5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Koment – Faktorët konstantë në politikën turke për Ballkanin

Më të lexuarat

Fakti që Ballkani ndodhet mbi rrugën që e lidh Turqinë me Evropën, trashëgimia e përbashkët historike, si dhe fakti që në këtë rajon jetojnë shumë turq dhe komunitete të tjera të afrishme, përbëjnë edhe shkaqet e natyrshme të interesimit të Turqisë.

Ballkani ka qenë një element i rëndësishëm i politikës së jashtme turke që prej themelimit të Republikës së Turqisë. Fakti që Ballkani ndodhet mbi rrugën që e lidh Turqinë me Evropën, trashëgimia e përbashkët historike, si dhe fakti që në këtë rajon jetojnë shumë turq dhe komunitete të tjera të afrishme, përbëjnë edhe shkaqet e natyrshme të interesimit të Turqisë me Ballkanin. Në vitet e fundit, mund të shihet se kemi një rritje edhe të interesit që tregojnë biznesmenët turq ndaj këtij rajoni.

Faktori historik është përvoja e përbashkët historike që Turqia ka me vendet e Ballkanit. Vetëm kjo përvojë më vete e inkurajon Turqinë për të zhvilluar marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit. Përveç kësaj mund të thuhet se politikanët turq në kuadër të faktorit historik e shikojnë Ballkanin edhe si një zonë ndikimi të Turqisë. Në këtë kontekst, përmendet shpesh synimi për të mbajtur me vendet e Ballkanit marrëdhënie të bazuara në besimin dhe respektin e ndërsjellë. Si një zgjatim i faktorit historik duhet theksuar që një numër i rëndësishëm fjalësh turke përdoren ende edhe sot në gjuhët e Ballkanit dhe disa nga veprat më të bukura arkitektonike të Shtetit Osman zbukurojnë qytetet e Ballkanit. Turqia shpreh në mënyrë të qartë dëshirën për të ruajtur trashëgiminë historike dhe kulturore turke në Ballkan, duke e parë atë si një trashëgimi të përbashkët kulturore.

E parë në aspektin e faktorit gjeografik, duket qartë që Ballkani është një urë që e lidh Turqinë me Evropën. Prandaj, të gjitha zhvillimet në rajon mund të kenë efekte politike, ekonomike dhe kulturore në Turqi. Si rrjedhojë, ulja e tensionit në Ballkan dhe bërja e qëndrueshme e klimës paqësore rajonale është interesi kryesor i Turqisë në rajon. Nga ana tjetër, Ballkani është një rrugë e rëndësishme tranziti për tregtinë që Turqia bën me vendet e Evropës Perëndimore. Përmes vendeve të Ballkanit kamionët dhe maunat turke rreth 200 mijë herë në vit shkojnë e vijnë në vendet e Evropës Perëndimore për transportimin e mallrave. Ndryshimet e ardhshme në sektorin e transportit të Ballkanit mund të ofrojnë disa mundësi në aspektin e tregtisë së jashtme që Turqia ka me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian (BE), por në të njëjtën kohë këto ndryshime mund të sjellin me vete edhe disa sfida për Turqinë.

Faktori njerëzor për politikën e Turqisë ndaj Ballkanit është i lidhur me turqit që kanë mbetur këtu nga koha osmane dhe me komunitetet e afrishme që jetojnë në rajon. Sipas të dhënave aktuale zyrtare në Ballkan jetojnë rreth 1 milion e 100 mijë turq. Përveç turqve, në Ballkan jetojnë gjithashtu në sasi të konsiderueshme edhe komunitete të tjera myslimane, të cilat ndajnë me turqit të njëjtën histori, kulturë dhe fat të ngjashëm. Sipas shifrave zyrtare, numri i përgjithshëm i popullsisë myslimane në 10 vendet e Ballkanit është mbi 8 milionë. Lidhjet aktuale familjare dhe emocionale që qytetarët e Republikës së Turqisë kanë me Ballkanin identifikohen me vuajtjet e bashkëkombësve dhe komuniteteve të tjera të afrishme në rajon gjatë periudhave të krizave dhe këto lidhje bëjnë që Turqia të jetë më e ndjeshme ndaj disa zhvillimeve në Ballkan.

Ekonomia është një faktor relativisht më i ri për të shpjeguar praninë e Turqisë në Ballkan. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë dhe kalimin e vendeve të Ballkanit në ekonominë e tregut, nisën të zhvillohen edhe marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike të Turqisë me vendet e rajonit. Megjithatë, marrëdhëniet ekonomike ende nuk kanë arritur nivelin e dëshiruar, edhe pse ato shënojnë rritje nga viti në vit. Për më tepër, luftërat në ish-Jugosllavi bënë që biznesmenët turq të fokusohen më shumë në Rumani dhe Bullgari se sa në vendet e tjera të rajonit. Megjithatë, përpjekjet për zhvillim dhe privatizim që bëjnë vendet e Ballkanit vazhdojnë të ofrojnë mundësi ekonomike për biznesmenët turq. Sot, Turqia ka marrëveshje bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik me të gjitha vendet e Ballkanit. Në mesin e marrëveshjeve që Turqia ka nënshkruar me vendet e Ballkanit bëjnë pjesë marrëveshjet për parandalimin e tatimit të dyfishtë, marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe marrëveshjet për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Turqisë (TUIK), pjesa e 10 vendeve të Ballkanit në totalin e eksporteve të Turqisë në vitin 2014 ishte 5.2%, ndërsa në totalin e importeve ishte 4.5%. Rumania, Bullgaria dhe Greqia zënë pjesën më të madhe në tregtinë e Turqisë me vendet e Ballkanit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, deri në korrik të 2014-s, vlera kumulative e investimeve të huaja direkte të Turqisë në vendet e Ballkanit, përfshirë këtu edhe investimet turke që janë bërë përmes vendeve të treta, ka qenë rreth 4,4 miliardë $. Në aspektin e investimeve, vendi ballkanik, ku firmat turke janë më aktive, është Rumania.

Turqia është gjithashtu efektive në vendet e Ballkanit edhe në sektorin kontraktues. Pasi, kompanitë turke marrin përsipër projekte në një gamë të gjerë fushash, duke filluar që nga autostradat e deri tek ndërtimi i banesave. Sërish sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, vlera e përgjithshme e projekteve kontraktuese turke në vendet e Ballkanit në korrik të vitit 2014 ishte rreth 12 miliardë dollarë. Përafërsisht 57% e vlerës së përgjithshme të shërbimeve kontraktuese turke në vendet e Ballkanit janë realizuar në Rumani dhe 13% janë realizuar në projektet e ndërmarra në Bullgari.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit