joseph thotë se ilaçet që tani janë në dispozicion nuk mund të zvogëlojnë numrin në rritje të këtyre infeksioneve në botë, dhe studimet e mëtejshme janë thelbësore.
“Ne mendojmë se sëmundjet e lëna pas dore janë të rëndësishme. Këto sumundje kanë një ndikim të pa balancuar mbi njerëzit që mund t’u përballojnë atyre dhe atyre që janë prekur më së shumti nga ato”.
Ekspertët e shëndetësisë thonë se është e rëndësishme që të njihen faktorët e rrezikut që kontribuojnë në sëmundjet e zemrës në vendet në zhvillim në mënyrë që të jetë i mundur zhvillimi i strategjive efektive për trajtimin e tyre./zhurn/kohaislame