Një kullë gjigante 350 metra e lartë do të ndërtohet në bulevardin e ri të Tiranës. Projekti është paraqitur sot në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese nga ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi.
Propozimi për këtë ndërtim, që do të quhet “Kulla ikonike”, është paraqitur në Bashkinë e Tiranës nga kompania “Al Habtoor Investment LLC”, e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe, me seli në Dubai.
“Kompania vjen me një investim i cili shkon në 250 milionë dollarë. Është një kullë ikonike, e cila ngrihet në Tiranë në një lartësi rreth 350 metra dhe ka një sipërfaqe që ndahet midis tre objekteve kryesore, rezidenca banimi, hotelerie dhe shërbimesh administrative. Ajo do të jetë e aftë të punësojë gjatë ndërtimit 6 mijë persona dhe pas ndërtimit 3 mijë persona”,- thotë Milva Ekonomi.
Në kërkesën e interesit nga ana e kësaj kompanie është kërkuar transferimi pa kosto dhe në pronësi i një sipërfaqeje prej 25 mijë m2, në këmbim të një sipërfaqeje ambientesh në favor të Bashkisë Tiranë, përjashtimin nga taksat doganore, TVSH-ja, tatimi mbi fitimin apo çdo lloj takse tjetër mbi kapitalin për 15 vjet nga fillimi i veprimeve tregtare.
http://www.dailymotion.com/video/x5huezv_kulle-350-metra-e-larte-ne-bulevardin-e-ri-ja-pamjet-e-projektit-1_news