Bundestagu ka miratuar trajtimin e detyruar të njerëzve me sëmundje psikike. Në një kohë që shumë psikiatër e përshëndesin ligjin e ri, të prekurit e kritikojnë trajtimin jovullnetar si “torturë”.
Si duhet vepruar me një pacient të sëmurë nga ana psikike që ka humbur vetëkontrollin? Si mund të ndihmohet pacienti, kur ai vetë e refuzon ndihmën? Më shumë se 140.000 vetë shtrohen në spitalet e psikiatrisë në Gjermani kundër vullnetit të tyre. Në Europë, Gjermania zë vendin e dytë me këtë shifër, pas Francës. Ndërkohë që përkrahësit e trajtimit të detyruar, argumentojnë ligjin e ri me përgjegjësinë për kujdesin ndaj njeriut, kritikët e shohin këtë masë si shkelje e së drejtës së pacientit për vetëvendosje.
Debati në Gjermani u ndez nga Gjykata e Lartë Gjermane. Kjo ndaloi trajtimet e detyruar në verën e vitit 2012, sepse mungonte për këtë baza e duhur ligjore. Tani koalicioni qeverisës i CDU/CSU-së dhe i liberalëve ka krijuar bazën ligjore dhe i lejon trajtimet sërish.
Forcohen të drejtat e psikiatrit
Mjekët psikiatër e vlerësojnë këtë hap. Drejtoresha mjekësore e klinikës së psikiatrisë në Langenfeld, Jutta Muysers në një intervistë me Deutsche Welle-n shprehet se situata e tanishme ligjore ka qenë e paqartë. “Kjo bën që gjithsekush të mendojë se e di se si duhet të veprojë – qoftë pacienti, qoftë i afërmi apo psikiatri.” Muysers shpreson që rregullorja e re ta ndryshojë gjendjen.
Fakt është që shumë pacientë nuk e kanë pranuar trajtimin me ilaçe, megjithëse sipas mendimit të mjekut, kjo është e nevojshme. Muysers është e mendimit se ka pacientë që nuk mund të vendosin vetë në çdo situatë se çfarë është e mirë për ta, kjo sidomos në rastin e gjendjeve të ngacmimit të lartë psikik, si dëgjimi i zërave, apo mania e persekutimit.
Kritikë nga të prekurit
Matthias Seibt nga Shoqata Gjermane e Përvojës Psikiatrike e kritikon ashpër nismën e Bundestagut. 53 vjeçari ka provuar vetë përvojën e trajtimit të detyruar. Atij iu dhanë, pjesërisht kundër vullnetit të tij, neuroleptikë, ilaçe që përdoren kundër psikozave. Sot ai është vetë psikiatër dhe lufton kundër trajtimit të detyruar. “Kjo është torturë që tanimë u legalizua. Kur dikush thotë, ‘Jo, nuk e dua këtë trajtim’, kjo duhet respektuar.”
Kritika ka ardhur edhe nga Instituti Gjerman për të Drejtat e Njeriut. Ky institucion i ka propozuar Bundestagut të rishikojë ligjin. Sipas Seibt, klinikat e psikiatrisë janë “sisteme terrori”, ku bëhet fjalë vetëm për të shkatërruar vullnetin e pacientit.
Reagime nga psikoterapistët
Rainer Richter, president i Dhomës Gjermane të Psikoterapisë i hedh poshtë kritika të tilla. “Kjo nuk është torturë. Ky është një përcaktim dramatizues. Nuk bëhet fjalë që të nxjerrësh nga pacienti gjëra të palejueshme.” Megjithatë Richter është i mendimit që politika të tregojë vëmendje për një përkujdes më të plotë të të sëmurëve psikikë. Në klinika duhet forcuar personeli dhe kujdesi ndaj pacientit. Ai kërkon përgatitjen e një kontrate me pacientin, ku ai vetë të vendosë se çfarë trajtimesh pranon, madje edhe në rastin, kur ai vetë humbet kontrollin. Një kontratë e tillë nuk është paraparë në ligjin e tanishëm./dw