5.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Rrini larg nesh, o njerëz të dhunës

Më të lexuarat

Më datë 25 Nëntor bota përkujtoi Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër Dhunës ndaj Gruas. Kjo është një ditë simbolike, të cilën e kanë specifikuar Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare për të sjellë në qendër të vëmendjes – qoftë edhe vetëm nga ana mediatike – problematikat e gruas dhe rreziqet që e rrethojnë atë. Kjo ditë, ashtu si dhe të gjitha ditët e tjera të përcaktuara për njerëzimin, për grupe të veçanta, për fëmijët, pemët, tokën etj., është një ditë si ditët e tjera të shumta të përcaktuara të vitit, prej të cilave njerëzit që janë vënë në qendër të vëmendjes nuk përfitojnë gjë tjetër përveç deklaratave të parfumuara dhe falënderimeve gojore, ndërkohë që të drejtat e tyre mbeten ende të shtypura, siç janë punëtorët, apo nderi i tyre mbetet ende i përdhosur, siç janë gratë.

 

Po kështu edhe pushtimi i pashpirt ushtarak, ideologjik dhe ekonomik mbetet ende i pranishëm në pjesën më të madhe të vendeve tona, ndërkohë që ata që festojnë thërrasin me të madhe: “Me gjak dhe me shpirt do të të mbrojmë!…” Ditë të tëra janë të shënuara nga marrëveshje ndërkombëtare, karta të të drejtave të njeriut dhe ndërmjet festimeve zyrtare kalojnë muaj të tejzgjatur të mbushur me sjellje brutale dhe uzurpim. Të drejtat që kërkojnë ditët hidhen tej prej sjelljeve krejt të kundërta përgjatë vitit. Ajo që mbjell kultura e përkohshme çdo ditë, çdo orë, çdo minutë heshtjeje, çdo sadaka me qindarka apo çdo sjellje që tregon respekt, nuk mund të sjellë fryte përveç se nëpërmjet një sjelljeje të përhershme, që ka nevojë për një edukim social, ndjesi individuale, kontroll institucional, në mënyrë që këto ditë të kenë një ngjyrë të përhershme dhe të kalojmë nga prodhimi i teorive drejt praktikës dhe zbatimit.

 

Në këtë rast duhet të theksojmë sesi ka arritur Islami përpara ligjeve njerëzore të realizojë një nivel të lartë të individualitetit femëror, që ia kalon legjislacioneve të tjera, duke e ditur nga Ligjvënësi i Lartësuar, se njerëzimi do ta ketë në vazhdimësi tendencën për ta dobësuar pozitën e gruas. Për këtë arsye Ligjvënësi e ka ngritur lart peshën e tyre në suren Nisa (kaptina e grave), e cila mbron të drejtat e tyre materiale dhe shpirtërore. I Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem i edukonte vazhdimisht sahabet, që të silleshin mirë me gratë dhe u sillte atyre në vëmendje, se më fisniku ndër ta ishte ai që i respektonte ato dhe më mosmirënjohësi ndër ta ishte ai që i poshtëronte ato. Gjithashtu i Dërguari Allahut sal-lallahu alejhi ue selem e ngriti lart pozitën e grave, duke i bërë ato një nga shkaqet e plotësimit të fesë: “Kur robi martohet, gjysma e fesë së tij është plotësuar dhe le t’i frikësohet Allahut për gjysmën tjetër.” Profeti e ngre edhe më lart pozitën e grave, kur i konsideron ato si një nga thesaret më të mira të dynjasë: “Një zemër falënderuese, një gjuhë që përkujton Allahun dhe një grua e mirë do të të ndihmojnë në çështjet e dynjasë dhe të fesë. Këto janë thesaret më të mira të njerëzve.”

 

I Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem dhe sahabet pas tij u mbështetën tek gratë në çështjet e infermierisë dhe mjekësisë. Nga mesi i atyre grave kishte tregtare, poete dhe dijetare, në një kohë kur për romakët gruaja shitej kur martohej, sipas të ashtuquajturës “marrëveshja e sundimit”, ndërsa në legjislacionin “Mano” të indianëve të vjetër thuhej: “Vdekja, ferri, helmi, gjarpërinjtë dhe zjarri nuk janë më të këqij se gruaja.” Ky është Islami, ku robi nëse pajiset me edukatën e tij, këto ditë bëhen që të gjitha ditë të gruas, sjellja e mirë me të bëhet adhurim, ndërsa drejtësia mes saj dhe burrit është ligj në thënien e Allahut të Lartësuar: “Kush bën vepra të mira, mashkull apo femër duke qenë besimtar, atij do t’i ngjallim një jetë të mirë.” Lavdërimi i saj vjen prej Zotit të njerëzimit përpara vetë njerëzimit, ashtu siç ndodhi me sahabijen Havlen, të bijën e Thalebesë, kur erdhi që të ankohej për burrin e saj, që e konsideroi atë si nënën e vet, edhe pse ajo gjatë gjithë jetës kishte edukuar fëmijët e tij dhe ishte kujdesur për të.

 

Ky është Islami që i ka dhënë gruas të gjithë të drejtat e plota, të drejtat e një qytetari të pacenuar, një pavarësi materiale dhe shpirtërore, një liri në shprehjen e mendimit edhe në çështjet me të thella të privatësisë së saj, siç është martesa dhe në çështjet madhore që i përkasin asaj, si vetëveprimi me pasurinë e saj.
Por jo pretenduesit e lirisë, që na mburren për lirinë që vjen së bashku me autokolonat e tankeve dhe oshtimën e plumbave. Kjo është liria që cenon nderin, që djeg viktimën, që fsheh krimin dhe pastaj jep vendimin me burg për kriminelin, që del nga burgu pas disa vitesh për sjellje të mirë, ose nderohet dhe respektohet?! Kurse viktima nuk di asgjë për dënimin, nëse ndodh, nuk i shërohen plagët dhe as nuk i kthehet nderi as pas një dite, as pas disa ditësh dhe as pas disa vitesh. Na akuzojnë për dhunë dhe na shohin si popuj që kemi nevojë të edukohemi dhe të arsimohemi, ndërkohë që i privojnë qytetarët e tyre gra të arsimohen, të punojnë apo që të kontribuojnë pozitivisht në jetë, për shkak se ato veshin shaminë, apo sepse zbatojnë dispozitat e fesë së tyre.

 
Ata e përkufizojnë dhunën ashtu si dëshirojnë dhe harrojnë se shtëpitë e tyre i kanë prej qelqi dhe dhuna po mbyt shoqëritë e tyre. Disa statistika tregojnë se 59% të fëmijëve francezë lindin jashtë martese, se numri i të martuarve në Britani nuk i kalon 50.3%, se gjysmë milioni adoleshentë në Amerikë vuajnë nga sëmundje seksuale për shkak të përhapjes së pornografisë, se 20% e femrave adoleshente tentojnë vetëvrasjen të paktën një herë në vit dhe se 21% grave në SHBA ekspozohen ndaj përdhunimit. Amerika është vendi i parë në botë për sa i përket rasteve të përdhunimit, 25% e grave britanike janë të ekspozuara ndaj dhunës dhe policia merr rreth njëqindmijë telefonata për dhunë në vit. A nuk përfaqësojnë këto përqindje një cenim të madh dhe një dhunë të ashpër ndaj gruas, qoftë si nënë, si vajzë, si motër dhe si bashkëshorte?

 
Por kush i kërkon llogari atyre për gratë e tyre dhe për gratë tona? Kush mund të hedhë dritë mbi krimet e tyre përpara se të bien daullet për krimet tona të pakta dhe të papranueshme? Por ata shohin qimet në syrin tonë dhe nuk e shohin traun në syrin e tyre. Përse nuk përpiqen për nderin e grave të tyre përpara se të shqetësohen për nderin e grave tona?!

 
nga arabishtja: Genc PLUMBI
Mars/2010

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit