10.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Varfëri e skajshme: Mbi 100 mijë kosovarë jetojnë me 1 euro në ditë

Më të lexuarat

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, mbi 26 mijë familje kosovare me rreth 108 mijë anëtarë jetojnë në varfëri të skajshme me rreth 1.30 euro në ditë. Sipas këtij dikasteri qeveritar, numri i familjeve me gjendje të rëndë ekonomike që marrin asistencë sociale, në dy vjetët e fundit nuk ka ndryshuar shumë.

Edhe të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, flasin për rreth 17.6 për qind të popullatës që jeton në varfëri të plotë me vetëm 1.82 euro në ditë për një person të rritur, ndërsa 5.2 për qind e popullatës jeton në varfëri ekstreme me 1.30 euro në ditë.

Muhamet Gjocaj është udhëheqës i Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se asistenca sociale që këto familje marrin sillet nga 50 euro deri në 150 euro në muaj.

“Aktualisht duke i referuar muajit të fundit janë 26 mijë e 375 familje me 108 mijë e 149 anëtarë të cilët kanë marrë ndihmë sociale. Në dy vitet e fundit sillet ky numër i familjeve, 25 mijë deri në 26 mijë. Vlera e parave që ata marrin varet nga numri i anëtarëve. Po ashtu çdo familje që kanë fëmijë nga mosha 0 deri në 18 vjeç marrin nga 5 euro shtesë në emër të rritjes dhe shkollimit. Pra një asistencë sociale në disa raste mund të shkojë deri në 150 euro, që është shuma maksimale”, thekson Gjocaj.

Numrit prej 26 mijë familje me asistencë sociale i shtohen edhe 17 mijë familje të tjera të cilat jetojnë në gjendje të rëndë ekonomike e të cilat vazhdimisht ndihmohen me gjëra ushqimore dhe veshmbathje nga Kryqi i Kuq i Kosovës.

Antigona Sopjani koordinatore për mirëqenie sociale në Kryqin e Kuq të Kosovës ka thënë se vazhdimisht ka familje të cilat kërkojnë ndihmë për gjërat elementare.

“Ne si Kryq i Kuq i Kosovës kemi një numër mjaft të madh të familjeve nevojtare që kohë pas kohe vinë dhe kërkojnë ndihmë në zyrat tona. Numri i cili përfshihet në listat tonë janë 17 mijë familje në tërë territorin e Kosovës, të gjitha këto familje janë të varfra dhe kanë nevojë për përkrahje të vazhdueshme”, thekson Sopjani.

Ndihmat që u jepen familjeve në nevojë konsiderohen, nga vetë ato, të pamjaftueshme. Po aq sa është vlerësuar të jetë e pamjaftueshme edhe asistenca sociale, të cilën e ofrojnë institucionet e Kosovës për familjet në nevojë që nga viti 2003.

Familja 12 anëtarësh Gashi është njëra nga familjet e shumta që merr asistencë sociale.

Kryefamiljarja Sevdije Gashi, në një prononcim dhënë për Radion Evropa e Lirë pak kohë më parë pati thënë se ndihma sociale prej 80 eurosh, që autoritetet qendrore ua ofrojnë, nuk përmbushin nevojat elementare të kësaj familje.

“Ashtu si mundemi jetojmë. Kur ka edhe ushqehemi… kur nuk ka rrimë… Problemet janë të mëdha… sidomos për fëmijët që nuk kanë kushte. Janë të uritur, nuk kanë veshmbathje”, pati thënë Sevdija.

Kosova radhitet në mesin e vendeve të varfra në rajonin e Ballkanit, me nivel ende të lartë të varfërisë dhe varfërisë së skajshme, por edhe me nivelin e ulët të pagës minimale. Autoritetet e Kosovës qenë zotuar disa vjet më parë se do të përmbushin Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, që kanë për qëllim ta ulin dukshëm varfërinë, e ta rrisin nivelin e edukimit, barazinë gjinore dhe shëndetësinë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit